Ajo e José Mourinhos ishte një mbrëmje e vështirë. Barazimi me rikuperim nga 0-2 në 2-2 kundër Veronës soli vetëm një pikë për Romën, por në Olimpico portugezi e përjetoi keq ndeshjen. Së pari një top i goditur prej tij direkt në tribunë pas një ndërprerjeje të lojës nga arbitri Pairetto, me të cilin kishte pasur përplasje edhe në të kaluarën, më pas protestat e përsëritura në fund të ndeshjes që çuan në përjashtimin e tij, me skenën e hedhjes së një shishe, që sigurisht mund të shmangej. Nervozizëm dhe zemërim që vetë Mourinho nuk ka dashur ta shpjegojë pas ndeshjes, duke "dribluar" kamerat dhe intervistat e ndryshme, duke vendosur të largohej në heshtje.