
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka firmosur shkarkimin nga detyra të kryeinspektorit të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT), Rigers Sheqeri, dhe drejtoreshës së Përgjithshme të Çerdheve dhe Kopshteve, Zhaneta Beqiri. Sipas informacioneve të publikuara, largimi i Beqirit lidhet me një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), ku janë evidentuar shkelje me pasoja ekonomiko-financiare. Raporti i rekomandon kryebashkiakut shqyrtimin e marrjes së masave ndaj saj, ndërsa Veliaj ka vendosur shkarkimin.
Ndërkohë, raportohet se në proces largimi nga detyra është edhe drejtoresha e Policisë Bashkiake, Elona Lalaj, çështje që ka shkaktuar reagimin e kryeministrit Edi Rama.
Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, Rama kritikoi vendimet për largimin e punonjësve të bashkisë, duke pretenduar se disa prej tyre po ndëshkohen për shkak se nuk pëlqejnë apo shpërndajnë postimet e Veliajt në rrjetet sociale.
“Po si mund të largohet nga puna arbitrarisht një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e kryepolicit bashkiak të kryeqytetit […] pse nuk u bëjnë like e share dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik?”, deklaroi Rama, duke iu referuar Lalajt.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se Partia Socialiste do të mbajë përgjegjës politikisht çdo drejtues të Bashkisë së Tiranës që zbaton shkarkime të tilla, pavarësisht përkatësisë politike të punonjësve.