
Pas disa orësh protestë dhe marshimi në rrugët e Tiranës, studentët dhe qytetarët janë grumbulluar përpara Kryeministrisë, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke vijuar thirrjet për dorëheqjen e Edi Ramës.
Protesta nisi rreth orës 14:00 para Ministrisë së Arsimit, ku pjesëmarrësit qëndruan për afro dy orë. Me banderolën “Ndal plaçkitjes, shtypjes dhe ikjes!”, protestuesit kërkuan largimin e qeverisë dhe bënë thirrje për pjesëmarrje masive në protestën e paralajmëruar më 28 Nëntor.
Më pas, turma marshoi nëpër rrugët e kryeqytetit, ku në zonën e Myslym Shyrit disa të rinj i vunë flakën koshave të mbeturinave. Protestuesit ndodhen tashmë përpara Kryeministrisë, ku tubimi vijon me thirrje kundër qeverisë.