Flash

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

Andi Bushati 19 November 2026

Edi Rama gjatë prezantimit të projekt buxhetit të ri shpalli një sërë masash propagandistike për një taksim më të rëndë ndaj të pasurve duke iu bashkëngjitur një ere që po fryn në mbarë demokracitë e planetit, sipas të cilës ata që kanë më shumë duhet të paguajnë më shumë. Fillimisht, si një reagim ndaj protestave dhe së fundi në parlament, ai detajoi se shifra e atyre që ndajnë dividentin e kompanive do të dyfishohet, se taksat për ata që kanë disa shtëpi do të rriten, se po kështu do të ndodhë edhe për të pasurit që përdorin makina luksi apo kanë privilegjin që të mbajnë një pishinë në oborrin e vilës së tyre. 

Si një kameleon që se ka për gjë të ndryshojë 180 gradë, njeriu që përbuz sindikatat me këmbënguljen e një neo liberali, ai që u bënte thirrje pronarëve të zëvendësonin me emigrantë nga Bangladeshi, punëtorët që guxonin të organizoheshin, ka veshur tani, në mënyrë sipërfaqësore, kostumin e një të majti radikal që shpall se filozofia e buxhetit 30 miliardësh është “ta ndajë në mënyrë sa më të drejtë pasurinë”. 

Po ti besosh vetëm fjalëve duket sikur Edi Rama po kap trendin e kohës. Kudo në vendet demokratike po vlon debati për zvogëlimin e pabarazive ekstreme dhe për një taksim thelbësisht më të lartë për të pasurit. Zgjedhjet e mes mandatit në SHBA, krijuan efektin surprizë edhe mes vetë demokratëve duke çuar në kongres dhe senat, shumë nga bijtë ideologjike të Bernie Sandersit, që e bazuan fushatën e tyre mbi një peshë tejet më të madhe fiskale për milionerët. Por, ajo që ndodhi në Kaliforni, e për të cilën është folur fare pak këtej nga ne, qe rezultati i një referndumi i cili kërkonte të taksonte me 5% të të gjithë pasurisë (jo vetëm të të ardhurave të një viti) rreth 250 miliarderë. Ndonëse oligarkia vendase dhe Silicon Valley lobuan me rreth 400 milionë USD për ta rrëzuar atë, pothuajse 48 përqind e pjesmarrësve votuan pro. Po e njëjta tendencë për taksim ndaj totalit të pasurisë së miliarderëve pritet të vihet në jetë vitin e ardhshëm nga presidenti i majtë Lula në Brazil dhe qeveria e djathtë e Peter Magyarit në Hungari, që parasheh të taksojë ata që u pasuruan në kurriz të të tjerëve gjatë autokracisë së Orbanit.

Po me të njëjtin qëllim, rreth 100 intelektualë të njohur ndërkombëtarisht, mes te cilëve çmime Nobel si Paul Krugman, Joseph Stiglitz, Daron Acemoglu e Esther Duflo, do të publikojnë këtë të premte një manifest të iniciuar nga i famshmi Gabriel Zuckman, i cili propozon prej vitesh një taksim të 2% të pasurisë në rafsh global, për ata që kanë mbi një miliard USD pasuri. Shqetësimi i tyre nuk ka të bëjë vetëm me hendekun social që krijon në shoqëri thellimi i pabarazive çka sjell për pasojë rritjen e ekstremizmave dhe prishjen e paqes sociale. Ai shkon më tej duke argumentuar se përqëndrimi i pasurisë në gjithnjë e më pak duar dhe trashëgimi i saj, brez pas brezi, shkatëron në thelb rendin demokratik. Duke pasur në dispozicion shuma marramendëse, miliarderët ndikojnë përmes lobimit në fushatat elektorale, përmes sponsorizimit të ligje në favor të tyre, përmes mediave të cilave u kontrollojnë kapitalin, përmes rrejeteve sociale që u diktojnë algoritmet e së fundi përmes monopolizimit të kompanive të IA që do të vendosin shumë shpejt për të ardhmen e gjithë planetit. Pikërisht ky proces që Gabriel Zucman e etiketon me togfjalshin “triumfi i pabarazisë” në dëm të vullnetit popullor, përbën një nga rreziqet kryesore të rrënimit të demokracisë dhe përqëndrimit të pushtetit në një grup gjithnjë e më të vogël njerëzish.

Por pasi sheh se ç’ndodh përreth, pyetja e parë që të shkon në mend është se ç’lidhje ka ajo që po ndodh tek ne me gjithë këtë? Si mund të inkuadrohet Edi Rama me këtë frymë të cilës i ka vjedhur formën, pa i aplikuar përmbajtjen?      

Ndonëse fjalori duket i njëjtë, ndonëse retorika e përvetësuar është ajo e taksimit të të pasurve, kryeministri ynë nuk ka asnjë lidhje me atë që u parashtrua më sipër. Së pari, sepse buxheti që po votohet këto ditë është larg së qeni një orvatje që do të zbusë pabarazinë në vend. Pavarësisht ngandonjë mase ndaj makinave të luksit apo pishinave në oborret e vilave, ai në thelb “përkëdhel” një pakicë. 

Nëse do të ishte ndryshe, nëse do të flisnim realisht për një ndryshim kursi, ajo do të ishte dashur të dukej tek anullimi i ligjit për investimet strategjike që përjashton ndërtuesit milionerë nga taksat, ajo do të ishte dashur të shihej te mosvijimi i lehtësimit fiskal për ndërtuesit e kullave që i shesin si “hotele me 5 yje”, ajo duhej konkretizuar me zbatimit të porosisë së Brukselit, për anullimin e favoreve në zonat e mbrojtura, që i bën pak të zgjedhur padronë të pasurisë sonë të përbashkët. 

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global dhe nuk do të jetë më kryeministri i të pasurve. Kjo jo vetëm për arsye taktike, por edhe strategjike. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i pabarazive po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi. Pasi ky është modeli që ka zgjedhur Rama: ai i sundimit të shumicës nga një pakicë e pasur.  

LAPSI.AL

 

Të këshilluara

Pas parave në Gjermani qëndron Edi Rama

Pagesat për ish shefen e SHISH nga tenderat e trukuar të AKSH dëshmojnë maninë e çuditshme për të kompromentuar me paratë e shtetit edhe zyrtarët e tij. Nuk ka rëndësi se Vlora Hyseni ishte emëruar nga vetë Rama, nuk kishte vlerë se ajo konsiderohej një besnike e verbër, pa qenë e kooruptuar ajo nuk mund të quhej një shërbëtore e devotshme

15:14 Andi Bushati

Mbi kufinjtë politikë të protestës sociale

E vetmja mënyrë për ta vrarë potencialin e protestës sociale është nëpërmjet llogjikës së vjetër politike se qelbësira në pushtet rrëzohet vetëm me një aleancë të madhe qelbësirash në opozitë

09:48 Blendi Kajsiu

Jo dhunës, po organizimit!

Ajo që i duhet protestës sociale sot, më shumë se dhuna, është organizmi i një fronti të gjerë anti-sistem që bën bashkë përfaqësues të grupimeve të ndryshme sociale që emërues të përbashkët kanë pakënaqësinë me funksionimin e regjimit aktual politik dhe ekonomik. Ky front, që mund të quhet Fronti Flamingove, duhet të ketë përfaqësues nga studentët, pedagogët, ambientalistët, shoqëria civile, partitë e reja politike siç është Lëvizja Bashkë, punëtorët, fermerët dhe përfaqësues të komuniteteve të cilave po u grabiten tokat nëpërmjet modeleve të turizmit elitar

15:10 Blendi Kajsiu

Shembja e Vuçiçit, manual përdorimi për ne në Tiranë

Serbia përbën shembullin tipik për të treguar se këto lloj pushtetesh nuk mund të mposhten me rrugë normale, se metoda për tu ndeshur me të nuk është rendja pas zgjedhjeve, si demi pas cohës së kuqe, por gryerja, dobësimi, delegjitimimi dhe legenosja e tyre, përmes metodash që në pjesën më të madhe konsiderohen si të paligjshme ose të dhunshme nga kasta në fuqi

11:11 Andi Bushati

ide

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

90.02

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI