
Aktori i njohur Pierce Brosnan ka reaguar pas lajmit se Robert Pattinson do të jetë protagonisti i ri i sagës së famshme “James Bond”, duke i dedikuar një mesazh të veçantë urimi dhe mbështetjeje.
Aktori publikoi në rrjetet sociale një fotografi bardhezi të Pattinson, i cili shfaqet me kostumin karakteristik të James Bond, duke shoqëruar imazhin me fjalë mjaft emocionuese.
“I dashur Robert, mirë se vjen në botën e Bond. Do të jesh i mrekullueshëm”, shkroi Brosnan në mesazhin e tij.
Aktori 73-vjeçar kujtoi gjithashtu bashkëpunimin me Pattinson në filmin dramatik “Remember Me”, të vitit 2010, ku të dy interpretonin në role kryesore.
“Kam kujtime shumë të bukura nga koha kur punuam së bashku. Ka qenë një kënaqësi të të shoh duke ndërtuar një karrierë kaq të veçantë dhe duke u bërë gjithnjë e më i suksesshëm. Shijoje këtë rrugëtim”, përfundoi ai mesazhin, duke e firmosur me shprehjen irlandeze “Grá mor”, që përkthehet “Shumë dashuri”.
Nga Pierce Brosnan te Robert Pattinson
Pierce Brosnan e interpretoi James Bond në katër filma, nga viti 1995 deri në vitin 2002, duke u bërë një prej aktorëve më të identifikueshëm me personazhin e agjentit sekret britanik.
Tashmë, këtë trashëgimi kinematografike do ta vazhdojë Robert Pattinson, i cili do të pasojë Daniel Craig në rolin ikonik.
Aktori 40-vjeçar e ka cilësuar këtë mundësi si një nga nderimet më të mëdha të karrierës së tij, duke u shprehur se interpretimi i James Bond është një ëndërr e bërë realitet.
Filmi i ardhshëm do të drejtohet nga regjisori Denis Villeneuve, i njohur për filmat “Dune”, ndërsa skenari do të shkruhet nga Steven Knight, krijuesi i serialit të famshëm “Peaky Blinders”.
Projekti i ri shënon gjithashtu një kapitull të rëndësishëm për sagën 007, pasi do të jetë filmi i parë i James Bond nën drejtimin kreativ të Amazon MGM Studios.