
Presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin kanë përfunduar një takim rreth 40-minutësh në Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC). Sipas Kremlinit, bisedimet u përqendruan te lufta në Ukrainë dhe marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. Presidenca ruse e vlerësoi pozitivisht takimin, duke bërë të ditur se Putin ishte larguar nga bisedimet “me humor shumë të mirë”. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë e përshkroi takimin si një bisedë informale dhe jo si një takim zyrtar dypalësh, raportoi CNN.
Përpara takimit, Trump vlerësoi marrëdhëniet personale me presidentin rus, të cilin e quajti mik. Pas takimit me Putinin, presidenti amerikan nisi bisedimet me homologun kinez Xi Jinping. Më pas është parashikuar një samit trepalësh mes udhëheqësve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës, ku pritet të diskutohen lufta në Ukrainë, konflikti me Iranin, kontrolli i armëve bërthamore dhe marrëdhëniet mes tri fuqive.
Përpara nisjes drejt Kinës, Trump ishte shprehur optimist për mundësinë e një marrëveshjeje që do t'i jepte fund luftës në Ukrainë, duke deklaruar se palët ishin shumë pranë një zgjidhjeje. Presidenti amerikan ka folur gjithashtu për nevojën e kufizimit të arsenaleve bërthamore. Në një intervistë për Fox News, ai tha se dëshironte që Rusia dhe Kina të mos i zgjeronin kapacitetet e tyre bërthamore, ndërsa përmendi edhe mundësinë e reduktimit të arsenalit amerikan me 2 mijë koka bërthamore. Megjithatë, pranoi se arritja e një marrëveshjeje të tillë do të ishte e vështirë.
Sa i përket Iranit, Trump deklaroi se Uashingtoni nuk kishte nevojë për ndihmën e Moskës apo Pekinit për t'i dhënë fund konfliktit, duke pretenduar se operacionet ushtarake amerikane kishin dobësuar ndjeshëm kapacitetet mbrojtëse iraniane. Një ditë më parë, Xi Jinping kishte zhvilluar një takim rreth dyorësh me Putinin, ku ishte diskutuar forcimi i bashkëpunimit ekonomik mes Kinës dhe Rusisë.
Megjithatë, sipas gazetës italiane Corriere della Sera, mes tre udhëheqësve mbeten dallime për mënyrën e trajtimit të luftës në Ukrainë, veçanërisht për rolin e vendeve europiane në negociata. Takimi mes Trump dhe Putinit u zhvillua me prani të kufizuar të mediave. Brenda sallës u lejua vetëm një kamerë televizive, ndërsa presidenti amerikan shoqërohej nga sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe sekretari i Thesarit Scott Bessent. Në delegacionin rus ishte edhe ministri i Jashtëm Sergei Lavrov. Ky ishte takimi i tetë ballë për ballë mes dy presidentëve, pas bisedimeve të zhvilluara në Alaskë në vitin 2025, të cilat nuk sollën një marrëveshje për përfundimin e luftës në Ukrainë.