Flash

Premier League, lojtarët me frikën e bandave kriminale: paguajnë për mbrojtje dhe kanë dhoma sigurie në shtëpi

Disa protagonistë të futbollit anglez kanë denoncuar grabitje dhe hyrje të paligjshme në shtëpitë e tyre, duke u detyruar të marrin masa të jashtëzakonshme sigurie.

Lapsi.al 19 November 2026

Premier League, lojtarët me frikën e bandave kriminale: paguajnë

Problemi i sulmeve ndaj banesave të futbollistëve po bëhet gjithnjë e më shqetësues në Premier League. Disa protagonistë të futbollit anglez kanë denoncuar grabitje dhe hyrje të paligjshme në shtëpitë e tyre, duke u detyruar të marrin masa të jashtëzakonshme sigurie. Familjet e tyre instalojnë në banesa sisteme alarmi të gjeneratës së fundit, të cilat aktivizohen kur zbulojnë praninë e një të panjohuri, blejnë qen të stërvitur posaçërisht, për të cilët paguajnë më shumë se 20 mijë euro, si dhe angazhojnë agjenci të specializuara, me këshillën e klubeve që po i ndihmojnë të përballojnë këtë periudhë shumë të vështirë.

“Daily Mail” ka treguar nga afër se çfarë po ndodh me futbollistët, të cilët janë kthyer në objektiv të keqbërësve që nuk ngurrojnë të hyjnë në vila edhe kur brenda tyre ndodhen njerëz. Përmes dëshmive të një ish-ushtaraku të forcave speciale, i cili merret me sigurinë e lojtarëve, gazeta ka rindërtuar situatën në Angli, ku sportistët kanë gjithnjë e më shumë frikë të ekspozohen, pasi vjedhjet tashmë janë bërë të panumërta. Sipas të përditshmes, disa prej tyre kanë arritur madje t'u paguajnë para këtyre bandave kriminale, vetëm për të fituar më shumë qetësi.

Sisteme moderne dhe dhoma të sigurta për futbollistët

Pasuria e dukshme, e ekspozuar me aq shumë krenari në rrjetet sociale, është bërë një joshje e parezistueshme për kriminelët, të cilët veprojnë në mënyrë masive. Disa skuadra të Premier League kanë angazhuar ekipe të posaçme sigurie për të garantuar praninë e vazhdueshme në shtëpitë e futbollistëve që janë në transfertë, një prej momenteve kur ndodhin më shumë grabitje. Rasti më i fundit ishte ai i Bruno Fernandes, kur Manchester United luante në Como në Champions League. Shtëpia e tij u bë objekt i një grabitjeje me vlerë mijëra eurosh.

Premier League, lojtarët me frikën e bandave kriminale: paguajnë

Për këtë arsye, banesat janë pajisur me sisteme alarmi të gjeneratës së fundit, duke nisur që nga kopshtet, ku rrezet infra të kuqe aktivizojnë alarmet përmes programeve të njohjes së fytyrës. Sistemi kontrollohet nga 18 kamera, të cilat mundësojnë ndërhyrjen e patrullës brenda 90 sekondave.

Më pas janë edhe qentë e specializuar të rojeve, vlera e të cilëve kalon 20 mijë euro. Një të tillë e ka blerë Isak pasi kishte marrë kërcënime, por kërkesa për këta qen po bie, pasi ekipet e sigurisë kanë tashmë njësitë e tyre kinologjike. Sipas të përditshmes angleze, disa futbollistë paguajnë madje një shumë parash për t'u mbrojtur dhe për të blerë sigurinë e tyre, në mënyrë që të mund të lëvizin të qetë. Ky është një veprim ekstrem për të mos rënë në shënjestrën e keqbërësve.

Ekspertët tregojnë gjithashtu se në vilat e tyre ekzistojnë edhe dhoma të posaçme sigurie, ku mund të hyhet vetëm përmes një karte identifikimi dhe që zakonisht përdoren për të fshehur sendet me vlerë. Sipas një ish-detektivi, profili i kriminelëve ka ndryshuar: “Tani po flasim për banda që nuk ngurrojnë t'i marrin jetën dikujt”.

Situata në Premier League është mjaft e rëndë, aq sa klubet ndërhyjnë për të paralajmëruar futbollistët dhe për t'i orientuar drejt zgjidhjeve më të përshtatshme për sigurinë e tyre.

Të këshilluara

ide

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

21°c

KËMBIMI EURO

90.02

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI