Shuplaka ndaj korrupsionit dhe oligarkëve në pushtet, në zgjedhjet e fundit në SHBA ishin një lajm i mirë edhe për demokracinë tonë
Familja Trump e ka përdorur pushtetin që buron nga presidenca e SHBA-ve për të investuar në kriptomonedha apo për të siguruar para nga miliarderët arab në Arabinë Saudite e Katar dhe për të përfituar ishuj si Sazani apo perla si Zvërneci nga qeveritarë si tanët që e shesin vendin për interesat e pushtetit dhe oligarkëve vendas
Fitorja impresionante e kandidatëve të Partisë Demokratike në SHBA në zgjedhjet legjislative të mes-mandatit (midterm elections) ishte një shpulake e fortë elektorale për administratën e Donald Trump. Humbësi real i këtyre zgjedhjeve nuk ishte thjesht Partia Republikane por vetë presidenti Trump.
Ishte ai që gjatë fushatës zgjedhore i ftoi amerikanët të votonin sikur të ishte ai vetë në fletën e votimit. Dhe në fakt ashtu votuan amerikanët, sikur të bëhej fjalë për zgjedhje presidenciale dhe jo legjislative. Ndaj fitorja e demokratëve ishte historike dhe ata arritën të marrin nën kontroll bindëshëm jo vetëm dhomën e ulët të Kongresit por edhe senatin, duke fituar në shtete si Kansas që nuk kishin prodhuar senator demokrat që nga viti 1935.
Natyrisht që lufta jo-popullore me Iranin e Donald Trump dhe rritja e çmimit të naftës që ajo prodhoi ishte një nga faktorët që shpjegojnë fitoren e demokratëve. Ama ky faktor nuk ishte as i vetëm dhe madje as kryesori. Në shumë sondazhe shqetësimi me korrupsionin galopant të familjes Trump dhe kapja e shtetit nga oligarkët e teknologjisë ishin shqetësime themelore të elektoratit amerikan.
Në këtë aspekt vota kundër Trump duhet lexuar si një votë e qartë kundër korrupsionit në pushtet dhe kapjes së shtetit nga oligarkët. Kështu Teksasi që për dekada ka qenë një shtet republikan në SHBA prodhoi jo vetëm senator por edhe kongresmenë dhe guvernadore demokrate duke u transformuar në një shtet demokrat.
Sipas shumë analistëve një nga arësyet e këtij rezultati ishte fakti që Teksas ish transformuar prej kohësh në shtetitn e Elon Musk i cili kish vendosur aty jo vetëm investimet e kompanisë së tij SpaceX por edhe kish filluar të ndërtonte qendra të dhënash (datacenters) pafund që kontaminojnë ambientin dhe thithin energjinë dhe burimet ujore të territorit. Gjithçka në kundërshtim me vullnetin e komuniteteve lokale në Teksas.
Nuk është rastësi që Elon Musk u përpoq haptas ti blinte zgjedhjet duke investuar në to rreth 450 milion dollarë për kandidatët e Partisë Republikane. Në fakt të gjithë oligarkët e teknologjisë sikurse edhe miliarderët Zionist që mbështesin Izraelin dhe gjenocidin në Palestinë u rreshtuan përkrah administratës Trump dhe kundër kandidatëve të majtë të Partisë Demokratike, duke hedhur qindra milionë dollarë në fushatën elektorale.
E megjithatë ata humbën në mënyrë spektakolare. Pikërisht për këtë arësye zgjedhjet e fundit në SHBA ishin një fitore e madhe për demokracinë dhe jo thjesht për demokratët. Ato treguan se vullneti popullor është i aftë ti bëjë ballë dhe të mundë me votë oligarkët që e kanë transformuar shtetin në zgjatim të interesave të tyre.
Mbi të gjitha zgjedhjet e fundit në SHBA ishin edhe një shuplakë e madhe elektorale për korrupsionin e paprecedent të Donald Trump që më shumë se çdo president në historinë e SHBA-ve e ka përdorur pushtetin për të pasuruar veten dhe familjen e tij. Trumpi vetë, djemtë e tij dhe dhëndri i tij Jared Kushner e kanë përdorur pushtetin që buron nga presidenca e SHBA-ve për të investuar në kriptomonedha apo për të siguruar para nga miliarderët arab në Arabinë Saudite e Katar dhe për të përfituar ishuj si Sazani apo perla si Zvërneci nga qeveritarë si tanët që e shesin vendin për interesat e pushtetit dhe oligarkëve vendas.
Për të dyja arsyet e mësipërme, shuplaka ndaj korrupsionit dhe oligarkëve në pushtet, zgjedhjet e fundit në SHBA ishin një lajm i mirë edhe për demokracinë tonë. Kur e kap gripi demokracinë amerikane demokracitë në të gjitha vendet e botës teshtijnë, dhe sidomos demokracitë me imunitet të dobët si e jona.
Korruptimi dhe kapja e demokracisë amerikane nga oligarkët e atjeshëm përkeqësoi në mënyrë direkte dhe indirekte edhe demokracinë tonë. Së pari, sepse demokracia amerikane na ka shërbyer si model për disa dekada. Ndaj normalizimi i korrupsionit dhe kapjes së shtetit në SHBA prodhonte një normalizim të këtyre fenomeneve edhe tek ne.
Aq më tepër kur korrupsioni në SHBA lidhej në mënyrë direkte me oligarkët tanë.
Të mos harrojmë se projekte si Sazani apo Zvërneci u mundësuan edhe nga lidhja e oligarkisë sonë, siç është grupi Kastrati me korrupsionin e familjes Trump. Pas investimit në Sazan apo Zvërnec nuk është vetëm familja Trump por edhe partnerët e tyre në Shqipëri, grupe të fuqishme që kanë kapur jo vetëm shtetin por edhe politik-bërjen.
Betonizmi i bregut tonë të mrekullueshëm jugor, idea për privatizimin i ishullit të Sazanit, grabitja e pronave të komuniteteve lokale apo shkatërrimi i perlave natyrore si Laguna e Nartës, kanë nga mbrapa jo vetëm interesa politike por edhe oligarkike, nga Kastrati deri tek Mane, apo një sërë pronarësh mediash kombëtare që nga gazetarë janë transformuar në ndërtues.
Në këtë aspekt kapja e ekonomisë dhe e shtetit amerikan nga oligarkët e teknologjisë është e ngjashme me kapjen e shtetit dhe ekonomisë sonë nga oligarkët e ndërtimit, që duhet thënë janë shumë më pak produktiv se oligarkët e teknologjisë. Ndaj pothuajse e gjithë politik-bërja e qeverisë sonë është reduktuar tek ndërtimi dhe turizmi elitar dhe ka harruar prej kohësh transportin publik, bujqësinë, politikat industriale apo agro-industriale të zhvillimit.
Edhe establishmenti i vjetër politik i SHBA-ve është shumë i ngjashëm me klasën tonë të vjetër politike sepse në të dyja rastet e përdorin pushtetin për tu pasuruar dhe janë në shërbim të oligarkisë ekonomike. Si Donald Trump ashtu edhe Chuck Schummer, lideri i Partisë Dremokratike në senat, janë politikanë që financohen prej, dhe i shërbejnë interesave të, oligarkisë teknologjike apo të miliarderëve Zionist që kanë në pronësi mediat kryesore të vendit.
Edhe shefat e klasës tonë të vjetër politike, si Rama, Berisha, Meta apo Mediu, janë pasuruar nëpërmjet pushtetit ndërkohë që i shërbejnë interesave të oligarkëve vendas, nga Kastrati, deri tek Mane apo Frangaj, pavarësisht fërkimeve personale. Përqëndrimi ekskluziv i berishizmit vetëm tek denoncimi i Edi Ramës dhe jo i sistemit që e mban atë në këmbë shërben thjesht për të mbuluar faktin që si Rama edhe Berisha janë pjesë e të njëjtit ekosistem mediatik, politik dhe ekonomik.
Zgjedhjet e fundit në SHBA janë frymëzim për demokracinë tonë sepse na treguan se është e mundur që një ekosistem i tillë të thyhet me votë. Në SHBA mediat dhe klasa politike tradicionale, oligarkët teknologjik dhe zionist u mobilizuan për të shkatërruar kandidatët demokrat që i denonconin, siç ishte Abdul El Sayed në Michigan, apo James Talarico në Teksas. E megjithatë nuk patën sukses përballë protestës qytetare kundër korrupsionit të klass së vjetër politike dhe kapjes së shtetit nga oligarkët.
Kjo na jep shpresë që edhe në Shqipëri ekosistemi politik, mediatik dhe oligarkik që synon kapjen, delegjitimin dhe shkatërrimin e protestës qytetare nuk do te ketë sukses. Krisja e thellë që i shkaktoi protesta qytetare këtij ekosistemi dje konsolidohet edhe më shumë sot me fitoren e demokracisë në SHBA.
Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu. Titulli origjinal: "Humbja e Trump ishte fitore e demokracisë në SHBA"
