
Shqipëria është gati për sfidën e parë vendimtare ndaj Finlandës, në Nations League. Në fushë, kuqezinjtë kanë një objektiv të qartë: të shfrytëzojnë avantazhin e shtëpisë për të marrë tri pikët dhe për të forcuar pozitat në Grupin C1. Kuqezinjtë kryesojnë renditjen me 9 pikë pas katër ndeshjeve të para dhe tashmë hyjnë në fazën vendimtare të garës.
Maran nuk ndryshon modul
Varianti taktik 3-4-2-1, duket se është kthyer në alternativën e preferuar të Rolando Maran. Italiani ka krijuar tani besimin edhe në emrat që do të zbresin në fushë si titullarë, pavarësisht 27 futbollistëve të grumbulluar, kështu që nuk priten ndryshime edhe këtu. Dajsinani, që luajti ndeshjen e fundit, duhet ti hapë vendin rikthimit të Etrit Berishës, i cili mungoi në sfidën me San Marinon për shkak të pezullimit pas kartonit të kuq të marrë në ndeshjen e mëparshme ndaj Finlandës.
Formacioni i mundshëm, jashtë edhe Hoxha
Portieri është pozicioni i vetëm i ndryshuar në prapavijë, sepse Maran përpara tij do të vendosë Gjimshitin, Ismajlin dhe Mitajn. Mbrojtësi i Genoas ka filluar të ketë minuta edhe në Serie A dhe interpretimi i lojës me Pilon në të njëjtin krah i ka pëlqyer teknikut italian. Me mbrojtësin e AEK në të majtë, Hysaj nuk ka rivalë në të djathtë, ndërsa qendra do të ndërtohet nga Ramadani e Asllani, me Shehun që ka humbur sërisht dualitetin me ish-lojtarin e Partizanit.
Ai që ka humbur vendin e titullarit është Arbër Hoxha, që nuk dhuroi impaktin e pritur nga tekniku në ndeshjet në të cilat iu besua. Kështu, Qazim Laçi pritet të marrë vendin e tij për të luajtur në krah të Ernest Muçi, në mbështetje të sulmuesit të vetëm Rei Manaj.
Air Albania i tejmbushur
Shqipëria do ta ketë një mbështetje të jashtëzakonshme në sfidën e sotme me Finlandën. “Air Albania” nuk do të ketë asnjë vend bosh, pasi të gjitha biletat janë shitur. Një atmosferë që pritet t’i japë një shtysë të rëndësishme skuadrës së teknikut Rolando Maran në një përballje me shumë peshë për objektivin e vendit të parë në Nations League.
Përballja me Finlandën ka ndezur interesin e tifozëve kuqezi, të cilët kanë shteruar të gjitha biletat për sfidën e 12 nëntorit. Sonte në orën 20:45, Kombëtarja do të zbresë në fushë përpara një stadiumi të tejmbushur, me mbështetjen që mund të kthehet në një faktor të rëndësishëm në këtë takim. Por atmosfera nuk është i vetmi element që e bën këtë mbrëmje të veçantë. Shitja e çdo bilete është një dëshmi e besimit dhe pritshmërive që shoqërojnë Kombëtaren. Tani radha është e lojtarëve të Maran për ta kthyer këtë mbështetje në energji dhe për ta shpërblyer publikun me një paraqitje bindëse. “Air Albania” është gati për festën kuqezi, por për të ndezur atmosferën deri në fund, Shqipërisë i duhet rezultati në fushë.