Flash

Lamine Yamal, teoria e komplotit tërbon teknikun De la Fuente: “E di kush i mendon këto gjëra”

Luis De La Fuente, trajneri i përfaqësueses kampione të botës, nuk e ka pritur aspak mirë teorinë e komplotit për Lamine Yamal, e nxitur edhe nga disa organe të medias.

Lapsi.al 12 November 2026

Lamine Yamal, teoria e komplotit tërbon teknikun De la Fuente: “E di

Luis de la Fuente ka humbur durimin në konferencën e fundit për shtyp të Spanjës përpara ndeshjes së Nations League kundër Republikës Çeke. Trajneri i përfaqësueses kampione të botës nuk e ka pritur aspak mirë teorinë e komplotit për Lamine Yamal, e nxitur edhe nga disa organe të medias. Vendimi i trajnerit, i marrë në marrëveshje me futbollistin dhe Barcelonën, për ta lënë jashtë grumbullimit për shkak të gjendjes jo të mirë të gjurit të tij, ka nxitur dyshime për një lloj favorizimi ndaj sulmuesit të jashtëzakonshëm. Sipas kësaj teorie, ai do të ishte praktikisht i lirë të zgjidhte vetë se kur të luante, për të shmangur një ngarkesë të tepërt fizike. Por, sipas De la Fuentes, nuk ka asgjë të vërtetë në këto pretendime.

Fjalët e tij kanë një adresë të qartë, edhe pse trajneri nuk ka dëshirë ta përmendë publikisht emrin e personit në fjalë. De la Fuente është shumë i zemëruar me keqbesimin që është treguar lidhur me vendimin për ta shtyrë aktivizimin e mundshëm të Yamalit deri në ndeshjen kundër Anglisë. “Të flasësh pa i ditur gjërat është gjëja më e trishtueshme dhe më e mjerueshme në jetë. Prandaj kam ardhur vetë për të sqaruar gjithçka. E di kush i mendonte ato gjëra dhe shpresoj ta kuptojë”, deklaroi trajneri. Përshtypja është se ai i është drejtuar dikujt nga televizionet spanjolle, që konsiderohet disi tepër i orientuar në favor të Real Madrid. Me pak fjalë, një tjetër qëndrim kundër Barcelonës. 

Duke hyrë më në detaje për problemet fizike të futbollistit të tij, trajneri i Spanjës ishte po aq i qartë: “Lamine kishte një problem, u dëmtua në ndeshjen e fundit dhe ndiente shqetësime në gju. Në Barcelonë iu nënshtrua kontrolleve të zakonshme, përfshirë rezonancën magnetike, nga e cila rezultuan një inflamacion dhe prania e lëngut në gju. Kjo tregonte se kishte nevojë për pushim. Stafi ynë mjekësor dhe ai i Barcelonës kanë një marrëdhënie fantastike. Prandaj vendosa ta kurseja nga udhëtimi për t'u bashkuar me grumbullimin e Kombëtares dhe nga trajtimet këtu, pa e ditur madje nëse do të ishte i gatshëm për të luajtur. Preferova të qëndronte në shtëpi, duke u stërvitur me klubin, në mënyrë që të rikuperohej dhe të ishte sërish në dispozicion. Nëse të enjten do të jetë mirë dhe në gjendje për të luajtur, të premten do t'i bashkohet grupit, ashtu si Mikel, megjithëse për arsye të ndryshme. A është e qartë?”

Pavarësisht qartësisë së këtyre deklaratave, pati nga ata që në sallën e konferencës tentuan të këmbëngulnin sërish në këtë çështje. Një pyetje kishte të bënte me mënyrën se si e kishte pritur dhoma e zhveshjes mungesën e Yamalit, por edhe me vendimin e trajnerit. A kishte ndonjë lojtar që kishte shprehur pakënaqësi për favorizimin e mundshëm? De la Fuente e hodhi poshtë me vendosmëri edhe këtë pretendim: “Jam unë këtu për ta sqaruar dhe për të hedhur dritë mbi diçka që njerëzit, si të thuash, e përhapin. Ai nuk ka asnjë privilegj dhe shokët e skuadrës janë të qetë, sepse, ndër të tjera, ne i trajtojmë të gjithë njësoj. Do të kishim vepruar në të njëjtën mënyrë për çdo futbollist tjetër dhe lojtarët e dinë këtë. Kjo më bezdis. Në dhomën e zhveshjes gjithçka shkon shumë mirë, por sigurisht që na mungojnë të gjithë lojtarët që nuk janë me ne. Fatkeqësisht, ky është futbolli, ka dëmtime dhe ne jemi këtu për të gjetur zgjidhje”.

Të këshilluara

ide

Pas parave në Gjermani qëndron Edi Rama

Pagesat për ish shefen e SHISH nga tenderat e trukuar të AKSH dëshmojnë maninë e çuditshme për të kompromentuar me paratë e shtetit edhe zyrtarët e tij. Nuk ka rëndësi se Vlora Hyseni ishte emëruar nga vetë Rama, nuk kishte vlerë se ajo konsiderohej një besnike e verbër, pa qenë e kooruptuar ajo nuk mund të quhej një shërbëtore e devotshme

15:14 Andi Bushati

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

90.72

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI