
“Jemi përgatitur jashtëzakonisht mirë. E dimë rëndësinë. E kemi obligim për vendin e parë. Jemi ekip më kualitativ se të gjithë në grupin tonë, por duhet ta dëshmojmë në fushë”. Ardian Ismajli nuk fshihet. Vendos objektivin, shpjegon çfarë ndodhi në Helsinki, pastaj heq një guralec nga këpuca, me një sulm frontal ndaj ish-teknikut Sylvinho, me të cilin nuk u ndje pothuaj kurrë titullar.
“Dy goditje standarde, dy gola. Ndonjëherë fati ta kthen shpinë. Besoj se nuk patëm fat në atë ndeshje se patëm paraqitje shumë të mirë. Dhe me një lojtar më pak, patëm dy raste për të mbyllur ndeshjen – kujtoi qendërmbrojtësi, duke e lënë gjithë ‘fajin’ e humbjes te fati -. Fati nuk ishte me ne. Duhet të jemi më të kujdesshëm, duke ditur se ai mesfushor-sulmuesi ka goditje shumë të mira”.
Në krye të skuadrës është Rolando Maran, por Ismajli nuk harron atë që përjetoi me brazilin në pankinë, edhe pse kurrë nuk pati bërë polemika: “Sylvinho ka luajtur një futboll shumë difensiv, shumë statik. Ka dashur që çdo lojtar të mbajë pozicionin e tij. Ai futboll nuk ekziston. Futboll modern quhet kur luan si trajneri që është tani, Maran. Na ndihmon më shumë nëse ikim në presing sipër. Mund ta kapim kundërshtarin që mund të bëjë gabime. Dhe jemi lojtarë që mund të luajmë 1 kundër 1 gjithë kohës dhe nuk e kemi problem. Trajneri ka vendosur të luajë kështu. Nëse qëndron shumë prapa, pëson krosime dhe topa prapa shpine dhe është shumë e vështirë”.
Një shigjetim i ashpër, sidomos po të kesh parasysh se i atribuohet një trajneri që e udhëhoqi Shqipërinë në finalet e dyta ndonjëherë të kampionatit Europian, edhe pse Ismajli mundohet të shpërndajë, në një farë mënyrë, përgjegjësitë. “Secili nga ne ka përgjegjësinë e vet. Të veshësh fanellën ke përgjegjësi të madhe. Asnjëherë nuk kemi hezituar të bëjmë punën si duhet për një komb. Ndeshje të lehta sot nuk ka. Dhe pse këto ekipe që përmende janë poshtë, por sot të gjithë luajnë futboll. Ne para 3 viteve kemi luajt ndaj Ishujve Faroe, ishin 500 tifozë shqiptarë. Kjo është e mrekullueshme, distanca nga Shqipëria ishte 5000 kilometra. Pika jonë e fortë është “Air Albania”. Dhe mos të jetë rezultati, ata gjithmonë do na përkrahin. E kanë treguar gjatë gjithë këtyre viteve. T’i bëjmë krenar, të japim shpirtin në fushë dhe e rëndësishme është rezultati”, u shpreh mbrojtësi i Torinos.
