
Oltion Bistri, ish-drejtori i Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit që u përfshi në një marrëdhënie kriminale me biznesmenin Pëllumb Gjoka rikthehet drejt burgut pas afro një viti në liri.
Gjykata e Posaçme e Apelit ndryshoi vendimin e Shkallës së Parë, duke e dënuar përfundimisht me 7 vjet e 4 muaj heqje lirie. Përveç zbulimit të akteve ose të dhënave sekrete, Apeli e shpalli fajtor edhe për korrupsion pasiv dhe pastrim të produkteve të veprës penale, dy akuza për të cilat më parë kishte marrë pafajësi.
Trupa gjykuese, me relator Dhimitër Lara dhe anëtarë Daniela Shirka e Engert Pëllumbi, vendosi gjithashtu konfiskimin e tre apartamenteve, dy bizneseve dhe 1,3 milionë eurove, pasuri që dyshohet se është vënë nga aktiviteti kriminal.
Vendimi ndryshon rezultatin që Bistri kishte marrë një vit më parë. Gjyqtaret Etleva Deda, Flora Hajredini dhe Irena Gjoka e shpallën fajtor vetëm për nxjerrjen e të dhënave sekrete. Ai u dënua me dy vjet burg, ndërsa për korrupsionin dhe pastrimin e parave gjykata vlerësoi se nuk kishte fakte e prova për fajësi. Meqë dënimi konsiderohej i shlyer nga paraburgimi, Bistri u lirua menjëherë.
Ish-drejtuesi i policisë u arrestua më korrik 2023, gjatë operacionit “Metamorfoza”. Në atë operacion ranë në pranga edhe biznesmeni Pëllumb Gjoka, ish-punonjësi i policisë Ardit Hasanbega dhe prokurori Xhevahir Lita. Hetimi bashkoi dyshime për vrasje, plane atentatesh, korrupsion dhe rrjedhje informacioni nga institucionet që duhej të zbulonin e ndëshkonin veprimtarinë kriminale.
-
Pëllumb Gjoka, mes biznesit, politikës dhe krimit
21 Shkurt, 13:17
Deri pak përpara arrestimit, Bistri kishte mbajtur një nga postet e rëndësishme operative në Policinë e Shtetit. Më herët kishte drejtuar Komisariatin nr. 2 në Tiranë. Në korrik 2021 ishte emëruar drejtor i Policisë së Durrësit, më pas kishte kaluar në drejtimin e Policisë së Lezhës. Më 16 shkurt 2022, drejtori i përgjithshëm Gledis Nano e emëroi në krye të Forcës së Posaçme Operacionale.
Por komunikimet që u bënë pjesë e hetimit e kthyen vëmendjen te periudha kur Bistri drejtonte Komisariatin nr. 2. Sipas SPAK-ut, ai kishte përdorur dijeninë mbi veprimet policore për të paralajmëruar Pëllumb Gjokën dhe për të mbrojtur aktivitetin e tij të paligjshëm të lojërave të fatit.
Përgjimet e SPAK-ut dhe marrëdhënia me Pëllumb Gjokën

Dosja “Metamorfoza” u mbështet në komunikime të dekriptuara nga aplikacionet SKY ECC dhe EncroChat. Një letërporosi nga drejtësia franceze solli bisedat që u përdorën për të hetuar marrëdhëniet mes biznesmenëve, personave të dyshuar për krim të organizuar dhe zyrtarëve shqiptarë. SPAK njoftoi se hetimi ishte bërë i mundur me ndihmën e Eurojust, Europol, autoriteteve gjyqësore franceze dhe agjencive ligjzbatuese belge, holandeze e franceze.
Pëllumb Gjoka ishte një nga figurat qendrore të këtij hetimi. Pronar hotelesh dhe i kompanisë “Imperial Group”, ai kishte aktivitet në turizëm dhe në lojërat e fatit. Në vitin 2021, kompania e tij mori statusin e investitorit strategjik për projektin “Silver Sand Resort” në Velipojë.
Projekti parashikonte një investim prej 52 milionë eurosh në një sipërfaqe prej 113 mijë metrash katrorë, me pallate, vila dhe hotele. Vendimmarrja shtetërore përfshinte shfrytëzimin ekskluziv të plazhit përgjatë zonës zhvillimore për 30 vjet dhe angazhimin për infrastrukturën e energjisë, ujësjellësit e kanalizimeve.
-
Si i shpëtuan pasuritë e Oltion Bistrit, Arben Kraja dhe Irena Gjoka
10 Dhjetor, 11:04
Në dosjen penale, ndërkaq, Gjoka akuzohej për përfshirje në vrasjen e Gjin Ndojit, të njohur si Boriçi, më 9 gusht 2020, si dhe për sigurimin e kushteve e mjeteve për vrasje. Hetimet përfshinin plane kundër Ibrahim Licit, Dorian Dulit, Genc Tafilit dhe Kleanth Musabelliut. Ky i fundit kishte plagosur Gjokën në vitin 2017, pas një konflikti në zonën e Pazarit të Ri në Tiranë.
Bisedat e administruara përfshinin edhe emra si Ervis Martinaj, Behar Bajri dhe persona të tjerë. Këto ishin pjesë të hetimit më të gjerë; akuzat ndaj Bistrit lidheshin me korrupsionin, zbulimin e të dhënave sekrete dhe pastrimin e parave, jo me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për vrasjet.
Marrëdhënia e tij me Gjokën del veçanërisht në komunikimet për kazinonë dhe kontrollet policore. Sipas transkriptimeve të dosjes të publikuara në materialet e çështjes, Bistri e udhëzonte biznesmenin se kur të mbyllte aktivitetin dhe kërkonte që burimi i paralajmërimit të mbetej i fshehtë.
“Nesër mos e hap. Këto 2-3 ditë, mos i thuaj njeriut”, i shkruante ai Gjokës.
Më tej shpjegonte arsyen: “Nesër ka aksion nga Operacionalja në zonën time. Të lutem mos e diskuto me asnjë se më prish punë shumë”.
Në të njëjtën bisedë, paralajmërimi bëhej edhe më konkret: “Po mora vesh që do të vijnë aty te ty do të të them vetë. Mirë është mos të jetë hapur”. Më pas përcaktonte kohën: “Nesër në darkë mbylle, ose më saktë nesër në darkë do bëhen kontrollet”.
Komunikime të tjera përmbanin referenca ndaj bisedave që Bistri pretendonte se kishte zhvilluar me eprorët, përfshirë drejtuesin e atëhershëm të Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj, dhe drejtorin e përgjithshëm Ardi Veliu.
Në një prej mesazheve, duke folur për kundërshtimin ndaj vazhdimit të aktivitetit, Bistri shkruante: “I thashë e le punën e s’e heq se i kam dhënë llafin”. Mesazhi nënkuptonte angazhimin personal që Bistri kishte marrë për të mbrojtur kazinotë e Gjokës.
Një tjetër shkëmbim mesazhesh, i datës 25 nëntor 2019, tregonte shqetësimin për informacionin që kishte mbërritur te drejtuesit e policisë. Gjoka përdorte identifikuesin 7142D9, ndërsa përdoruesi DB7ED1 ishte identifikuar nga hetimi si Bistri. Ky i fundit tregonte se një person kishte raportuar për “25 kompjutera dhe një ruletë” dhe kishte ofruar filmimin kundrejt një milion lekëve.
“E gjen dot cili është?”, pyeste Bistri. Biseda vijonte me paralajmërimin: “Duhet kujdes pak se drejtori është trembur”.
Pasuria miliona euro e një polici

SPAK hapi edhe çështjen e pasurisë së Bistrit dhe familjarëve të tij. Përmasat e saj u dokumentuan në dy faza sekuestrimesh gjatë vitit 2024. Sipas SPAK-ut, vlera e tyre ishte disa herë më e lartë se të ardhurat e ligjshme të familjes.
Më 31 janar 2024, SPAK njoftoi se, që prej vitit 2015, Bistri dhe të afërmit kishin kryer transaksione të dyshimta shitblerjeje pasurish të paluajtshme me vlerë rreth një milion euro. Sekuestrimi përfshinte dy sipërfaqe apartamentesh nga 400 metra katrorë, me çmim kontraktor nga 200 mijë euro; dy dyqane, përkatësisht 125 dhe 95 metra katrorë, me çmime 300 mijë dhe 230 mijë euro; si dhe një apartament 110,6 metra katrorë, me çmim 50.300 euro.
Në maj 2024 u njoftua një masë shumë më e gjerë, në kuadër të procedimit pasuror nr. 6 të atij viti, të regjistruar sipas ligjit antimafia. Vendimi nr. 19, i datës 3 maj, përfshinte 22 njësi tregtare, 10 apartamente, një vilë, një truall, një garazh dhe një automjet. Vlera e përgjithshme e blerjes, sipas kontratave noteriale, ishte më shumë se 3 milion euro.
Lista përfshinte 18 dyqane dhe një apartament në rrugën “Todi Shkurti”, apartamente e njësi në “Square 21”, prona pranë Farmacisë 10, një apartament në kompleksin “Delijorgji”, banesa në Selitë dhe në rrugën “Ndreko Rino”. Mes tyre ishin vila A14 në rezidencën “Green Valley”, një truall prej 200 metrash katrorë në rrugën e Kosovarëve, një garazh 87,8 metra katrorë dhe një “Range Rover Sport”.
Historia e këtyre pasurive kaloi përmes disa vendimeve. Pas arrestimit të Bistrit, në gusht 2023, familjarët revokuan kontratat e sipërmarrjes për pesë prona të porositura te “Arlis-Ndërtim”. Kompania kërkoi heqjen e sekuestros mbi pronat, kundrejt depozitimit të shumës që u detyrohej porositësve.
Gjykatësja Irena Gjoka e miratoi kërkesën më 9 tetor 2024, me dakordësinë e prokurorit Arben Kraja. Rreth 1,03 milionë euro u bllokuan në vend të pronave fizike. Vendimi nuk ia kthente paratë familjes së Oltion Bistrit, por zëvendësonte objektin e sekuestros.
Gjykata arsyetonte se revokimet ishin kryer sipas ligjit dhe vullnetit të palëve. Në nëntor 2025, pafajësia për korrupsionin dhe pastrimin e parave u shoqërua me heqjen e sekuestros mbi një pjesë të pasurisë.
Vendimi i Apelit e ndryshon këtë rezultat, duke urdhëruar konfiskime krahas burgimit.
Oltion Bistri, dhe akuzat për lidhjet me Belinda Ballukun

Emri i Oltion Bistrit është përmendur edhe në akuza publike të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka pretenduar se ish-drejtuesi i policisë përdorej nga Belinda Balluku dhe kryeministri Edi Rama.
Në shkurt 2025, kur Bistri ndodhej ende në paraburgim, Berisha e lidhi atë me përgjime të paligjshme ndaj zyrtarëve. Duke folur për çështjen e Erion Veliajt dhe kallëzimin në emër të “Nesti Angonit”, ai pretendoi se Bistri kishte regjistruar komunikimet e kryebashkiakut, bashkëshortes dhe bashkëpunëtorëve të tij.
“Ai kishte vendosur një sistem të veçantë përgjimi dhe u zbulua. Dhe atë në mënyrë absolute kishte vetëm një njeri që i jepte listën dhe kjo ishte Lubi Balluku”, deklaroi Berisha, duke iu referuar Belinda Ballukut me emërtimin që përdor në sulmet e tij politike.
Në tetor 2026, pasi Bistri kishte dalë nga burgu, Berisha e përmendi sërish krahas Ballukut dhe Ramës. Këtë herë, pretendimi lidhej me përdorimin e grupeve kriminale kundër protestuesve dhe me një rol që, sipas tij, Bistri kishte marrë pas Ergys Agasit.
“Ndryhet tek Vila e Kuqe me Lubi Ballukun, Ervin Demon, Oltion Bistrin dhe ka ngarkuar Oltion Bistrin si shef të bandave, ka zëvendësuar Ergys Agasin”, deklaroi Berisha për ish-shefin e operacionales që tashmë duhet të rikthehet në burg për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit./Lapsi.al


