
Studentët dhe katër organizata të shoqërisë civile kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese paketën ndëshkuese të qeverisë për protestat, duke kërkuar pezullimin e masave që, sipas tyre, kërcënojnë pjesëmarrësit paqësorë me gjoba të rënda, kufizime të lëvizjes dhe kontroll policor.
Grupimet “Studentët n’ Protestë” dhe “Revolucioni Studentor”, bashkë me Qendrën Res Publica, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, Shoqatën Ornitologjike të Shqipërisë dhe EcoAlbania, kanë depozituar tre ankime kundër akteve normative nr. 5 dhe 6 dhe VKM-së nr. 815/2026, të miratuara më 28 tetor. Ata kërkojnë shqyrtim me përparësi, përpara se frika nga ndëshkimi të frenojë pjesëmarrjen në protesta.
“Këto akte synojnë të ngushtojnë hapësirën e fundit demokratike që na ka mbetur: të drejtën për të protestuar, për të kundërshtuar padrejtësinë dhe për të ngritur zërin”, deklarojnë studentët.
Paketa erdhi pas përshkallëzimit të protestave të tetorit, të shoqëruara me përplasje, dëmtime pronash dhe ndërhyrje të dhunshme policore. Krahas hedhjes së gurëve dhe molotovëve nga protestuesit, u panë dhjetëra raste dhune nga policia për përdorimin joproporcional të forcës dhe shkeljen e të drejtave të të shoqëruarve.
Madje në 24 tetor, i riu Erjon Vishkulli përfundoi në spital me plagë të rëndë në sy, pasi u godit nga një plumb gome i qëlluar nga policia. Pamja e tij e gjakosur ishte vetëm një nga rastet e shumta kur të tjerë protestues dëshmuan për plagët që kishin marrë në protestë nga plumbat e gomës.
Por ndërkohë që kërkohej hetimi i dhunës policore, Rama mbrojti policinë dhe qeveria vendosi shpërblim prej 2.500 eurosh për efektivët e angazhuar. Kryeministri paralajmëroi gjithashtu heqjen e bursave dhe mbështetjes financiare për studentët që, sipas tij, kishin ushtruar dhunë.
Në prezantimin e paketës më 25 tetor, Rama deklaroi se “protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari”. Por ai propozoi ndëshkime edhe për persona që nuk kryejnë vetë dhunë, nëse qëndrojnë në tubim pas paralajmërimeve të policisë.
“Kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës”, tha ai.
Gjoba që paralajmëron qeveria arrin deri në 500 mijë lekë. Sipas studentëve, ky ndëshkim, bashkë me perimetrat ndalues, “zonat e mbrojtura” dhe ndërhyrjet në rrjetet sociale, e bën protestën praktikisht të pamundur. Ata kundërshtojnë edhe ndryshimin e përhershëm të ligjit “Për tubimet” me akt normativ, pa provuar urgjencën, ndërkohë që Kuvendi funksiononte.
Ankimimi i dytë prek përgjegjësinë financiare. Organizatat mbështesin kompensimin e bizneseve, por kundërshtojnë përgjegjësinë solidare të organizatorëve për dëmet e të tjerëve dhe masat prapavepruese për ngjarjet e 13–22 tetorit.
“Askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre”, kishte deklaruar Rama. Kërkuesit argumentojnë se akti i miratuar krijon rrezikun e ndëshkimit pa faj individual të provuar.
Ankimimi i tretë kundërshton regjistrin policor për personat e referuar ose nën hetim dhe pasojat mbi udhëtimin jashtë vendit.
“Kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të rihyrë apo për të qëndruar i qetë në Europë”, paralajmëroi Rama.
Për kërkuesit, një referim policor nuk mund të zëvendësojë vendimin e gjykatës.
“Prezumimi i pafajësisë nuk e mbron vetëm të pandehurin në sallën e gjyqit”, theksojnë ata, duke kërkuar ndalimin e masave që e trajtojnë qytetarin si fajtor përpara se drejtësia të jetë shprehur.
Masat ndëshkuese që vendosi qeveria për protestën
-Gjoba deri në 500 mijë lekë për qëndrimin në tubime ku ushtrohet dhunë, pas paralajmërimeve policore.
-Gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë për pjesëmarrje në tubime të cilësuara pa leje dhe mosbindje ndaj thirrjeve për largim.
-Gjobë 5 mijë lekë për pjesëmarrës për bllokimin e qarkullimit.
-Kufizim tubimesh deri në 72 orë pranë institucioneve të caktuara, kur vlerësohet rrezik real dhe i afërt dhune.
-Kërkesa policore për fshirjen e thirrjeve për dhunë në internet, me veprime të mëtejshme ligjore në rast mosbindjeje.
-Regjistër elektronik policor, me pasoja të parashikuara për udhëtimin jashtë vendit dhe njoftimin e autoriteteve të huaja.
-Përgjegjësi financiare për dëmet, me detyrime për prindërit ose kujdestarët në rastet e parashikuara për të miturit.
-Deri në dy vjet burg për armë ose sende të rrezikshme gjatë tubimeve.
-Gjobë ose deri në gjashtë muaj burg për fshehjen e fytyrës në tubime me dhunë apo rrezik konkret dhune, me përjashtimet përkatëse.
-Pezullim ose largim nga detyra për mësuesit që përdorin autoritetin profesional për përfshirjen e të miturve në tubime në kundërshtim me interesin e tyre.

