
Ultimatum me nota mafioze për Erion Veliajn në qelitë e paraburgimit në Fier drejtpërdrejt nga kryeministri Edi Rama, përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Bisedat që ka publikuar News24 janë konfirmuar nga avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, sipas të cilit kryebashkiaku i Tiranës është shantazhuar të dorëzojë menjëherë mandatin, të delegojë kompetencat te njerëzit që do të caktojë Rama dhe të heqë dorë nga avokati i tij. Në të kundërt, ai është kërcënuar me transferim në një tjetër burg dhe me hetime të reja nga SPAK.
Denoncimi u raportua fillimisht nga Hashtag.al, sipas të cilit, mbrëmjen e së premtes, më 30 tetor, ministri i Drejtësisë Toni Gogu ka mbërritur me urgjencë në burgun e Fierit, ku ndodhet i paraburgosur Erion Veliaj. Ai ka hyrë në burg pa u regjistruar për të përcjellë një mesazh në emër të Edi Ramës:
“Jam me porosi të KM këtu. Dua të të përcjellë tekstualisht atë që KM më ka porositur:
‘Është hera e fundit që po të drejtohem si babai yt politik, nga sot e tutje do të drejtohem veç si kryeministër.
-Dorëzo mandatin urgjentisht.
-Delego pushtetin te emrat që do të them unë.
-Hiq dorë nga avokati Plarent Ndreca.
-Në të kundërt, do të transferoj te burgu 302 dhe do orientoj SPAK-un të nis hetime për minim të rendit kushtetues dhe do të të kalb në burg.”
Veliaj sipas avokatit Plarent Ndreca nuk e ka pranuar ultimatumin. Përgjigjja e tij ndaj ministrit të Drejtësisë ka qenë e menjëhershme. Ai i ka thënë se “dhe sikur 100 vite burg të bëj, nuk ja marr fytyrën fëmijëve të mi”.
Takimi ka zgjatur vetëm pak minuta, ndërsa për dy ditë me radhë Veliaj nuk ka pasur mundësi të njoftojë për atë që kishte ndodhur. Ngjarja është bërë e ditur këtë të hënë, pasi avokati i tij, Plarent Ndreca, e ka takuar në burgun e Fierit.