
Protesta e së shtunës në Tiranë ka marrë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare. Agjencia franceze e lajmeve AFP i ka kushtuar një raport zhvillimeve të 31 tetorit, duke u ndalur te përplasjet me policinë dhe kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Sipas AFP-së, tubimi nisi në mënyrë paqësore përpara Ministrisë së Arsimit, pavarësisht reshjeve të shiut, por më pas situata u tensionua. Agjencia raporton se disa protestues të maskuar hodhën gurë dhe bomba molotov drejt forcave të rendit, ndërsa u dogjën edhe kosha mbeturinash. Policia ndërhyri me autobotë uji për të shpërndarë turmën.
AFP e paraqet protestën e 31 tetorit si pjesë të një vale më të gjerë tubimesh që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë muajve të fundit. Sipas raportimit, protestat nisën fillimisht në mënyrë paqësore në muajin maj, të nxitura nga kundërshtimi ndaj një projekti për ndërtimin e një hoteli luksoz në një zonë të mbrojtur, por më pas u zgjeruan edhe me kërkesa të tjera ndaj qeverisë.
Agjencia vëren se lëvizja nuk ka një drejtues apo strukturë të vetme organizative dhe se, krahas akuzave për korrupsion, protestuesit kanë ngritur shqetësime edhe për sistemin shëndetësor dhe mungesën e perspektivës për të rinjtë.
Në artikull përmendet gjithashtu se, sipas një zyrtari, 269 persona nën moshën 18 vjeç janë arrestuar gjatë protestave. AFP i referohet edhe masave të miratuara nga qeveria gjatë javës, të cilat parashikojnë gjoba deri në 5,500 euro për pjesëmarrësit që përfshihen në akte dhune gjatë tubimeve.