
Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e sotme në Malësinë e Madhe. Një gjerman është vënë në pranga pasi i kishte hedhur benzinë makinës të një 27-vjeçari. Dy efektivë të policisë janë plagosur me thikë gjatë ndërhyrjes për neutralizimin e tij. Ngjarja nisi rreth orës 17:30. Një 27-vjeçar njoftoi policinë se, gjatë udhëtimit nga Hani i Hotit drejt Shkodrës, drejtuesi i një automjeti tjetër dyshohet se i kishte hedhur benzinë mbi makinën e tij, pranë një pike karburanti.
Policia lokalizoi automjetin në fshatin Pjetroshan. Drejtuesi, 47-vjeçari gjerman J. K., refuzoi të identifikohej dhe, sipas njoftimit zyrtar, gjatë ndërhyrjes goditi me thikë dy punonjës të Patrullës së Përgjithshme. Dy efektivët u transportuan në spital për ndihmë mjekësore. 47-vjeçari u neutralizua dhe u shoqërua në Komisariatin e Malësisë së Madhe, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar të gjithë dinamikën e ngjarjes.