
Gjithçka e lehtë për Real Madrid, që në javën e njëmbëdhjetë të La Liga triumfon me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Racing Santander, i likuiduar që në 45 minutat e para. Mbappé zhbllokoi ndeshjen nga pika e bardhë e penalltisë (një penallti e ekzagjeruar, pasi kontakti mes francezit dhe kundërshtarit ishte fare i lehtë), duke shënuar golin e tij të dymbëdhjetë në kampionat. Më pas, Bellingham dhe Diomande mbyllin llogaritë brenda pak më shumë se 20 minutash. Kështu, skuadra e Jose Mourinho u përgjigjet fitoreve të Atletico Madrid dhe Barcelonës ndaj Levantes dhe Alaves, duke mbetur e palëkundur në vendin e tretë.
Real Madrid nuk e gjen veten të papërgatitur dhe e bën menjëherë të lehtë ndeshjen në fushën e Racing Santander. Pas 10 minutash, Mbappé fiton një penallti, të kontestuar ashpër nga vendasit dhe pak më vonë e shndërroi atë në gol, duke shkuar në kuotën e 15 golave sezonalë, mes kampionatit (12) dhe Champions League (3). Të frymëzuar nga avantazhi, “Los Blancos” vazhduan të sulmonin dhe, dhjetë minuta më vonë, një pasim i saktë i Arda Guler për Bellingham çau mbrojtjen bardhejeshile. Mesfushori ofensiv anglez kaloi portierin Agirrezabala dhe shënoi golin e dytë. Blancos nuk u ndalën dhe, pas një topi të kthyer nga një goditje këndi në minutën e 36', realizouan edhe golin e tretë me një goditje të shkëlqyer fluturimthi nga distanca të Diomande. Ivoriani shënoi kështu golin e tij të tretë në katër ndeshjet e fundit.
Në pjesën e dytë, “Los Blancos” administruan ritmin e lojës, pavarësisht përpjekjeve të vendasve, të cilëve u anulohet edhe një penallti e akorduar fillimisht për një prekje të pretenduar me dorë nga Tchouameni. Në fund, Bellingham gjen edhe golin e rezultatit 4-0, por realizimi anulohet për pozicion jashtë loje, por që nuk cënoi fitoren e gjashtë radhazi të Real Madrid mes kampionatit dhe Champions League.