
Kylie Jenner po përballet me një tjetër padi nga një ish-punonjëse, duke e çuar në katër numrin e proceseve gjyqësore të ngritura nga persona që kanë punuar në shtëpitë e saj gjatë shtatë muajve të fundit.
Padia më e fundit është ngritur nga ish-pastruesja Dinora Carolina Cabria Amaya, e cila akuzon yllin e familjes Kardashian-Jenner, kompanitë e saj dhe disa anëtarë të stafit për diskriminim, hakmarrje në vendin e punës, pushim të padrejtë nga puna dhe shkelje të të drejtave të punonjësve.
Sipas dokumenteve gjyqësore, padia është depozituar më 5 nëntor në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit.
Ish-punonjësja pretendon se gjatë kohës që punonte në pronat e Jenner, është përballur me disa situata shqetësuese.
Ndër akuzat më të rënda është ajo se një herë ka mbetur e bllokuar për më shumë se një orë brenda garderobës së Kylie-t, pasi kishte hyrë përmes një kodi sigurie.
Ajo pretendon se gjatë kësaj kohe ka përjetuar një krizë paniku dhe ka telefonuar përgjegjësen e saj për ndihmë. Megjithatë, sipas padisë, kjo e fundit e ka tallur dhe nuk i ka dhënë kodin për të dalë, duke i thënë se duhej të priste derisa dikush të mbërrinte në shtëpi.
Por kjo nuk është e vetmja situatë e pretenduar nga ish-pastruesja.
Ajo thotë se në shtator të vitit 2025, ndërsa po pastronte një sirtar në dhomën e lavanderisë, një bombulë me sprej piperi është aktivizuar aksidentalisht, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë dhe sy. Sipas saj, pas incidentit ka përjetuar turbullim të shikimit, djegie dhe irritim.
Një muaj më vonë, më 28 tetor 2025, ajo pretendon se është kafshuar nga qeni i Kylie Jenner, ndërsa po pastronte hapësirën ku mbahej kafsha.
Ish-punonjësja pretendon se nuk mori ndihmën e nevojshme pas incidentit dhe u detyrua të blinte vetë medikamente pa recetë.
Në padi ajo pretendon gjithashtu se detyrohej të kryente punë fizike të rënda, pavarësisht dëmtimeve, se nuk paguhej për orët shtesë dhe udhëtimet mes pronave të Jenner dhe se shpesh i kërkohej të largohej nga dhomat ose të qëndronte jashtë shikimit, pasi Kylie nuk dëshironte ta shihte.
Amaya pretendon se u pushua nga puna në shkurt të vitit 2026, pak pasi kishte ngritur shqetësime për rimbursimin e shpenzimeve të transportit.
Avokati i Kylie Jenner, Michael Rhodes, i ka hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se paditë janë ngritur nga e njëjta avokate me synimin për të përfituar financiarisht përmes publicitetit.
Ai ka deklaruar se ekipi ligjor nuk do të frikësohet nga këto pretendime dhe do t’i kundërshtojë fuqimisht në gjykatë.
Ndërkohë, kjo është padia e katërt e ngritur nga ish-punonjëset e Kylie Jenner që prej prillit të këtij viti.
Dy ish-pastruese të tjera e kanë akuzuar më herët për diskriminim dhe ngacmim në vendin e punës, ndërsa një ish-kuzhiniere private ka ngritur pretendime për diskriminim gjatë shtatzënisë dhe pushim të padrejtë nga puna.
Kjo e fundit pretendon se humbi fëmijën pas një periudhe pune fizike të rënduar, pavarësisht shtatzënisë me rrezik të lartë.