
Studentët dhe qytetarët u rikthyen të mërkurën në rrugët e Tiranës, në ditën e 165-të të protestave kundër qeverisë. Tubimi nisi me bojkotimin e mësimit në disa fakultete dhe përfundoi përpara Kryeministrisë, pa incidente apo përplasje me policinë. Studentë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe të Universitetit Politeknik lanë auditorët dhe marshuan drejt Ministrisë së Arsimit, nën thirrjet “Dorëheqje”. Protestës iu bashkuan edhe pedagogë dhe qytetarë.
Pas disa orësh qëndrimi përpara Ministrisë së Arsimit, protestuesit nisën marshimin drejt Kryeministrisë, ku vijuan tubimin. Kërkesa kryesore mbeti largimi i kryeministrit Edi Rama, ndërsa gjatë protestës u kërkua edhe krijimi i një qeverie teknike që të çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja.
Ndryshe nga disa prej protestave të mëparshme, tubimi i së mërkurës u zhvillua pa incidente. Megjithatë, policia gjobiti të rinjtë pjesëmarrës në protestë, duke vijuar masat administrative të aplikuara ndaj protestuesve gjatë ditëve të fundit. Studentët vijojnë të mos i përgjigjen thirrjeve të kryeministrit për dialog, duke këmbëngulur te kërkesa për dorëheqjen e tij.