Degradimi i një pushteti është në proporcion të drejtë më gënjeshtrat që prodhon. Sa më i madh degradimi aq më e madhe gënjeshtra. Këtë e vërtetoi edhe deklarata e fundit e kryeministrit Rama se protestat i organizon dhe financon krimi i organizuar dhe Antifa. Ndër broçkullat propogandistike të kryeministrit këto të dyja janë pa dyshim po aq spektakolare sa degradimi politik dhe moral i pushtetit të tij.
Le të fillojmë me Antifa-n që në fakt nuk ekziston as si organizatë dhe as si institucion. Është thjesht një emërtim, siç është Revolucioni i Flamingove, i një lëvizje politike të decentralizuar të majtë, radikale, anti-fashiste. Antifa nuk ekziston si organizatë, ndaj nuk mund të shpallet si organizatë terroriste.
Në këtë aspekt është shumë e ndryshme nga organizata terroriste iraniane Mujahedeen–e-Khalq (MEK) që njihet edhe me emrin Muxhahedinët e Iranit që qeveria e Ramës e strehon midis Durrësit dhe Tiranës. MEK ka një lidership, buxhet, antarësi dhe strukturë të qartë hierarkike. Ashtu sikurse dhe një histori të gjatë aktesh terroristesh, vrasjesh dhe dhune nëpër botë. (shiko ketu)
Antifa, nga ana tjetër, nuk ka një udhëheqje qendrore, nuk ka antarësi formale, nuk ka buxhet, nuk ka një strukturë organizative apo degë që mund të kordinohen në mënyrë të strukturar mes tyre. Kushdo mund të dalë dhe të thotë “unë jam Antifa”, dhe nuk ka mënyrë ta vërtetosh.
E thënë ndryshe Antifa nuk është e aftë të organizojë vetveten dhe jo më protestën apo revoltën rinore në Shqipëri. Aq më tepër kur shumica dërrmuese e popullatës dhe rinisë shqiptare as nuk e ka idenë se çfarë është Antifa apo ideologjia e saj. Ndaj të pretendosh se revolta rinore po organizohet, frymëzohet apo financohet nga Antifa është absurditet.
Atëherë përse kryeministri Rama insiston te një absurditet si Antifa? Për të njëjtën arësye se përse insiston tek dhurimi i i Sazanit dhe Zvërnecit. Për ti bërë qejfin familjes Trump. Donald Trump e urren Antifën dhe e ka kthyer atë në simbol të radikalizmit të majtë që sipas tij po i vë flakën SHBA-ve.
Pra kryeministri Rama ka vedosur sot të dhunojë të vërtetën për të përfituar mbështetje politike nga administrata Trump. Është e njëjta llogjikë që e shtyu dje të dhunojë integritetin tonë territorial duke i dhuruar Sazanin dhe Zvërnecin familjes Trump, në shkëmbim të mbështetjes politike.
Është ky komunkim, jo me qytetarët por me Trump-in, që e ka shkëputur kryeministrin nga realiteti shqiptar. Ndaj ai tashmë pretendon se pas protestave është krimi i organizuar. Edhe pse qytetarët, madje edhe militantët më socialistë, e kanë të qartë që krimi i organizuar në Shqipëri historikisht shkrihet me pushtetin dhe jo me protestën qytetare.
Krimi i organizuar është tejet i lumtur me modelin zhvillimor të kullave dhe rezorteve elitare të Ramës, sepse aty pastron paranë. Ndaj protesta qytetare kundër këtij modeli përbën një kërcënim real për të fortët, trafikantët e drogës, dhe krimin e organizuar që pastron para dhe legalizon tokat e grabitura tek projektet e rezorteve elitare të Ramës.
Përndryshe do na duhej të besonim se pas revoltës së rinisë dhe protestave sociale qëndron Artur Shehu që po legalizon pronat me projektin e Zvërnecit, Tan Lepri, Ergys Agasi apo krimi i organizuar i Elbasanit që deri tani ka prodhuar deputet për Ramën.
Në fakt nuk ka asgjë për tu çuditur në fabulën gjithnjë e më absude të kryeministrit. Sa më i madh degradimi politik aq më shumë ai projektohet tek kundërshtari. Askush nuk e ka kritikuar mungesën e demokracisë dhe lirisë në perëndim më shumë se Enver Hoxha. Askush nuk e ka denoncuar autoritarizmin e PS-së më shumë se Sali Berisha.
Sot i ka ardhur rradha Edi Ramës të denoncojë revoltën qytetare për lidhje me krimin e organizuar, terrorizmin dhe narkotrafikun. Mos u çudisni kur së shpejti të fillojnë denoncimin e protestës qytetare si institucion ku bëhet pastrim parash dhe prodhohet kulti i individ.
Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu



