
Java e tetë e Abissnet Superiore nis sot në mesditë dhe mbyllet të dielën, me sfida që mund të ndikojnë në ekuilibrat e kampionatit. Një fundjavë, në fakt, që kulmon me një prej përballjeve më të mëdha të futbollit shqiptar. Vllaznia dhe Tirana përballë njëra-tjetrës në “Loro Boriçi”, në një klasike që tejkalon tri pikët.
Sytë nga Shkodra, aty ku historia, rivaliteti dhe ambicia bëhen bashkë! Java e tetë e Abissnet Superiore rezervon një klasike që gjithmonë zgjon emocione të veçanta: Vllaznia kundër Tiranës, të shtunën në orën 18:30, në stadiumin “Loro Boriçi”. Përballje me peshë të veçantë për dy skuadra që nuk kanë nevojë për motivim shtesë kur përballë kanë njëra-tjetrën. Në Shkodër, çdo kontrast ka rëndësinë e vet, çdo gabim mund të kushtojë dhe fitorja merr vlerë të dyfishtë përballë një rivali historik. Vllaznia kërkon të shfrytëzojë faktorin fushë, ndërsa Tirana udhëton me synimin për të dalë me një rezultat pozitiv nga një prej transfertave më të vështira të kampionatit.

Por emocionet, në fakt, nisin më herët. Të shtunën, në orën 13:30, Partizani ngre siparin në përballjen me Skënderbeun në Vorë, ndërsa në të njëjtën orë Laçi pret Vorën në stadiumin e tij. Dy takime që hapin programin e javës dhe ku pikët janë thelbësore për objektivat e skuadrave. Në orën 18:30, paralelisht me klasikën në Shkodër, Teuta kryesuese dhe ende e pamundur pret AF Elbasanin në “Niko Dovana”. Një tjetër përballje që premton rivalitet dhe ku asnjëra palë nuk mund të përballojë lehtësisht hapin fals, aq më tepër te verdheblutë që sapo kanë ndryshuar drejtimin teknik me shkarkimin e Gvozdenovic.
Java mbyllet të dielën, në orën 18:30, me përplasjen Dinamo-Egnatia në “Arena Egnatia”. Një sfidë që mund të ketë ndikim në garën mes skuadrave që synojnë të qëndrojnë në pjesën e sipërme të renditjes.
Superiore - Java VIII
E Shtunë
13:30 Partizani-Skenderbeu (Stadiumi i Vorës)
13:30 KF Laçi-FK Vora (Stadiumi Laçi)
18:30 Vllaznia-Tirana (LoroBorici)
18:30 Teuta-AF Elbasani (Niko Dovana)
E Dielë
18:30 Dinamo-Egnatia (Arena Egnatia)
