
Protestuesit e mbledhur këtë të shtunë para Ministrisë së Arsimit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës, duke vijuar tubimin kundër qeverisë me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Pas bllokimit të qarkullimit në Rrugën e Durrësit, qytetarët u larguan nga godina e ministrisë dhe vijuan marshimin përgjatë rrugës “Mine Peza”. Fillimisht u raportua se do të drejtoheshin drejt Kryeministrisë, por më pas ndryshuan itinerarin.
“Shqipërinë nuk e falim!” dhe “Më datë 28, Rama e di vetë!” ishin disa prej thirrjeve që shoqëruan marshimin.
Deri në këto momente, marshimi është zhvilluar pa incidente apo përplasje, ndërsa forcat e Policisë kanë vijuar të monitorojnë situatën. Studentët, qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë përsëritur kërkesën për largimin e Ramës nga detyra, duke e cilësuar dorëheqjen e tij si të panegociueshme.