
Protesta e qytetarëve para Kryeministrisë në Tiranë është shoqëruar sërish me tensione dhe përplasje me Policinë gjatë ditës së djeshme. Efektivët përdorën spraj lotsjellës për të shpërndarë protestuesit, të cilët tentuan të çanin kordonin policor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Si pasojë e ndërhyrjes, disa qytetarë shfaqën shqetësime shëndetësore dhe morën ndihmën e parë në vendngjarje, ku iu përdor edhe solucion fiziologjik për të lehtësuar efektet e sprajit. Protestuesit kundërshtuan veprimet e Policisë dhe kërkuan të vijonin tubimin përpara godinës së Kryeministrisë. Tensionet u zhvendosën më pas pranë Komisariatit nr. 1 në Tiranë, ku një grup qytetarësh u mblodh për të kërkuar lirimin e personave të shoqëruar gjatë protestës. Edhe aty pati ndërhyrje të Policisë dhe shoqërime të tjera. Sipas raportimeve nga vendngjarja, disa protestues u shoqëruan me forcë, megjithëse tubimi pranë komisariatit përshkruhej si paqësor.