
Deputetja Elisa Spiropali ka folur edhe për situatën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, duke kërkuar verifikimin e pretendimeve të tij se është kërcënuar. Gjatë intervistës në “Top Story”, Spiropali u shpreh se është e nevojshme të ketë një analizë brenda Partisë Socialiste për rastin e Veliajt, veçanërisht për kohëzgjatjen e paraburgimit dhe pretendimet që ai ka ngritur.
Ajo theksoi se nuk merr përsipër të gjykojë vërtetësinë e këtyre pretendimeve, por nënvizoi se ato duhet të verifikohen nga institucionet përgjegjëse.
"Është e pamundur që një njeri që është sot në paraburgim për gati dy vite në një paraburgim kaq të gjatë, nuk ka një analizë se si ka mundësi që ky paraburgim zgjat përtej çdo lloj shteti dhe këtu e kam edhe me çështjen e tij, por mbi të gjitha se si ka mundësi që në forcën tonë politike sot të mos diskutohet me solidaritet për një rast të tillë sa i takon pretendimeve që ai mund të ketë për negociata.
Pra duhen verifikuar të gjitha pretendimet ashtu si dhe dy kryetarë komisionesh të forcës tonë politike kërkuan në këtë rast verifikim nga ministri i Brendshëm. Është e paimagjinueshme që ne të mos të ketë analizë. Ai ka pretendime si një njeri i paraburgosur, i cili pretendon se instruksionet e shtetit në këtë rast janë përdorur edhe për ta kërcënuar. Unë nuk marr përsipër të them si e qysh e tek, po marr përsipër të them që verifikime të tilla duhen parë sepse qoftë edhe për kërcënime," tha Spiropali.