
Aktori i njohur Robert De Niro ka treguar se si e përjetoi në të vërtetë momentin kur Jennifer Lawrence i kërkoi të largohej nga darka e organizuar një natë para dasmës së saj.
Ndryshe nga ajo që aktorja kishte menduar, De Niro këmbëngul se po kalonte mirë dhe nuk ndihej aspak në siklet.
83-vjeçari foli për këtë histori gjatë një testi me detektor të së vërtetës për revistën Vanity Fair, ku ishte i shoqëruar nga kolegët e tij në filmin “Focker-in-Law”, Ben Stiller dhe Ariana Grande.
Ishte pikërisht Grande ajo që e pyeti nëse ishte e vërtetë që një aktore e famshme i kishte kërkuar të largohej nga darka para dasmës, pasi kishte menduar se ai nuk po argëtohej.
De Niro konfirmoi se bëhej fjalë për Jennifer Lawrence, por mohoi se kishte qenë i pakënaqur.
“Jo, në fakt po kaloja mirë. Ishte një përvojë interesante, por nuk njihja askënd aty. Jo se duhej të njihja patjetër dikë. Ishte festa e tyre dhe ishte një vend shumë i bukur”, u shpreh aktori.
Ai shtoi se e kishte vlerësuar kujdesin e Lawrence, e cila kishte menduar se ai nuk po ndihej rehat.
“Është bukur që Jennifer tregoi kaq shumë ndjeshmëri ndaj situatës sime, duke menduar se nuk po kaloja mirë, por unë isha në rregull”, tha ai.
Edhe detektori i së vërtetës konfirmoi se aktori po thoshte të vërtetën.
Jennifer Lawrence u martua me Cooke Maroney në tetor të vitit 2019, në një ceremoni të organizuar në rezidencën historike Belcourt of Newport, në Rhode Island.
Në janar të vitit 2024, aktorja kishte treguar se gjatë darkës para dasmës ishte shqetësuar për De Niron, pasi e kishte parë duke qëndruar vetëm dhe duke u endur mes të ftuarve që nuk i njihte.
“Pashë Bobin, i cili nuk njihte askënd dhe po sillej vërdallë. Menjëherë mendova se kjo nuk ishte ajo që ai dëshironte dhe se nuk doja ta mbaja aty. Kështu që shkova pranë tij dhe i pëshpërita: ‘Shko në shtëpi’”, kishte rrëfyer ajo.
Lawrence kishte shtuar se largimi i aktorit e kishte bërë të ndihej më mirë, pasi organizimi i dasmës kishte qenë stresues për të.
Megjithatë, De Niro e kishte mohuar edhe më parë se ishte ndier në siklet. Në një intervistë për revistën People në vitin 2024, ai kishte thënë se gjithçka kishte qenë në rregull dhe se kishte qëndruar në festë vetëm rreth një orë.
De Niro dhe Lawrence kanë luajtur së bashku në disa filma, mes tyre “Silver Linings Playbook” (2012), “American Hustle” (2013) dhe “Joy” (2015). Me kalimin e viteve, dy aktorët kanë krijuar një marrëdhënie të afërt dhe miqësore.