
Erion Veliaj është dorëzuar tek ideja që pushtetin real tani e ka Belinda Balluku dhe jo Edi Rama. Në një letër plot cinizën dhe ironi ai i kërkon Belinda Ballukut leje për operacionin në këmbën e tij, meqënëse kërkesat e deritanishme te Rama, Gogu dhe drejtoresha e burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
"Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike" shkruan Veliaj nga qelia e burgut të Fierit, që është edhe zona elektorale e Belinda Ballukut.
Letra e plotë e Veliajt:

Znj. Balluku - Dr. e Qarkut Fier,
Siç dihet publikisht, por edhe nga vartësit tuaj në IEVP Fier, po e kaloj izolimin ku më sollët para 1 muaji, me një këmbë të thyer dhe nevojë akute për operacion - kjo të paktën nuk është “sekret”.
Kërkesat e njëpasnjëshme në qeveri tek KM Rama, Min. Gogu dhe drejtoresha e Burgjeve kanë rënë në vesh të shurdhër.
Është evidente ajo që thonë të gjithë këtu, se “Kryeministri është kot, nuk merr dot më asnjë vendim” dhe se “hallin tënd e zgjidh veç Bela”. Ndaj, po dorëzohem edhe unë si gjithë shqiptarët e socialistët e po vij tek ju në ditën e Pranisë Besnike.
Ju kërkoj të aprovoni operacionin tim në Tiranë, pranë mjekut tim dhe familjes sime.
Socialisti “me duar të lidhura”.
Erion Veliaj