
Një 25-vjeçar është arrestuar në Tiranë, pasi dyshohet se tentoi t’i merrte 1 milion euro një 54-vjeçari, duke u prezantuar në platformat e komunikimit online si funksionar publik.
Policia bën me dije se arrestimi i të riut, me inicialet Albi Muça, u realizua në flagrancë, në momentin kur po merrte shumën e parave nga 54-vjeçari.
Ngjarja u zbulua pas denoncimit të këtij të fundit, i cili kishte dyshime se po mashtrohej përmes përdorimit të identitetit të një zyrtari publik në platformat online.
Në kuadër të hetimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, organizuan operacionin e koduar “Request”, i cili çoi në arrestimin e 25-vjeçarit.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë rast, si dhe në raste të tjera të ngjashme me të njëjtën skemë mashtrimi.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mashtrimi”, me pasoja të rënda, kryer në bashkëpunim.