
Një avion i vogël është rrëzuar në një autostradë të ngarkuar në Meksikë, pak çaste pas ngritjes nga aeroporti, duke shpërthyer në flakë pas përplasjes. Pavarësisht aksidentit të rëndë, të gjashtë personat që ndodheshin në bord kanë shpëtuar me lëndime të lehta. Ngjarja ndodhi pranë aeroportit Del Norte, në zonën e Apodaca, në shtetin Nuevo León.
Sipas informacioneve paraprake, avioni i tipit Piper Malibu 46 pësoi humbje të fuqisë gjatë ngritjes dhe nuk arriti të fitonte lartësinë e nevojshme. Ai kaloi gardhin rrethues të aeroportit dhe përfundoi në autostradën Monterrey–Nuevo Laredo, ku pas përplasjes u përfshi nga flakët.
Në bord ndodheshin dy pilotë dhe katër pasagjerë. Ekipet e emergjencës mbërritën menjëherë në vendngjarje dhe u dhanë ndihmën e parë të gjithë personave. Autoritetet konfirmuan se nuk pati viktima apo të lënduar rëndë.