
Kabineti qeveritar gjerman ka miratuar një sërë amendamentesh në ligjin e punës, pas një marrëveshjeje në parim të arritur nga komisioni i koalicionit në fillim të korrikut. Qeveria federale synon ta bëjë më të thjeshtë kufizimin kohor të kontratave të punësimit dhe të kufizojë mbrojtjen nga pushimi nga puna për punonjësit që fitojnë shuma të larta. Punonjësit në furra buke dhe ëmbëltore do të lejohen të punojnë më gjatë të dielave, ndërsa bashkëvendosja (përfaqësim i punonjësve në menaxhim) do të forcohet në disa kompani të mëdha.
Qëllimi është "të ruhen vendet e punës në Gjermani, të lehtësohen punësimet e reja dhe të krijohen bazat për një punësim të orientuar drejt së ardhmes", deklaroi Ministri i Punës, Alexander Schweitzer (SPD). Qeveria synon të ndihmojë kompanitë në përballimin e "sfidave aktuale ekonomike".
Projektligji tani do të diskutohet në Bundestag. Ai pritet të hyjë në fuqi në fillim të vitit 2027. Nuk kërkohet miratimi nga Dhoma e Landeve, Bundesrati.
"Kapërcimi i periudhave sfiduese ekonomike"
Më konkretisht, do të zgjerohet mundësia për të lidhur kontrata pune me afat të përcaktuar kohor, pa pasur nevojë për një justifikim objektiv për kufizimin. Kjo masë do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor 2030, me qëllim "kapërcimin e periudhave sfiduese ekonomike", sipas ministrisë së drejtuar nga ministri Schweitzer.
Punonjësit e punësuar deri atëherë, sipas kësaj dispozite mund të marrin kontrata me afat të përcaktuar– pa ndonjë arsye objektive – për një periudhë maksimale prej katër vitesh; më parë, ky afat ishte i kufizuar në maksimum dy vite. Brenda kësaj periudhe totale, do të lejohen deri në gjashtë zgjatje të kontratës – dyfishi i kufirit aktual.
Gjithashtu, do të jetë e mundur të lidhet sërish një kontratë me afat të përcaktuar kohor me të njëjtin punëdhënës. Kërkesat formale për kontratat e punës do të thjeshtohen. Këto ndryshime do të prekin kryesisht ata që hyjnë në tregun e punës, për të cilët kontratat me afat të kufizuar kohor përdoren shpesh.
Mbrojtje e reduktuar nga pushimi nga puna për personat me të ardhura të larta
Mbrojtja nga pushimi nga puna do të kufizohet gjithashtu për punonjësit me të ardhura vjetore prej afërsisht 180.000 eurosh. Në të ardhmen, për këta punonjës - ashtu si për drejtuesit - do të mjaftojë një kompensim për ndërprerjen e punës, pa justifikim. Nëse një punonjës e çon në gjyq pushimin nga puna, gjykata e punës mund të përcaktojë shumën e kompensimit për ndërprerjen e punës. Rregulloret e reja do të hyjnë në fuqi 12 muaj pasi vetë ligji të hyjë në fuqi.
Bibliotekat do të lejohen të punësojnë ekip të dielave dhe festave zyrtare deri në gjashtë orë. Sipas projektligjit, furrat e bukës dhe ëmbëltoret gjithashtu do të lejohen të punësojnë ekip të dielave dhe festave zyrtare për periudha më të gjata se sa lejohet aktualisht.
Bashkëvendosje më e madhe në kompanitë e mëdha
Schweitzer theksoi se është e rëndësishme për të që iniciativa të rrisë edhe të drejtat e punonjësve. Forcimi i bashkëvendosjes i përshkruar në projektligj synon të frenojë "përdorimin abuziv" të formës ligjore të Kompanisë Aksionare Evropiane (SE). Sipas qeverisë, pesë nga çdo gjashtë kompani të mëdha SE nuk kanë bashkëvendosje të bazuar në barazi - një situatë që prek 480.000 punonjës. Schweitzer-i deklaroi se masat e reja do të kufizonin mundësitë për të anashkaluar bashkëvendosjen brenda kompanive SE.
Ndryshimet e miratuara tani rrjedhin nga një marrëveshje e arritur nga komisioni i koalicionit në korrik, pas disa javësh debati midis partive unioniste CDU/CSU dhe SPD-së në lidhje me një paketë reformash./DW