
Aeroporti “Cristoforo Colombo” në Xhenova të Italisë u mbyll për rreth dy orë mbrëmjen e djeshme, pas raportimeve për praninë e mundshme të dronëve në hapësirën ajrore pranë tij.
Rreth orës 20:10 u vendos pezullimi i përkohshëm i fluturimeve, ndërsa kufizimi u hoq pak pas orës 22:00, pasi autoritetet përfunduan kontrollet dhe verifikimet në zonë.
Situata shkaktoi vonesa edhe për një avion të 'ITA Airways', i cili ishte parashikuar të fluturonte drejt aeroportit “Fiumicino” në Romë.Avioni qëndroi në pistë pa marrë autorizimin për ngritje. Pasagjerët u zbarkuan nga avioni dhe më pas u rikthyen sërish në bord.
Sipas raportimeve, dronët e dyshuar u vërejtën në zonat lindore dhe perëndimore të pistës, duke shkaktuar pezullimin e përkohshëm të aktivitetit aeroportual dhe ndërprerjen e fluturimeve deri në përfundimin e verifikimeve.