
Një 25-vjeçar me emrin Albi Muça u arrestua në Tiranë në momentin kur po merrte një çantë me para, pasi dyshohet se i kërkoi 1 milion euro një 54-vjeçari, duke përdorur në komunikimet online identitetin e një funksionari publik. I arrestuari është Albi Muça.
Në pamjet e operacionit shihet momenti kur Muça merr çantën me para dhe më pas ndërhyrja e policisë për arrestimin e tij.
Sipas policisë, hetimi nisi pas denoncimit të 54-vjeçarit, i cili dyshoi se po mashtrohej nga persona që komunikonin me të në platforma online, duke përdorur identitetin e një funksionari publik. Policia nuk bëri të ditur se identiteti i kujt ishte përdorur dhe as me çfarë pretendimi ishte kërkuar shuma prej 1 milion eurosh.
Pas denoncimit, specialistët e krimit ekonomik dhe forcat operacionale përdorën metoda speciale hetimi dhe ndërhynë kur 25-vjeçari po merrte paratë. Njoftimi nuk saktësoi sa para kishte në çantën që u dorëzua gjatë operacionit të koduar “Request”.