
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka rikonfirmuar synimin e Ukrainës për t’u anëtarësuar në NATO, duke e cilësuar këtë hap si një garanci thelbësore për sigurinë e vendit.
“Sigurisht, Ukraina dëshiron me zjarr të bashkohet me NATO-n”, deklaroi Zelensky para gazetarëve, në një kohë kur anëtarësimi i Kievit në Aleancë është rikthyer në diskutimet diplomatike për përfundimin e luftës me Rusinë.
Gjatë një takimi të zhvilluar të enjten në Berlin, i dërguari amerikan Jared Kushner deklaroi se SHBA-ja mund të jetë e gatshme t’i ofrojë Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me ato të Nenit 5 të NATO-s, i cili parashikon mbrojtjen kolektive të vendeve anëtare në rast sulmi.
Edhe presidenti francez Emmanuel Macron ka mbështetur rifillimin e diskutimeve për anëtarësimin e Ukrainës në Aleancë. Çështja mbetet një nga pikat kryesore të negociatave për sigurinë afatgjatë të Ukrainës dhe një marrëveshje të mundshme për përfundimin e luftës.