Flash

Trump flet pas samitit në Kinë: Irani ka 51 vite që na mashtron

Lapsi.al 20 November 2026

Trump flet pas samitit në Kinë: Irani ka 51 vite që na mashtron

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, mbajti një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë pas samitit trepalësh në Shenzhen dhe bisedimeve me Vladimir Putinin dhe Xi Jinpingun

Donald Trump foli për Iranin dhe ndikimin që përplasja me Teheranin ka në çmimet e karburanteve, duke pretenduar se ecuria e çmimeve të hidrokarbureve do të varet nga mënyra se si do të zgjidhet kriza.

“Çmimet e hidrokarbureve varen nga mënyra se si do të arrijmë një marrëveshje me Iranin”, deklaroi presidenti amerikan, duke theksuar se pala iraniane dëshiron një marrëveshje, por nuk pranon kushtet e vendosura nga Uashingtoni.

“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, por nuk duan të bëjnë një marrëveshje që është e pranueshme për mua”, u shpreh ai.

Më pas, Trump ashpërsoi gjuhën ndaj Teheranit, duke theksuar: “Ne duam një marrëveshje të vërtetë, jo një marrëveshje të rreme, si ato që kanë bërë për 51 vjet”.

Madje, duke përdorur një gjuhë veçanërisht të ashpër, ai akuzoi Iranin se “prej 51 vitesh po mashtron botën”.

Konferenca nisi me komente për udhëtimin e tij në Kinë dhe avionin e ri presidencial Air Force One. Trump pretendoi se si pala kineze, ashtu edhe ajo ruse, ishin impresionuar nga kapacitetet e tij.

Trump u shfaq në podium me 25 minuta vonesë, i shoqëruar nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe zëvendëspresidenti JD Vance, pavarësisht se një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë kishte deklaruar më herët se ky i fundit nuk pritej të merrte pjesë.

Në sallë ndodheshin gjithashtu sekretari i Thesarit, Scott Bessent, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth dhe shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller. Ata ishin ulur pranë podiumit, ndërsa Rubio dhe Vance qëndronin pas presidentit amerikan.

“Mbrëmë u kthyem nga një prej vizitave presidenciale më të suksesshme në Azi në historinë amerikane”, deklaroi Trump, duke e vlerësuar pozitivisht udhëtimin e tij.

Më pas, ai foli për avionin e ri presidencial Air Force One, duke pretenduar se kishte realizuar fluturimin më të gjatë të kryer ndonjëherë nga një avion presidencial.

“Ishte fluturimi më i gjatë që ka realizuar ndonjëherë Air Force One. Avioni i ri Air Force One mund të fluturojë pa pasur nevojë të ndalojë për furnizim me karburant”, deklaroi ai.

Presidenti amerikan pretendoi gjithashtu se avioni i ri është “më i mirë se pajisjet e vjetra”, duke shtuar se kapacitetet e tij kishin impresionuar bashkëbiseduesit.

“Kina u impresionua shumë dhe Rusia u impresionua shumë”, u shpreh ai.

Rekord investimesh

Donald Trump foli për investime në vlerën e 25 trilionë dollarëve që nga marrja e detyrës, duke pretenduar se administrata e tij ka krijuar pasuri të re në nivele rekord.

“Është record”, deklaroi presidenti amerikan, duke pretenduar se kjo shifër është arritur në më pak se dy vjet.

Presidenti Donald Trump u ankua sërish se normat e interesit janë tepër të larta, duke ia atribuar përgjegjësinë “një banke qendrore shumë të politizuar”, por jo drejtuesit të saj, të cilin vetë e kishte zgjedhur.

“Sa herë që publikojmë të dhëna pozitive, ata rrisin normat e interesit. E bëjnë këtë për një arsye të caktuar. Duhej të ndodhte e kundërta”, deklaroi Trump.

“Dikur kishim gjithmonë normën më të ulët të interesit në botë, edhe kur ekonomia nuk po ecte mirë. Tani ata vazhdojnë ta rrisin normën e interesit kur gjërat po na shkojnë mirë, dhe vazhdojnë ta rrisin derisa ndoshta të mos na shkojnë më mirë”, shtoi ai.

10 marrëveshje tregtare në ASEAN

Duke iu referuar samitit të ASEAN-it, Trump tha se u ishte drejtuar liderëve të 14 vendeve gjatë samitit në Manila të Filipineve.

“Dashuria dhe respekti ndaj Amerikës ishin të jashtëzakonshme. Na respektojnë përsëri. Mendoj se na duan, por, të jem i sinqertë, preferoj të na respektojnë”, tha ai.

“Brenda katër ditësh takova më shumë se 20 liderë shtetesh, sigurova dy marrëveshje të reja tregtare dhe rreth 10 të tjera pritet të arrihen shumë shpejt”, deklaroi Trump.

“Kemi zhvilluar bisedime jashtëzakonisht të mira për forcimin e partneriteteve tona ekonomike, ndërsa siguruam marrëveshje tregtare me vlerë mbi 17 miliardë dollarë, të cilat do të përfitojnë mijëra punëtorë amerikanë”.

Duke iu referuar disa prej marrëveshjeve tregtare të arritura gjatë udhëtimit të tij në Azi këtë javë, presidenti Donald Trump deklaroi se kompanitë ajrore në Filipine kishin rënë dakord të blinin avionë amerikanë, në vend që t’i siguronin ata nga Evropa.

“Ata kishin planifikuar t’i blinin nga Evropa, por tani nuk do ta bëjnë më këtë”, tha Trump.

Marrëveshja parashikon blerjen e 20 avionëve Boeing 787 Dreamliner, e cila, sipas Trump, do të mbështesë 47 mijë vende pune në SHBA.

“Ja ku shihni një rast kur ata do t’i drejtoheshin Evropës, por unë u takova me ta dhe tani po blejnë nga ne”, u shpreh ai.

Qendrat e të dhënave vetëm në SHBA

Duke dhënë disa detaje mbi bisedën e tij me liderin kinez Xi Jinping, Donald Trump tha se inteligjenca artificiale (AI) ishte një nga temat e diskutimit.

Ai deklaroi se të dyja palët ranë dakord “të vendosin disa kufizime të përbashkëta”, përpara se të përsëriste se SHBA-ja është në krye të botës në zhvillimin e kësaj teknologjie.

Presidenti Donald Trump deklaroi se synon të ndalojë kompanitë amerikane të ndërtojnë qendra të të dhënave jashtë vendit, një vendim për të cilin, siç tha ai, nuk kishte informuar ende as ekipin e tij.

“Nuk do t’i lejojmë kompanitë tona të ndërtojnë qendra të të dhënave jashtë vendit tonë. Nuk do të lejojmë që diçka e tillë të ndodhë. E dini që ata e lejuan këtë të ndodhte me çipat dhe gjithçka tjetër, dhe kjo ishte shumë shkatërruese për vendin tonë. Pikërisht aty filluam të mbeteshim prapa”, deklaroi Trump para gazetarëve në sallën e konferencave të Shtëpisë së Bardhë.

“Nuk e di nëse ky është një lajm i fundit, por ende nuk ua kam thënë as njerëzve të mi”, shtoi ai. “Por tani po ua them këtu”.

Nuk është e qartë se si do ta zbatojë këtë rregull ndaj kompanive private. Trump deklaroi se nëse kompanitë amerikane planifikojnë të ndërtojnë qendra të të dhënave në vende të tjera, do të përballen me “një taksë gjigante”.

“Kemi shumë, shumë vende që i dëshirojnë me ngulm këto investime dhe janë vende të mrekullueshme”, tha Trump.

“Amerika gëzon respekt”

Presidenti Donald Trump u mburr të premten për udhëtimin e tij në Azi, duke theksuar se presidenti kinez Xi Jinping e kishte pritur në pistën e aeroportit në Shenzhen, si simbol të respektit që Pekini ka për të dhe për Shtetet e Bashkuara.

“Kudo që shkova gjatë këtij udhëtimi dhe me çdo lider që takova, ishte e qartë se Amerika gëzon sërish respekt si kurrë më parë. Na respektojnë. Ishte një nder i madh për mua që presidenti Xi priti vendin tone, jo mua personalisht, te dera e avionit. Diçka që nuk e kishte bërë kurrë më parë. Kjo do të thotë se ai respekton vendin tonë’, deklaroi presidenti amerikan.

Duke kaluar te takimi trepalësh që zhvilloi një ditë më parë me Vladimir Putinin dhe Xi Jinpingun, Trump theksoi se bëhej fjalë për “takimin e parë trepalësh në histori mes liderëve të SHBA-së, Rusisë dhe Kinës”.

“Shkova thjesht duke menduar: ‘Shkoj shumë mirë me këta dy persona dhe do t’i zgjidhim mosmarrëveshjet tona’”, tha ai.

“Arritëm t’i zgjidhnim ato. Dhe atëherë kuptova se sa e rëndësishme ishte kjo. Ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Dua të them, ishte vërtet e jashtëzakonshme”.

Ai tha gjithashtu se ata që kritikojnë marrëdhëniet e tij me Putinin dhe Xi Jinpingun janë “idiotë”, duke iu përgjigjur reagimeve negative që kishte marrë pasi e kishte cilësuar Putinin si “mik” të tij.

“Kemi një marrëdhënie shumë të mirë. Kjo është diçka pozitive, meqë ra fjala”, deklaroi presidenti para gazetarëve.

“Idiotët, disa prej të cilëve ndodhen në këtë sallë, thonë: ‘Oh, kjo është e tmerrshme. Ai shkon mirë me të’. Unë shkoj mirë me Rusinë. Shkoj mirë me Kinën. Shkoj mirë me shumë njerëz. Me disa të tjerë nuk shkoj mirë”, tha Trump.

Të këshilluara

ide

Parodia me taksimin e të pasurve nga kryeministri i tyre

Pavarësisht nga retorika, nuk mund të përkundet asnjë iluzion, se Edi Rama i është bashkuar trendit global për reduktimin e pabarazive. Sepse debati që po gëlon sot ka në thelb shqetësimin se mos thellimi i tyre po çon drejt shkatërrimit të demokracisë. Ndërsa tek ne ndodh e kundërta. Eshtë vullneti për të asgjesuar demokracinë që po prodhon më shumë pabarazi

13:31 Andi Bushati

MOTI TIRANA

15°c

KËMBIMI EURO

89.78

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI