
Kriza e rezultateve vazhdon për Partizanin. Të kuqtë nuk arrijnë të reagojnë as përballë Vllaznisë, duke pësuar një tjetër humbje që i mban të izoluar në fundin e renditjes. Në krahun tjetër, shkodranët shfrytëzojnë mundësinë për të marrë tri pikë me vlerë dhe për të ngjitur një pozicion në klasifikim.
Balaj vendos fatin e sfidës nga pika e bardhë
“Air Albania” i ka dhuruar një tjetër mbrëmje zhgënjyese Partizanit, që nuk ka mundur të ndalë serinë e rezultateve negative. Në përballjen e vlefshme për javën e 12-të të “Abissnet Superiore”, Vllaznia triumfoi me rezultatin minimal 1-0, në një takim ku emocionet, rastet e shumta dhe kartoni i kuq nuk munguan.
Momenti që përcaktoi rezultatin erdhi në minutën e 55'. Bekim Balaj mori përsipër ekzekutimin e penalltisë dhe u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë avantazhin skuadrës shkodrane. Një gol që në fund rezultoi vendimtar për fatin e tri pikëve, pavarësisht zhvillimeve të tjera të ndeshjes.
Partizani krijon, por nuk gjen rrugën e rrjetës
Përtej rezultatit, Partizani pati mundësitë e veta për të shmangur humbjen. Sidibe dhe Kazeem u përpoqën të ndryshonin rrjedhën e takimit, por përballë tyre u gjend një Jukaj në formë shumë të mirë.
Portieri i Vllaznisë u kthye në një pengesë të pakalueshme për sulmuesit kryeqytetas, duke mbajtur të paprekur portën e tij. Mungesa e konkretizimit po shfaqet kështu si një tjetër problem për të kuqtë, të cilët, edhe kur arrijnë të krijojnë raste, nuk po gjejnë zgjidhjen për t'i kthyer ato në gola.
Ndeshja pati edhe një episod të rëndësishëm disiplinor, me talentin e Vllaznisë, Emanuel, që u ndëshkua me karton të kuq. Megjithatë, as ky zhvillim nuk mjaftoi që Partizani të përfitonte dhe të ndryshonte rezultatin.
Karoglan humb shansin të dalë nga fundi, Vllaznia parakalon Tiranën
Kjo humbje merr një peshë edhe më të madhe për Partizanin për shkak të situatës në renditje. Të kuqtë nuk arritën të përfitonin nga hapi fals i Laçit dhe mbeten në vendin e fundit, me vetëm 10 pikë. Një situatë që e shton presionin mbi skuadrën kryeqytetase, e cila duhet të gjejë sa më shpejt një reagim për të mos e thelluar më tej krizën.
Në anën tjetër, Vllaznia largohet nga “Air Albania” me një fitore që ka rëndësi jo vetëm për moralin, por edhe për pozicionimin në tabelë. Tri pikët e çojnë skuadrën shkodrane në kuotën e 15 pikëve dhe në vendin e gjashtë, duke parakaluar Tiranën.
Kështu, e njëjta sfidë prodhoi dy realitete të kundërta: Partizani vazhdon të vuajë në fund të klasifikimit, ndërsa Vllaznia merr një rezultat që i jep mundësinë të shohë më lart në renditje.