
Carlos Espi dhe Jude Bellingham shënuan pasi Kylian Mbappe humbi një penallti, ndërsa Real Madrid përmbysi rezultatin dhe mposhti Celta Vigon, e cila kishte kërcënuar të shkaktonte një nga surprizat më të mëdha të sezonit në La Liga, në “Bernabeu”.
Pablo Duran e dërgoi topin në rrjetë pas një pasimi të Williot Swedberg, duke i dhënë miqve – të cilët nuk kishin arritur ende asnjë fitore në transfertë këtë sezon në elitën e futbollit spanjoll – avantazhin në minutën e gjashtë përballë skuadrës pretendente për titull. Reali dukej se vuante për të gjetur frymëzimin në fazën sulmuese dhe mund të kishte pësuar një tjetër gol, përpara se Javi Rodriguez të gjykohej se kishte penguar Mbappe brenda zonës së rreptësisë.
Sulmuesi francez e goditi penalltinë mbi traversë, duke bërë që skuadra e tij të shkonte në pushimin e pjesëve me disavantazhin në rezultat. Kjo shkaktoi pakënaqësi të dukshme mes tifozëve madrilenë dhe e shtyu trajnerin Jose Mourinho të kryente një zëvendësim të trefishtë pas 57 minutash lojë. Marc Cucurella, Federico Valverde dhe Vinicius Junior – i rikthyer pas një pezullimi prej katër ndeshjesh – u aktivizuan në vend të Bernardo Silvas, Alvaro Carreras dhe Trent Alexander-Arnold.
Pak sekonda pasi portieri i Real, Thibaut Courtois, bëri një pritje të shkëlqyer ndaj goditjes nga distanca të Duran, Vinicius Junior përparoi në krahun e majtë dhe pasoi topin drejt qendrës te Mbappe. Ky i fundit përgatiti aksionin për Bellingham, i cili barazoi shifrat me një goditje të ulët në minutën e 66'. Përforcimi i ri, Espi, që u ndal nga Taho në Tiranë në miqësoren mes Shqipërisë U-21 dhe Spanjës U-21, shënoi golin e fitores pesë minuta para përfundimit të kohës së rregullt, duke bërë që Real Madrid të barazohej me pikë në krye të renditjes me Barcelonën, e cila të dielën pret Villarreal, që ndodhet në vendin e nëntë.