Flash

Ku janë zjarret më aktive sot në vend

Në vendin tonë situate me zjarret vijon të jetë problematike, teksa në shumë zona po luftohet për shuarjen e vatrave të zjarrit, disa prej të cilave janë riaktivizuar sërish. Këhstu...

11:17

Wall Street Journal: Si përfundoi dhëndri i Trump në një aferë me gangsterin shqiptar

Banorët thonë se e paralajmëruan dhëndrin e Trump-it se toka e tyre buzë detit ishte grabitur nga Artur Shehu, i cili tani përballet me akuza për trafik droge, të cilat ai i mohon.

Lapsi.al 9 August 2026

Deri më tani debati për resortin e lidhur me Jared Kushnerin në Sazan dhe Zvërnec është zhvilluar kryesisht rreth ndikimit në mjedis, procedurave të dhënies së tokës dhe përplasjes politike që kanë shkaktuar protestat në Tiranë. Por një investigim i The Wall Street Journal e ka zhvendosur vëmendjen në atë që mund të konsiderohet thembra e Akilit e gjithë kësaj sipërmarrjeje: flirtin me një personazh të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar, Artur Shehun, që prej dekadash shoqërohet me akuza për krime të vjetra, marrëdhënie me organizatat e huaja mafioze dhe dyshime për përvetësimin e tokave përmes dokumenteve të falsifikuara.

Artikulli rindërton profilin e njeriut që futi në llogarinë bankare mbi 120 milionë dollarë nga shitja e tokës, duke sjellë në një rrëfim të vetëm historinë e hetimeve të hershme në Shqipëri dhe Itali, jetën e tij në Shtetet e Bashkuara, akuzat e fundit të SPAK-ut për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare të trafikut të kokainës, si edhe vendimet gjyqësore që kanë konstatuar përdorimin e dokumenteve të falsifikuara në procesin e fitimit të pronave në Zvërnec.

Edhe pse avokatët e Shehut i mohojnë të gjitha akuzat dhe theksojnë se ai nuk është dënuar për to, tabloja që ndërton gazeta amerikane është ajo e një projekti të madh ndërkombëtar që ka hyrë në një fushë të minuar ku bie në sy flirti me krimin e organizuar.

Tërthorazi, Wall Street Journal nxjerr në pah përgjegjësinë politike të qeverisë shqiptare. Dihet tashmë se projekti është investim i promovuar personalisht nga kryeministri Edi Rama, i cili e ka paraqitur atë, si një nga investimet strategjike më të rëndësishme të dekadës.

Logjika të çon tek shqetësimi i natyrshëm, se si shteti shqiptar e drejtoi një investitor të këtij niveli drejt një afere që, sipas gazetës amerikane, mbart një barrë kaq të rëndë dyshimesh kriminale. Më poshtë shkrimi i plotë i WSJ me titullin origjinal: Gangsteri i dyshuar që po i hap telashe marrëveshjes së Kushnerit në Shqipëri

ZVËRNEC, Shqipëri — Banorët e këtij fshati të vogël bregdetar mbetën të habitur dy vjet më parë, kur Jared Kushner publikoi pamje të projektuara të një resorti mesdhetar të planifikuar në një gadishull të ngushtë, të rrethuar nga deti me ngjyrë të kaltër dhe Laguna e Nartës, ku mblidhen flamingot.

Pamjet paraqisnin një rrip toke ku prindërit dhe gjyshërit e tyre dikur kultivonin patate. Banorët pretendonin se prona u ishte grabitur gjatë viteve 2000 nga Artur Shehu, një person i dyshuar si pjesë e botës së krimit, i cili u largua drejt Majamit pasi u përfshi në një shkëmbim zjarri në lokalin e tij.

Për këtë arsye, ata i dërguan një letër Kushnerit, ku i shpjegonin se prej gati dy dekadash ishin të përfshirë në procese gjyqësore me Shehun dhe i kërkonin zhvilluesve të mos e çonin përpara projektin. Sipas tyre, trualli “është në pronësi të fshatit dhe banorëve të tij”.

Megjithatë, grupi zhvillues i mbështetur nga Kushneri vazhdoi me projektin dhe në fillim të këtij viti i pagoi Shehut më shumë se 120 milionë dollarë për tokën. Dy muaj më vonë, prokurorët shqiptarë kërkuan arrestimin e Shehut, duke pretenduar se ai kishte luajtur një rol drejtues në një organizatë të gjerë ndërkombëtare të trafikut të drogës, e cila sillte kokainë nga Amerika e Jugut drejt Europës të fshehur në ngarkesa me qymyr druri dhe pastë frutash.

Sipas prokurorëve, Shehu pastroi para përmes pasurive të paluajtshme – përfshirë edhe gadishullin e Zvërnecit – prona që, sipas tyre, ishin përvetësuar duke përdorur metoda si falsifikimi i dokumenteve osmane të pronësisë.

Kjo polemikë është goditja më e fundit ndaj ambicieve ndërkombëtare të Kushnerit në fushën e pasurive të paluajtshme, një pjesë e aktivitetit të tij të biznesit pas largimit nga administrata e parë Trump në vitin 2020. Ndërsa pjesa më e madhe e investimeve të tij janë realizuar përmes fondit privat prej 6 miliardë dollarësh, të financuar nga fondet sovrane të vendeve të Gjirit, Kushneri iu rikthye gjithashtu origjinës së tij profesionale, biznesit të pasurive të paluajtshme. Ai deklaroi se synonte të investonte herët në Ballkan, ku turizmi dhe çmimet e pronave janë në rritje, duke pasur në fokus Serbinë dhe Shqipërinë.

Në Serbi, ai arriti një marrëveshje pa garë me qeverinë për zhvillimin e një trualli shtetëror në qendër të Beogradit, gjë që shkaktoi kritika se qeveria serbe po përpiqej të afrohej me Donald Trumpin, akuza që Beogradi i mohoi. Planet për Serbinë dështuan pas javësh protestash dhe ngritjes së akuzave ndaj një ministri që kishte shtyrë përpara miratimet e projektit. Kushneri u tërhoq nga ai projekt në muajin dhjetor.

Projekti në Shqipëri, në Zvërnec, ka shkaktuar një reagim publik edhe më të madh. Një video ku shfaqeshin roje private të grupit të mbështetur nga Kushneri duke goditur me grusht një banor të zonës dhe duke e tërhequr zvarrë në plazh, nxiti protesta të mëdha të përditshme në Tiranë. Protestat vazhdojnë prej më shumë se dy muajsh, ndërsa pjesëmarrësit kanë zgjeruar kritikat e tyre, duke denoncuar korrupsionin e përhapur dhe zhvillimin e pakontrolluar urban, në atë që e quajnë “Revolucioni i Flamingove”.

Ndryshe nga Serbia, në Shqipëri paratë tashmë kanë kaluar nga njëra palë te tjetra. Sipas një personi të njohur me transaksionet, grupi zhvillues i mbështetur nga Kushneri ka paguar mbi 240 milionë dollarë për toka të blera nga pronarë privatë, mes tyre edhe Artur Shehu.

Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, thotë se klienti i tij nuk është as trafikant droge dhe as grabitës tokash, si edhe se nuk ka pasur asnjëherë marrëdhënie të drejtpërdrejtë me Kushnerin, por ka vepruar vetëm përmes një ndërmjetësi.

“Ai nuk ka absolutisht asnjë lidhje me akuzat,” tha Cakrani. “Ai është thjesht një pronar toke, që vjen nga një familje e madhe pronarësh tokash”, ndërsa kontaktet e tij me personat e tjerë të përfshirë në aktakuzë, sipas avokatit, kanë qenë vetëm për marrëveshje të ligjshme biznesi.

Një zëdhënës i grupit zhvillues – një sipërmarrje e Kushnerit dhe partnerëve të tij – deklaroi se sistemi shqiptar i drejtësisë “është forumi i duhur për zgjidhjen e çështjeve që lidhen me pronësinë e tokës dhe integritetin e transaksioneve të mëparshme”.

Sipas tij, grupi është në dijeni të pretendimeve “në lidhje me shitësin e tokës”, por vetë nuk është objekt i asnjë hetimi, duke shtuar se: “Ne vazhdojmë të besojmë se blerjet e tokës janë kryer në mënyrë të ligjshme.”

Prokurorët thonë se kanë vendosur nën sekuestro paratë që Shehu përfitoi nga shitja e tokës.

“Teorikisht, gjykatat kanë autoritetin të bllokojnë përkohësisht zhvillimin e një projekti në prona që janë objekt mosmarrëveshjeje,” tha Sotir Dhamo, profesor i planifikimit urban në Universitetin Polis në Tiranë. “Në praktikë, gjykatat nuk janë plotësisht të pavarura nga politika dhe interesat e fshehta ekonomike.”

Flamingo Drive

Artur Shehu, 60 vjeç, jeton sot në Majami, ku të dhënat e pronësisë tregojnë se ai zotëron, së bashku me bashkëshorten e tij – një ish-personazh i njohur i televizionit shqiptar – një vilë prej rreth 4 mijë këmbësh katrorë në zonën Flamingo Drive të Miami Beach.

Rruga e tij drejt Floridës së Jugut kalon përmes disa prej dekadave më të trazuara të historisë së Shqipërisë.

E izoluar dhe e varfër gjatë Luftës së Ftohtë, pasi regjimi komunist kishte prishur marrëdhëniet si me Bashkimin Sovjetik ashtu edhe me Kinën, Shqipëria nuk pati një fat më të mirë as gjatë viteve të trazuara të tranzicionit në vitet 1990. Vendi u përball me paqëndrueshmëri politike, rritje të krimit të organizuar, shpopullim dhe kolapsin e skemave piramidale, që për pak e zhytën vendin në luftë civile.

Në këtë klimë kaotike, Shehu u shfaq si sipërmarrës, me aktivitete biznesi që përfshinin edhe një hotel në qytetin e Vlorës, i njohur për klimën e ashpër të kohës.

Ai tërhoqi vëmendjen e policisë shqiptare kundër drogës dhe të autoriteteve italiane, të cilat dyshonin se kishte lidhje biznesi me mafien italiane, duke trafikuar marijuanë dhe duke organizuar kalimin e emigrantëve drejt Italisë me skafe të shpejta, tha Dritan Zagani, një nga ish-oficerët e Policisë së Shtetit që e ka hetuar.

“Një ditë në vitin 1999,” kujton Zagani, “policia u thirr në një lokal pas raportimeve për të shtëna me armë. Aty mësuam se Shehu ishte përfshirë në një shkëmbim zjarri me një grup rival.”

“Pas kësaj, Arturi u zhduk,” tha ai.

Avokati i Shehut, Kujtim Cakrani, tha se klienti i tij ishte sulmuar nga grupe prokomuniste për shkak të bindjeve të tij antikomuniste. Sipas tij, hetimet e organeve të rendit ishin të motivuara politikisht. As hetimet italiane dhe as ato shqiptare nuk çuan në ngritjen e akuzave ndaj Shehut.

Më pas, Shehu u shfaq në Majami. Ai u transferua në Shtetet e Bashkuara në vitin 2001 dhe fitoi azil politik, pasi deklaroi se ishte sulmuar nga grupe komuniste, të cilat, sipas avokatit të tij, kishin vrarë xhaxhain dhe vëllanë e tij.

Më vonë ai fitoi edhe shtetësinë amerikane, tha Cakrani, por vazhdoi të ruante aktivitetet edhe në Shqipëri, duke ndërtuar një portofol të konsiderueshëm të pasurive të paluajtshme.

Shehu u vu sërish në shënjestrën e autoriteteve në vitin 2012, kur prokurorët italianë kërkuan arrestimin e tij në kuadër të një hetimi më të gjerë ndaj një familjeje mafioze italiane. Sipas një vendimi të gjykatës italiane, Shehu ishte bashkëpronar i një xhelaterie në Shqipëri me një drejtues të mafies italiane, i cili i kishte transferuar mbi 1 milion euro (rreth 1.3 milionë dollarë me kursin e asaj kohe). Prokurorët pretenduan gjithashtu se Shehu i kishte dhënë me qira ambiente në një ndërtesë për hapjen e një kazinoje.

Gjykatësi italian refuzoi kërkesën për arrest, duke arsyetuar se nuk kishte prova të mjaftueshme për të lidhur Shehun me ndonjë aktivitet të paligjshëm. Cakrani tha se roli i klientit të tij ishte vetëm ai i një qiradhënësi.

Megjithatë, emri i Shehut vazhdoi të shfaqej në hetime për trafik droge.

Sipas prokurorëve shqiptarë, autoritetet evropiane që kryenin operacione përgjimi e kanë fotografuar atë në Monako në shoqërinë e personave të dyshuar për trafik narkotikësh. Ata siguruan gjithashtu fotografi të vitit 2019, të realizuara në Majorka, ku Shehu shfaqej në një takim me një person të dyshuar si një nga drejtuesit kryesorë të krimit të organizuar, i cili ndërkohë është arrestuar.

Shehu nuk u akuzua në asnjërin prej këtyre hetimeve. Avokati i tij deklaroi se, përveç Shqipërisë, ai nuk ka pasur probleme ligjore me asnjë shtet tjetër evropian dhe se kontaktet e tij kanë qenë ekskluzivisht në kuadër të marrëdhënieve të ligjshme të biznesit.

Situata ndryshoi në muajin qershor.

Hetuesit evropianë të antidrogës në Spanjë, Belgjikë dhe disa vende të tjera i dorëzuan një sasi të madhe materialesh Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), strukturë e krijuar në vitin 2019 pjesërisht për t’iu përgjigjur shqetësimeve të Bashkimit Evropian mbi korrupsionin në Shqipëri.

Korrupsioni mbetet një problem i përhapur në vend. Gjatë katër viteve të fundit, SPAK ka ngritur akuza për korrupsion ndaj dy ish-kryeministrave, dy ish-zëvendëskryeministrave dhe një numri të madh ish-ministrash, të cilët i kanë mohuar të gjitha akuzat. Të mbështetur në materialet e dorëzuara nga autoritetet evropiane, prokurorët e SPAK-ut siguruan në qershor një vendim gjykate për arrestimin e Shehut dhe 19 personave të tjerë, të cilët, sipas tyre, ishin pjesë e një organizate të madhe evropiane të trafikut të drogës.

Sipas prokurorëve, Shehu kishte një “pozicion drejtues brenda organizatës” dhe akuzohet për pastrim parash dhe pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, akuza që artikulli i krahason me veprën penale të racketeering në Shtetet e Bashkuara.

Sipas SPAK-ut, rrjeti i dyshuar kriminal kontrollonte pothuajse të gjithë zinxhirin e trafikut të kokainës: nga mbikëqyrja e prodhimit në Ekuador, fshehja e drogës në ngarkesa me fruta, sojë, sheqer dhe produkte të tjera, transportimi përmes porteve holandeze, përpunimi në laboratorë të vegjël dhe shpërndarja në vende të ndryshme të Evropës.

Fitimet nga kokaina, sipas prokurorëve, riktheheshin në Shqipëri përmes kriptomonedhave dhe transportit të parave cash me autobusë, për t’u pastruar më pas në sektorin e pasurive të paluajtshme. Një pjesë e këtyre parave, sipas SPAK-ut, përfundoi në financimin e një kulle të kuqe në qendër të Tiranës dhe në ndërtimin e vilave bregdetare. Prokurorët pretendojnë se Shehu dhe personat që vepronin në emër të tij kishin rol kyç në këtë proces.

Cakrani i mohoi këto akuza, duke deklaruar se Shehu ka kryer vetëm transaksione të ligjshme në fushën e pasurive të paluajtshme dhe nuk ka qenë i përfshirë në pastrim parash apo në ndonjë nga veprat e tjera penale që i atribuohen.

Një nga akuzat e ngritura nga prokurorët është se Shehu dhe rrjeti i tij siguruan prona të përdorura për pastrimin e parave duke pretenduar pronësi historike, shpesh mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara. Ndër pronat më të rëndësishme të përmendura nga prokurorët është edhe toka në Zvërnec, pikërisht zona ku Jared Kushner synon të ndërtojë resortin e tij.

“Një problem psikologjik”

Fshati i vogël i Zvërnecit ndodhet në bregdet, pranë Vlorës, dhe njihet për manastirin e tij mbi 700-vjeçar të periudhës bizantine, i vendosur buzë Lagunës së Nartës. Shtëpitë janë të përqendruara mbi një kodër, nga ku hapet pamja drejt detit dhe pemëve të mbushura me fiq e shegë.

Zoi Pula, 71 vjeç, u rrit në këtë fshat, përpara se të emigronte në Greqi, ku mundësitë për punë ishin më të mëdha. Ai kthehet çdo verë në shtëpinë e familjes në kodër.

Sipas tij, stërgjyshi i tij ishte vendosur në Zvërnec dhe përdorte një parcelë në gadishullin aty pranë për kullotjen e bagëtive.

Kur toka u kolektivizua gjatë regjimit komunist, familja e tij e përdori atë për të kultivuar patate, qepë dhe kultura të tjera bujqësore. Pas rënies së regjimit komunist në vitin 1991, familjes iu njoh pronësia mbi pjesën e saj të tokës në gadishull, e cila ndërkohë kishte mbetur djerrë.

Në mesin e viteve 2000, ai tha se zbuloi atë që njëri pas tjetrit kishin mësuar edhe banorët e tjerë të fshatit: zyrat vendore të regjistrimit të pronave ia kishin kaluar Artur Shehut kontrollin mbi tokat e tyre në gadishull.

“U çmendëm. U zemëruam. Na u kthye në një problem psikologjik,” tha ai.

Pronësia mbi tokën në Shqipëri ka qenë për dekada me radhë një çështje e ndërlikuar. Pas rënies së komunizmit, qeveritë miratuan një sërë ligjesh për kthimin e pronave të shpronësuara, duke krijuar terren për një numër të madh pretendimesh të mbivendosura mbi të njëjtat parcela. Zgjidhja e këtyre mosmarrëveshjeve iu la sistemit gjyqësor shqiptar, ku autoritetet kanë konstatuar vazhdimisht raste korrupsioni.

Teksa ndiqnin proceset gjyqësore, banorët dhe pretenduesit e tjerë të pronësisë zbuluan se Shehu kishte përdorur metoda të ngjashme për të siguruar kontrollin mbi një pjesë të madhe të tokave në Zvërnec. Përmes një avokati, ai paraqiti dokumente historike për të provuar se paraardhësi i tij, Seit Shehu, kishte qenë pronari i këtyre tokave.

Një pjesë e konsiderueshme e tokës u regjistrua në favor të Shehut në vitin 2007, pasi një prej avokatëve të tij paraqiti pranë zyrave të regjistrimit një dokument pronësie të periudhës osmane të përkthyer në mënyrë të pasaktë. Gjatë përkthimit nga turqishtja osmane, një arkivist kishte zëvendësuar emrin e pronarit të vërtetë me emrin e Seit Shehut, sipas një vendimi gjyqësor.

Më pas, avokati dhe arkivisti u dënuan për vepra penale që lidhen me falsifikimin e dokumenteve, megjithëse çështja ndaj avokatit është rikthyer në rigjykim.

“Falsiteti i këtij dokumenti është provuar,” thuhet në një vendim të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.

Shehu dhe pretenduesit e tjerë të pronësisë kanë fituar dhe humbur procese të ndryshme gjyqësore gjatë viteve, por asnjë prej këtyre vendimeve nuk e ka detyruar Shehun të heqë dorë nga toka. Rigjykimet dhe apelimet vazhdojnë ende në sistemin gjyqësor.

Cakrani tha se pretendimet e Shehut mbështeten në dokumentacion të gjerë që provon se familja e tij ka qenë një familje e madhe pronarësh tokash, si në Zvërnec ashtu edhe në zona të tjera.

Ndër provat e depozituara në gjykatë përfshihen dokumente të periudhës së pushtimit italian, si edhe dokumente të viteve të para të shekullit XX.

“Ka dokumente të ligjshme që provojnë se kjo është toka e tij,” tha ai.

Tela me gjemba

Jared Kushner dhe bashkëshortja e tij, Ivanka Trump, u interesuan për herë të parë për Shqipërinë gjatë një udhëtimi me jaht në Mesdhe, pas përfundimit të mandatit të parë presidencial të Donald Trump. Gjatë lundrimit mes Malit të Zi dhe Greqisë, ata ankoruan pranë ishullit të Sazanit, një ish-bazë ushtarake në pronësi të shtetit shqiptar, ku turistët vendas shkojnë shpesh me varka për vizita ditore.

“Notuam deri në ishull. Bëmë një shëtitje në këmbë,” kujtoi Ivanka Trump në një podcast në muajin maj. “Na mahniti plotësisht.”

Më pas, Kushner arriti një marrëveshje me kryeministrin Edi Rama për zhvillimin e ishullit të Sazanit dhe nisi punën për projektin së bashku me Asher Abehsera, një zhvillues amerikan i pasurive të paluajtshme, me të cilin kishte bashkëpunuar më parë në rizhvillimin e ndërtesave të zyrave në Brooklyn gjatë viteve 2010.

Pak kohë më vonë, tha Abehsera në një intervistë të dhënë në qershor, vëmendja e tyre u përqendrua te një tjetër zonë e pazhvilluar, rreth 8 kilometra larg, në bregun e Zvërnecit. Është një brez toke ku banorët shkojnë me automjete fuoristradë 4x4 për të pushuar në plazhe të paprekura, ku qëndrojnë breshkat e detit dhe kullosin delet.

Abehsera tha se arriti një marrëveshje me partnerët vendas, konglomeratin shqiptar Kastrati, emri i të cilit gjendet në një rrjet të gjerë pikash karburanti në të gjithë vendin. Sipas tij, grupi iu afrua pronarëve të tokave në Zvërnec, duke u propozuar fillimisht një bashkëpunim, siç kishte deklaruar për The Wall Street Journal në vitin 2024.

Po atë pranverë, Kushner publikoi në Instagram pamje të projektuara të resortit, ku në Sazan shfaqeshin vila të ndërtuara përgjatë shpateve shkëmbore, ndërsa në Zvërnec hotele të vendosura buzë plazheve.

Disa muaj më vonë, në shtator 2024, një grup banorësh të Zvërnecit i dërguan një letër kompanisë së Kushnerit, duke i kërkuar të përmbahej “nga ndërmarrja e veprimeve që cenojnë të drejtat pronësore të fshatit”, për sa kohë mosmarrëveshjet gjyqësore vazhdonin. Gazeta thotë se ka parë një kopje të kësaj letre.

Në atë kohë, konfliktet për pronësinë e tokave në Zvërnec ishin të njohura gjerësisht në zonë dhe ishin pasqyruar vazhdimisht në media.

“Nuk kemi asnjë interes të zhvillojmë diçka që nuk është ligjërisht dhe me të drejtë e jona për t’u zhvilluar,” kishte deklaruar Abehsera për The Wall Street Journal në vitin 2024, kur u pyet për mosmarrëveshjet mbi pronësinë.

Kur gazeta i dërgoi një listë me katër pronarë tokash – mes tyre edhe Artur Shehun – Abehsera u përgjigj në një mesazh gjatë vitit 2024: “Asnjëri prej tyre nuk është partneri ynë.”

Më pas, Kushner dhe Abehsera i zhvilluan më tej planet, duke krijuar sipërmarrjen Sazan Real Estate Development.

Pjesë e projektit u bë edhe një grup i madh investimesh nga Katari, i drejtuar nga familja Al-Khayyat. Kushner ishte njohur me familjen Al-Khayyat gjatë Kupës së Botës 2022 dhe më pas i zgjodhi ata si partnerë, për shkak të përvojës së tyre në zhvillimin e resorteve ishullore në Maldive dhe në vendet e Gjirit.

Grupi zhvillues, përmes kompanisë Albania Land Development, i pagoi Artur Shehut 110 milionë euro – ekuivalente me rreth 125 milionë dollarë – për tokën në muajin prill, sipas prokurorëve që hetojnë çështjen e pastrimit të parave ndaj Shehut. Të dhënat e regjistrit tregtar shqiptar tregojnë se Albania Land Development është në pronësi të Sazan Real Estate Development.

Në fund të muajit prill, grupi i mbështetur nga Kushner vendosi gardhe rrethuese përgjatë kufijve të gadishullit të mbrojtur mjedisor, duke i pajisur ato me tela me gjemba.

Kur banorët u paraqitën për të protestuar, rojet private të kontraktuara për ruajtjen e zonës ua bllokuan hyrjen. Njëri prej tyre goditi me grusht në fyt një banor të zonës dhe më pas e tërhoqën zvarrë përgjatë plazhit, ndërsa pranë ndodheshin efektivë policie që vetëm shikonin.

Grupi zhvillues u distancua publikisht nga ngjarja, duke ia atribuar incidentin një kompanie të jashtme sigurie, emri i së cilës nuk u bë publik.

Megjithatë, videoja e incidentit u bë virale. Zemërimi u përhap me shpejtësi dhe protestuesit nisën të mbushnin rrugët e Tiranës, duke mbajtur pankarta me fotografi të Jared Kushnerit, flamingove dhe Donald Trumpit.

Pak ditë më vonë, mediat shqiptare raportuan për aktakuzën ndaj Artur Shehut, çka solli edhe më shumë protestues në rrugë.

Menjëherë pas kësaj, Asher Abehsera, kryetar i Sazan Real Estate Development, u përpoq të distancohej nga polemikat. Në një intervistë për The Wall Street Journal në muajin qershor, ai tha se nuk e dinte nëse kompania e tij kishte paguar Artur Shehun për tokën.

Ai mohoi gjithashtu se kishte pasur dijeni më parë për konfliktet mbi pronësinë. “Ne nuk kemi parë dhe nuk kemi dëgjuar për asnjë mosmarrëveshje,” tha ai.

Aktualisht, grupi zhvillues po përgatit raportin e vlerësimit mjedisor, një dokument i domosdoshëm për marrjen e miratimeve qeveritare përpara nisjes së punimeve.

Pavarësisht reagimit të fortë publik, që ka përfshirë dhjetëra mijëra protestues, zyrtarë të Bashkimit Evropian dhe figura të njohura ndërkombëtare si Dua Lipa, projekti vazhdon të gëzojë mbështetjen e fortë të kryeministrit Edi Rama. Rama e konsideron projektin, me vlerë 5 miliardë dollarë, një investim të rëndësishëm të huaj që do të nxisë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë.

Banorët e Zvërnecit thonë se kanë frikë se do të nëpërkëmben edhe një herë nga zhvillimet që po ndodhin. “E vetmja gjë që dua tani është të ma kthejnë tokën time,” tha Kostaq Konomi, kryeplaku i fshatit Zvërnec./ Wall Street Journal, përktheu Lapsi.al

Të këshilluara

Arrestimi në Francë prish qetësinë e Ergys Agasit në Shqipëri

Arrestimi i Ermal Beqirit në Francë ka shkaktuar panik te rrjeti i ish-drejtuesve të AKSHI-t, ndërsa burime bëjnë me dije se Ergys Agasi po kërkon një vend të ri për t’u fshehur nga frika se komunikimet e sekuestruara të Beqirit mund të hapin një kapitull të ri në dosje.

16:31

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

37°c

KËMBIMI EURO

93.19

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI