
Në Francë njihet si refugjate politike. Në Turqi si një e dënuar për ndihmë ndaj një organizate terroriste. Ndërsa prej kësaj te premteje (7 gusht), Jülide Yazıcı është edhe e burgosur në Shqipëri, në pritje që drejtësia shqiptare të vendosë nëse duhet t’ia dorëzojë apo jo Ankarasë.
Gjykata e Dhomës Penale në Tiranë caktoi ndaj aktivistes politike 32-vjeçare masën e sigurisë “arrest në burg”, tri ditë pasi ajo u ndalua në aeroportin e Rinasit, teksa udhëtonte nga Franca drejt Shqipërisë.
E gjitha duhet të ishte një procedurë klasike ekstradimi: një urdhër kërkimi ndërkombëtar i Interpol Ankarasë për një shtetase turke dhe një dënim i pashlyer.
Por biografia e Yazıcı-t e bën çështjen më të komplikuar.
Ajo ka status refugjati politik në Francë. Gjykata Kombëtare e Azilit në këtë vend, CNDA, ka arritur në përfundimin se aktivizmi i saj politik krijon një rrezik real përndjekjeje nëse ajo kthehet në Turqi.
Në vendimin e 16 nëntorit 2020, gjykata franceze arsyeton se:
“Znj. Yazici ka një frikë të justifikuar, në kuptim të dispozitave të përmendura më lart të Konventës së Gjenevës, se do të përndiqet nëse kthehet në vendin e saj për shkak të aktivizmit të saj politik.”
Përfundimi është i prerë: “Znj. Julide Yazici njihet si refugjate.”
Kjo do të thotë se të njëjtën grua që Franca e konsideron të rrezikuar nga përndjekja politike në Turqi, Ankaraja kërkon tani që Shqipëria t’ia ekstradojë.
Nga Gezi Park te e majta kurde

Historia politike e Yazıcı-t nis me herët se dosja penale.
Sipas vendimit francez të azilit, ajo është angazhuar për vite në aktivitete politike kundër qeverisë së Recep Tayyip Erdoğan dhe ka marrë pjesë në protestat e Gezi Parkut në vitin 2013, një nga momentet më të rëndësishme të kundërshtimit shoqëror ndaj Erdoganit gjatë dy dekadave të fundit.
Ajo ka mbështetur gjithashtu HDP-në, Partinë Demokratike të Popujve, forca kryesore parlamentare e së majtës pro-kurde në atë periudhë, e cila më pas u pasua politikisht nga DEM Parti.
Kur u arrestua për herë të parë, në vitin 2016, Yazıcı ishte studente e vitit të parë në Departamentin e Filozofisë të Universitetit Boğaziçi, një nga institucionet akademike më prestigjioze dhe tradicionalisht më liberale të Turqisë.
Daily Nous, media ndërkombëtare e specializuar për filozofinë akademike, raportonte në janar 2016 se Yazıcı ishte aktive në rrjetet sociale në mbështetje të akademikëve që po përballeshin me presionin e qeverisë turke.
Studentët e Boğaziçi-t e përshkruanin në atë kohë me një profil të qartë politik.
“Jülide është shoqja jonë që kundërshton padrejtësitë, mbron paqen, punëtorët dhe gratë,” shkruhej në peticionin për lirimin e saj, i cili mblodhi 7,743 firma."
Arrestimi që nisi nga një vajzë e strehuar në dhomën e saj

Versioni francez i historisë së arrestimit është veçanërisht interesant. Sipas vendimit të CNDA-së, Yazıcı u arrestua në janar 2016 pasi kishte lejuar një vajzë të re, të cilën nuk e njihte personalisht dhe që i ishte prezantuar nga një mik, të qëndronte në dhomën e saj studentore.
Burimet turke konfirmojnë se policia kontrolloi banesën e saj më 27-28 janar 2016. Yazıcı nuk ishte në shtëpi dhe një ditë më vonë shkoi vetë në prokurori, e shoqëruar nga avokati. Megjithatë, më 29 janar u arrestua. (bianet.org)
Në dosjen penale kishte edhe episode që në retrospektivë duken të pazakonta. Bianet raportoi se në banesën e saj ishin gjetur bateri dhe gozhdë. Yazıcı deklaroi se ato i përkisnin personit që kishte jetuar më parë në apartament dhe se nuk i kishte hedhur sepse ai kishte thënë se do të vinte t’i merrte.
Në fillim, ndaj saj u ngrit akuza për “anëtarësim në organizatë të armatosur”. Dosja u vendos nën sekret hetimor, kështu që për muaj me radhë as avokatët dhe as mbështetësit e studentëve nuk kishin informacion të plotë mbi materialet e prokurorisë.
Në të njëjtën çështje u arrestuan edhe studentë të tjerë të universiteteve Boğaziçi dhe Bilgi.
Gjashtë muaj në burg

Yazıcı qëndroi afërsisht gjashtë muaj në paraburgim.
Në maj 2016, Gjykata e 14-të Penale për Krime të Rënda të Stambollit vendosi vazhdimin e arrestit për të dhe tre studentë të tjerë.
Rasti u kthye ndërkohë në një çështje të njohur në komunitetin universitar.
Daily Nous e renditi arrestimin e saj ndër ngjarjet që shënuan botën akademike të filozofisë gjatë vitit 2016, duke e vendosur në kontekstin e goditjes së qeverisë së Erdoganit ndaj kundërshtarëve dhe akademikëve.
Yazıcı u lirua nga paraburgimi në korrik 2016, por procesi vazhdoi. Vendimi u mor në nëntor 2017.
Gjykata e 14-të Penale për Krime të Rënda në Stamboll dënoi Jülide Yazıcı-n, Çağrı Kurt dhe Heja Türk me nga 4 vjet e 2 muaj burg.
Ajo që ndryshoi gjatë procesit ishte vetë akuza.
Yazıcı fillimisht ishte akuzuar për anëtarësim në një organizatë të armatosur, por prokuroria e ndryshoi më pas cilësimin juridik në “ndihmë me vetëdije dhe vullnet ndaj një organizate terroriste, pa qenë pjesë e strukturës së saj hierarkike”.
Dy persona të tjerë në të njëjtën çështje u shpallën të pafajshëm. Avokatët argumentuan se provat konkrete për akuzat mungonin, por gjykata dënoi Yazıcı-n dhe dy të pandehurit e tjerë.
Sot autoritetet turke kërkojnë që ajo të vuajë pjesën e mbetur të dënimit, 3 vjet, 5 muaj e 22 ditë.
Nga studentja e filozofisë te autorja marksiste

Jülide Yazıcı nuk u zhduk nga aktiviteti politik dhe intelektual pas largimit nga Turqia.
Një gjurmë interesante për profilin e saj intelektual gjendet që në vitin 2014, përpara arrestimit.
Atë vit ajo botoi në revistën kulturore Panzehir një ese për poetin turk Oktay Rıfat. Teksti u ribotua në vitin 2016 nga mediat turke, ndërsa Yazıcı ndodhej ende në burg.
Media e prezantonte atë si studente të Filozofisë në Boğaziçi dhe të afërt me Grupin e Mendimit Marksist të universitetit.
Teksti është domethënës për orientimin e saj ideologjik. Duke analizuar poezinë e Rıfatit, Yazıcı e lidh artin me klasat shoqërore, punën dhe konfliktin politik dhe e sheh revolucionin poetik të lëvizjes “Garip” si një thyerje edhe me kulturën e klasave sunduese. (Sürekli Devrim)
Në vitet pasuese emri Jülide Yazıcı shfaqet në revistën marksiste Teori dhe Politikë, ku aktualisht katalogohen rreth 19 shkrime nën emrin e saj.
Temat tregojnë shumë më tepër sesa një etiketë të përgjithshme “aktiviste e majtë”.
Ajo shkruan për Kantin, Althusser-in, teorinë marksiste, shtetin, revolucionin kinez, Fidel Castron, Izraelin dhe Palestinën, çështjen kurde dhe revolucionarin komunist turk İbrahim Kaypakkaya.
Një nga punimet e saj më teorike, “Historia kundër Kantit dhe Kanti kundër historisë”, është një analizë mbi kritikën e John Dewey-t ndaj Kantit dhe raportin mes materializmit, historizmit dhe epistemologjisë.
Në një tjetër tekst të vitit 2020, “Gjuha si prodhim” Yazıcı diskuton materializmin, gjuhën dhe raportin e saj me strukturën shoqërore nga një perspektivë marksiste.
Pra, profili që del nga shkrimet e saj është më afër atij të një militanteje intelektuale marksiste sesa të një aktivisteje sporadike protestash.
“Jam pjesë e kolektivit të "Teori dhe Politikë”
Në maj 2023 emri i saj shfaqet në një simpozium ndërkombëtar kushtuar İbrahim Kaypakkaya-s në Vjenë.
Teksti i fjalimit është publikuar i plotë nga "Teori dhe Politikë", një revistë teoriko-politike marksiste turke, e botuar rregullisht që prej vitit 1996, dhe njëkohësisht emri i një kolektivi/rryme teoriko-politike marksiste.
Yazıcı prezantohet aty duke thënë: “Jam anëtare e kolektivit "Teori dhe Politikë" i cili boton me synimin për të zhvilluar teorikisht dhe ideologjikisht marksizmin në Turqi.”
Është ndoshta deklarata publike më e qartë e vetë Yazıcı-t për identitetin e saj politik.
Në të njëjtin fjalim ajo e quan İbrahim Kaypakkaya-n një figurë me rëndësi jo vetëm për marksistët turq, por edhe për “zhvillimin historik të lëvizjes marksiste botërore”.
Shkrimet e pozicionojnë atë qartësisht në të majtën revolucionare: ajo ka shkruar mbi Maon dhe Revolucionin Kinez, ka vlerësuar trashëgiminë politike të Fidel Castros dhe Kubës socialiste, ka kundërshtuar kritikat perëndimore ndaj Kinës dhe ka mbajtur një qëndrim të fortë pro-palestinez dhe kritik ndaj Izraelit dhe qeverive perëndimore.
Në korrik 2025 shkroi edhe për konceptin e “martirizimit” në lëvizjet revolucionare të Turqisë dhe Kurdistanit, duke kundërshtuar idenë se e majta duhet ta braktisë termin për shkak të origjinës së tij fetare.
Dilema e gjykatës shqiptare
Gjykata shqiptare nuk i ka dhënë zgjidhje të menjëhershme rastit të saj.
Dënimi turk ekziston. Ai nuk mund të trajtohet sikur të mos ekzistonte. Por ekziston gjithashtu edhe një vendim i një gjykate franceze, e cila ka shqyrtuar pikërisht historinë politike dhe penale të Yazıcı-t dhe ka vendosur t’i japë mbrojtjen më të fortë që mund t’i japë një shtet europian një të huaji: statusin e refugjatit.
Sipas CNDA-së, frika e saj nga përndjekja për shkak të aktivitetit politik në Turqi është e justifikuar.
Ky fakt e dallon çështjen nga një ekstradim i zakonshëm.
Konventa e Gjenevës dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut ndalojnë kthimin e një personi drejt një vendi ku ai rrezikon përndjekje, torturë apo trajtim çnjerëzor. Pikërisht këtë argument po përdorin mbrojtja e Yazıcı-t dhe organizatat që kërkojnë lirimin e saj.
Organizata franceze e majtë "Union pour la Reconstruction Communiste", URC, e cila e konsideron Yazıcı-n anëtare të saj, ka paralajmëruar se ekstradimi drejt Turqisë mund ta ekspozojë atë ndaj torturës ose trajtimit çnjerëzor dhe u ka kërkuar autoriteteve shqiptare të zbatojnë parimin e moskthimit. Gjykata shqiptare nuk ka vendosur ende nëse Jülide Yazıcı do të ekstradohet.
Ajo ka vendosur vetëm ta mbajë në burg ndërsa procedura vazhdon.
Por vendimi i së premtes e vendos Shqipërinë përballë një dileme që shkon përej njoftimit të Interpolit.
Nga njëra anë është Turqia, një partner i rëndësishëm politik dhe ekonomik i Tiranës, që kërkon një shtetase të saj për ekzekutimin e një dënimi penal.
Nga ana tjetër është Franca, një vend i Bashkimit Europian, gjykata e të cilit ka konkluduar se e njëjta grua duhet të mbrohet pikërisht nga shteti turk.
Biografia e Jülide Yazıcı-t e komplikon ekuacionin. Ajo vazhdon t'i qëndrojë bindjeve të saj. Nuk është shkëputur nga politika pas largimit nga Turqia. Përkundrazi, tekstet, konferencat dhe aktivitetet publike tregojnë vazhdimësinë e një bindjeje të deklaruar marksiste dhe të një aktiviteti politik që shtrihet nga Gezi Parku te çështja kurde, nga Kaypakkaya, te Palestina dhe Kuba.
Tani është gjykata shqiptare ajo që do të duhet të vendosë se cili prej këtyre dy realiteteve juridike peshon më shumë./ Lapsi.al