
Pas debutimit të suksesshëm kundër Bjellorusisë në Nations League, Shqipëria është përqendruar të sfida e radhës kundër San Marinos. Një kundërshtar që në histori jo vetëm e mi mundur gjithnjë, por nuk na ka shënuar kurrë asnjë gol. Vetëm se këtë herë duhet një goleadë, për të shkuar sa më të barabartë në përplasjen e Helsinkit në 3 tetor kundër Finlandës.
Me Bjellorusinë tashmë të arkivuar, sytë e kuqezinjve janë drejtuar nga San Marino. Jo ndonjë emër që ndez emocione, por kundërshtari ndaj të cilit 3 pikët jo vetëm janë domosdoshmëri, por kërkohen me një kuotë të lartë golash. Për vendin e parë në grup, në mënyrë që mos i jepen avantazhe shtesë Finlandës, duhen shënuar gola. Shumë në fakt, duke qenë se kundërshtarit të ardhshëm të Shqipërisë nordikët i shënuan 7. Të mendosh që të besuarit e Rolando Maran të mund të shkaktojnë të tillë tërmet duket si një fantazi e pastër për një skuadër që në 6 daljet e fundit ka shënuar vetëm 3 gola, dy nga të cilat në fitoren me bjellorusët.
E megjithatë, duke parë precedentët historikë me San Marinon mund të mos jetë kaq e pamundur, për më tepër që do të luhet në një stadium të mbushur me tifozë shqiptarë. Në katër ndeshje, janë jo vetëm katër fitore, por edhe me gjithmonë rrjeta të paprekura. Nga 16 gushti 2006, kur erdhi përballja e parë në një miqësore të fituar 0-3, kuqezinjtë gjithnjë kanë fituar pa probleme me San Marinon. Në 2014 erdhi një deja vu, në një tjetër miqësore të fituar po në shtëpinë e tyre e me të njëjtin rezultat, përpara se në 2021 shorti t'i vinte skuadrat në të njëjtin grup në fushatën kualifikuese të Botërorit 2022. Fitore 0-2 në transfertë në 31 e mars e një 5-0 në Tiranë në 8 shtator, që nuk është larg rezultatit që kërkohet këtë herë për të balancuar rezultatin me Finlandën, përpara se të dy ekipet të vihen përballë në 3 tetor në Helsinki.