
Nirvana u nderua me një nga vlerësimet më të rëndësishme të MTV Video Music Awards 2026.
Grupi legjendar i muzikës mori çmimin “Video Vanguard Award” gjatë ceremonisë së zhvilluar të dielën në Peacock Theater në Los Angeles.
Pas një montazhi me disa nga momentet më ikonike të grupit, në skenë për të marrë çmimin u ngjitën basisti Krist Novoselic, bateristi Dave Grohl dhe kitaristi Pat Smear.
“Faleminderit shumë fansave të Nirvana-s në mbarë botën dhe të gjithëve në MTV”, tha Novoselic gjatë fjalimit të tij.
Ai foli me vlerësim të veçantë për frontmenin e grupit, Kurt Cobain, i cili ishte këngëtari dhe kitaristi kryesor i Nirvana-s.
Novoselic theksoi se idetë pas videoklipeve të grupit lindën nga vizioni artistik i Cobain, të cilin e cilësoi si një prej artistëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.
“Askush prej nesh nuk mund ta imagjinonte se grupi, tingulli apo estetika jonë do të kishin kaq shumë rëndësi për kaq shumë njerëz”, u shpreh ai.
Në fund të fjalimit, Novoselic solli sërish në vëmendje trashëgiminë e Cobain.
“Nirvana vazhdon të jetë kaq e rëndësishme sepse njerëzit ende kërkojnë autenticitet, diçka të vërtetë. Diçka që të thotë se është në rregull të jesh vetvetja. Kurtit do t’i kishte pëlqyer kjo trashëgimi”, tha ai.
Nirvana u themelua në vitin 1987 nga Kurt Cobain dhe Krist Novoselic në Aberdeen, Washington. Grupi pati disa bateristë ndër vite, ndërsa Dave Grohl u bë një prej anëtarëve më të njohur të formacionit.
Pas vdekjes së Cobain në prill të vitit 1994, grupi u shpërbë.
Nirvana bëri debutimin në MTV VMA në vitin 1992, ndërsa gjatë viteve 1992-1994 fitoi gjithsej pesë çmime në ceremoninë prestigjioze.
Grupi kishte fituar më herët çmime për “Smells Like Teen Spirit”, “In Bloom” dhe “Heart-Shaped Box”.
Producenti i VMAs, Van Toffler, kishte pranuar para ceremonisë se ishte befasuar kur kishte mësuar se Nirvana nuk e kishte marrë më parë çmimin më të lartë të MTV-së.
“Nirvana është një grup që nuk njeh kohë. Nuk mund të mendoj për një grup tjetër që të ketë pasur një ndikim më të madh në historinë e MTV-së”, tha Toffler.
Ndërkohë, vetëm pak ditë para ceremonisë, Nirvana shënoi edhe 35-vjetorin e albumit “Nevermind”, i cili u publikua më 24 shtator 1991 dhe e çoi grupin drejt suksesit ndërkombëtar.
Albumi përmban disa prej këngëve më të njohura të grupit, mes tyre “Smells Like Teen Spirit”, “Come As You Are”, “In Bloom”, “Lithium” dhe “Drain You”.