
Madonna ishte një nga personazhet më të komentuar të MTV VMAs 2026, jo vetëm për shtatë çmimet që fitoi, por edhe për momentet e saj të papritura dhe plot humor gjatë ceremonisë.
Gjatë pranimit të çmimit “Best Dance”, Madonna u shfaq në skenë së bashku me Troye Sivan dhe Charli XCX, por pranoi hapur se nuk ishte plotësisht e qartë se për cilin projekt po merrte çmimin.
Charli XCX ndërhyri për t’i shpjeguar se trofeu ishte për filmin “Confessions II”.Madonna vazhdoi me batutat e saj, duke iu kërkuar Sivan dhe Charli XCX të afroheshin.
“Mos qëndroni kaq larg. Ejani këtu”, u tha ajo. Më pas, këngëtarja falënderoi regjisorët David Toro dhe Solomon Chase për punën e tyre në projekt.
Por Madonna nuk u ndal me kaq. Këngëtarja e “Like a Virgin” e nisi fjalimin e pranimit të çmimit duke hequr xhaketën e saj prej lëkure dhe duke bërë sikur po nxirrte “këtë gjë nga të pasmet”, për të cilën tha se kishte qenë “aty gjithë natën”.
Më vonë, u përpoq ta sqaronte shakanë.
“Ju nuk e kuptuat shakanë time, apo jo? Për lazerin në të pasme. E kuptuat?”, pyeti ajo publikun, duke iu referuar performancës së saj hapëse në ceremoninë e ndarjes së çmimeve.
“Ishte aty gjithë natën dhe pastaj e hoqa. Gjithsesi”, shtoi ajo.
Madonna e përfundoi fjalimin duke folur me entuziazëm për dashurinë e saj për kërcimin.
“Kërcimi i bashkon të gjithë. Në pistën e kërcimit jemi të gjithë të barabartë.”
Përdoruesit e rrjeteve sociale e vlerësuan Madonna-n, e cila ishte artistja më e shpërblyer e mbrëmjes me shtatë çmime, edhe për faktin se pranoi se nuk e dinte saktësisht për çfarë po merrte një prej trofeve.
Por vëmendjen e madhe e mori edhe një tjetër moment, kur ajo vuri në qendër të vëmendjes Sabrina Carpenter gjatë pranimit të çmimit për “Best Collaboration”.
Kur të dyja u ngjitën në skenë, Madonna, e cila me shaka u shfaq si “e paduruar”, tregoi se si kishte lindur bashkëpunimi i tyre për këngën “Bring Your Love”.
“Kur kaluan pesë ditë dhe ende nuk isha lidhur me Sabrina-n dhe nuk kisha dëgjuar prej saj nëse donte të bënte një këngë me mua — pesë ditë! — i dërgova një mesazh privat”, tregoi Madonna.
Carpenter, 27 vjeç, e priti me të qeshur batutën, por më pas këmbënguli të sqaronte situatën:
“Ekipi im po çmendet prapa skene. Ekipi im përgjigjet! Vetëm që ta dinë të gjithë, ata u përgjigjen njerëzve!”
“Unë përgjigjem më shpejt”, shtoi ajo. “Kështu që kontakti direkt me mua është gjithmonë mënyra më e mirë për të më kontaktuar.”
Momenti u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.
Një përdorues në X reagoi me fjalën “ouch”, ndërsa një tjetër shkroi se Carpenter dukej “e shokuar nga guximi” i Madonna-s.
Të tjerë pretenduan se këngëtarja e “Espresso” dukej sikur po përpiqej t’ia shkurtonte fjalimin Madonna-s, pasi kjo e fundit “vazhdonte të thoshte gjëra pa lidhje”.
Madonna dhe Sabrina Carpenter e nisën ceremoninë duke performuar së bashku këngën e tyre “Bring Your Love”, ndërsa më pas Charli XCX iu bashkua Madonna-s për performancën e “Danceteria”. Kjo ishte performanca e parë e Madonna-s në MTV VMAs pas më shumë se dy dekadash.