
Partitë opozitare në Greqi i kanë kërkuar qeverisë të japë shpjegime pas një raportimi të “Wall Street Journal”, sipas të cilit ambasadorja amerikane në Greqi dyshohet se ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kishin qenë të përfshira në rrëzimin e qeverisë së Rumanisë dhe se mund të bënin të njëjtën gjë edhe në Greqi.
Sipas “Wall Street Journal”, ambasadorja amerikane Kimberly Guilfoyle dyshohet se i bëri këto deklarata gjatë një darke në muajin mars, ku merrnin pjesë zyrtarë grekë dhe amerikanë.
Duke iu referuar rrëzimit të pritshëm të qeverisë së qendrës së djathtë të Ilie Bolojan në Rumani, Guilfoyle dyshohet se i tha ministrit grek të Energjisë, Stavros Papastavrou, se Shtetet e Bashkuara kishin qenë të përfshira në largimin e saj nga pushteti.
“Ne mund t’ia bëjmë këtë çdo vendi që duam. Mund ta bëjmë edhe këtu”, citohet të ketë thënë Guilfoyle, sipas një personi që kishte marrë pjesë në darkë dhe personave të tjerë që ishin informuar më pas për incidentin.
Sipas burimeve të gazetës, Papastavrou iu përgjigj se Shtetet e Bashkuara nuk mund ta zëvendësonin qeverinë greke, pasi ajo ishte zgjedhur nga populli. Avokati i Guilfoyle e ka kundërshtuar versionin e bisedës të paraqitur nga “Wall Street Journal”.
“Qeveria, dhe konkretisht ministritë kompetente të Punëve të Jashtme dhe të Mjedisit dhe Energjisë, janë të vetmet që kanë autoritetin për të dhënë çdo shpjegim të nevojshëm dhe për t’iu përgjigjur vërtetësisë së raportimit të publikuar”, deklaroi PASOK në një njoftim për shtyp.
“Greqia është një demokraci e pavarur dhe sovrane dhe ka për detyrë të veprojë si e tillë në çdo rast dhe ndaj të gjitha palëve, pa përjashtim”, shtoi partia.
Aleanca e së Majtës Greke (ELAS) i cilësoi deklaratat e pretenduara si “të paprecedenta dhe të papranueshme”.
“Qeveria vazhdon të heshtë, pa e konfirmuar dhe pa e mohuar incidentin. Për këtë arsye, i bëjmë thirrje qeverisë Mitsotakis t’i sqarojë menjëherë popullit grek nëse incidenti në fjalë ka ndodhur vërtet; nëse po, përse është mbajtur i fshehtë që prej muajit mars; dhe nëse, dhe në çfarë mënyre, ka reaguar qeveria.”
Edhe SYRIZA deklaroi se zbulimet “janë jashtëzakonisht serioze dhe qeveria nuk mund të vazhdojë të heshtë”.
“Nëse janë të vërteta, nuk kemi të bëjmë me një incident të thjeshtë diplomatik, por me një cenim të vetë sistemit qeverisës të vendit”, deklaroi partia.
SYRIZA i kërkoi gjithashtu qeverisë të shpjegojë përse këmbëngul në promovimin e Korridorit Vertikal të Gazit dhe në “rritjen e mëtejshme të varësisë së Greqisë nga LNG-ja amerikane”.
Partia Komuniste e Greqisë (KKE) deklaroi se qeveria “mban një përgjegjësi të rëndë”, duke iu referuar edhe vizitës së pritshme në Greqi, brenda pak ditësh, të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio. Sipas KKE-së, vizita synon avancimin e mëtejshëm të planeve amerikane në rajon dhe rinovimin e marrëveshjes strategjike Greqi-SHBA.
Guilfoyle ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e Korridorit Vertikal të Gazit, një projekt rajonal infrastrukture që synon transportimin e gazit nga Greqia, përmes Bullgarisë dhe Rumanisë, drejt Europës Qendrore dhe Lindore, si një alternativë ndaj gazit rus./ Përkthyer nga Ekathimerini.com
