Flash

Rama pretendon se e ka zhvilluar vendin deri në atë pikë sa ka rritur pritshmëritë. Po ç`thonë shifrat?

Pabesia e shifrave. Të fundit në Evropë dhe rajon për pagën minimale. me rrezikun më të madh të rënies në varfëri. Dhe me 52% të familjeve që s'bëjnë dot as një javë pushime në vit sipas Eurostat

Lapsi.al 1 August 2026

 

Kryeministri ka ngritur një teori për protestat masive që kërkojnë dorëheqjen e tij prej dy muajsh. Sipas tij në 13 vite në pushtet ai e ka çuar vendin aq përpara sa kjo ka rritur pritshmërinë e njerëzve që nuk e masin më punën e qeverisë me plotësimin e mungesave, por me pritshmërinë që ata kanë për të nesërmen. Por kjo teori absurde që reket të mohojë realitetin, të mos shikojë korrupsionin, të mos konstatojë shërbimin e keq në spitale, shkolla, apo hipoteka e zyra shteti, rrëzohet kryekëput edhe nga shifrat. 

Pikërisht në kulmin e sezonit veror kur propaganda qeveritare të shurdhon me parajsën e Shqipërisë turistike, Eurostat, tregon me statistika se më shumë se gjysma e banorave të këtij vendi nuk kanë mundësi të bëjnë as një javë pushime në vit. Sipas zyrës statistikore të Bashkimit Evropian, roli i së cilës është të mbledhë, harmonizojë dhe publikojë statistika të krahasueshme për vendet anëtare të BE-së, si edhe për disa vende partnere dhe kandidate, 53% e familjeve shqiptare nuk e arrijnë dot këtë objektiv për shkak të gjendjes së tyre financiare.

Për të kuptuar rëndësinë e kësaj shifre majfton të bëhet një krahasim. Mesatarja e Bashkimit Europian është rreth 27%, ndërsa në vendet me të ardhura më të larta, përqindja është dukshëm më e ulët. Në Gjermani dhe Irlandë, vetëm një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi, niveli zbret në rreth 12-13%. 

Edhe në krahasim me rajonin pamundësia e familjeve shqiptare është e dukshme. Në Serbi, vetëm 36% e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet ndërsa edhe në Maqedoni qytetaret kanë më shumë mundësi në krahasim me ne. Dhe të jemi të qartë, në këtë statistikë të Eurostat nuk matet nëse një person ka shkuar realisht me pushime, por nëse familja ka mundësi financiare të paguajë një javë larg shtëpisë. Nëse një familje zgjedh të mos udhëtojë për arsye personale, ajo nuk llogaritet në këtë klasifikim.

Po kaq poshtë renditemi edhe përsa i përket pagës minimale për të cilën klasifikohemi të fundit në Evropë. Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat-it, të nxjerra nga revista Monitor, paga minimale në Shqipëri është 517 euro në muaj. Për në krahasim statistikat e Eurostat-it tregojnë se, më 1 janar 2026, paga minimale në vendet e Bashkimit Europian varionte nga 620 euro në Bullgari deri në 2 704 euro në Luksemburg. Edhe pse Bullgaria mbetet vendi me pagën minimale më të ulët në BE, niveli i saj është tashmë 103 euro më i lartë se ai i Shqipërisë. Në rajon, Shqipëria renditet sërish e fundit. Maqedonia e Veriut ka një pagë minimale prej 586 eurosh, Serbia 744 eurosh, ndërsa Mali i Zi prej 670 eurosh. Kjo do të thotë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që raportohen nga Eurostat-i kanë paga minimale më të larta se Shqipëria.

Rritja e pagës minimale në 50 mijë lekë, nga 1 janari 2026, e çoi vlerën e saj në 517 euro, falë edhe kursit të këmbimit të lekut me euron. Por kjo nuk e ka ndryshuar pozicionin e Shqipërisë në renditjen europiane, pasi vendet e rajonit i kanë rritur me ritme më të shpejta pagat minimale gjatë viteve të fundit.

Pra. mjafton tu referohesh shifrave për ta shfryrë tollumbacen propagandistike të Edi Ramës. Edhe nëse kryeministri flet për një vend me GDP më të lartë dhe me buxhet më të madh gjatë viteve të fundit, kjo nuk tregon domosdoshmërisht më shumë mirëqenje për të gjithë. Nga shklyerja e pasurisë kombëtare kanë përfituar gjithnjë e më pak duar. Të pasurit janë bërë gjithnjë e më të pasur, ndërsa të varfëtit gjithnjë e më të varfër. Sipas Indeksit GINI që përdor Banka Botërore për të matur pabarazinë e të ardhurave, ajo ka ardhur gjithnjë duke u thelluar nga viti 2014, kur Rama ishte në fillim të pushtetit e deri në vitin 2020 kur ekzistojnë matjet e fundit. Edhe sipas sipas treguesit që përdor Banka Botërore AROPE (At Risk of Poverty or Social Exclusion), Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të personave që gjenden në rrezik varfërie ose përjashtimi social në Evropë. Më shumë  4 në 10 banorë në Shqipëri (42-43%) përballen me të paktën një nga tre format e rrezikut: të ardhura të ulëta, privim material/social ose intensitet shumë të ulët pune në familje. Ndërsa në Evropën perendimore kjo shifër zbret në 21.0%, vendet e rajonit klasifikohen kështu:

 

Shqipëria
rreth 42–43%
Maqedonia e Veriut
rreth 32–34%
Mali i Zi
rreth 30%
Serbia
rreth 26–28%
Mesatarja e BE-së
21.0% (2024)

Pra edhe në krahasim me Ballkanin Perendimor, jemi vendi me rrezikun më të madh të rënies në varfëri dhe përjashtimit social. 

Këto statistika të nxjera nga instititucionet më prezitgjoze ndërkombëtare tregojnë qartë se ata dhjetra mijra njerëz që kanë protestuar, dhe shumëfishi i tyre që i përkrahin, nuk janë një popull me pritshmëri të rritura, por qytetarë që ndihen të vjedhur dhe të privuar nga ndarja e pasurisë kombëtare.

LAPSI.AL

 

Të këshilluara

Procesi Veliaj/ Ina Rama si limon i shtrydhur i mediave të rilindjes

Ish Prokurorja e Përgjithshme është gjendur krejt papritur një vorbullën e një goditje të iniciuar nga Erion Veliaj, duke u shndërruar në një efekt kolateral të përpjekjeve për të shpëtuar kryebashkiakun në detyrë të Tiranës permes delegjitimimit te Olsi Dados

16:48

Vatikani jehonë protestave shqiptare: “Të dëgjohet zëri i qytetarëvë"

Shqipëri: protestat në rrugë vazhdojnë. Çdo mbrëmje në kryeqytet zhvillohen marshime dhe grumbullime të vazhdueshme, të përbëra kryesisht nga të rinj, të cilët janë shndërruar në motorin e vërtetë të asaj që tashmë njihet si "Revolucioni i Flamingove". Protesta nuk kufizohet më vetëm te çështjet urbanistike dhe mjedisore, por është kthyer në një lëvizje kundër korrupsionit, mungesës së transparencës në investimet strategjike, emigrimit të të rinjve dhe shpopullimit të vendit.

13:26

ide

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Ata që shohin vjedhjen e Agron Shehajt nga koteci i Edi Ramës

Çmenduri të tilla, kur një pushtet prek fundin, janë të njohura. Grupe armiqësore, gazetarë puçistë, elementë të rekrutuar nga shtete armiqësore etj, historia jonë politike ka me shumicë, por vetëm Edi Rama ia ka dalë që në 10 vitet e fundit t’i njehsojë, gati- gati të duken si një fytyrë e vetme të gjithë ata që i shërbejnë.

16:41 Armand Shkullaku

MOTI TIRANA

37°c

KËMBIMI EURO

93.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Kryeministri po flet me veten

Dy fenomenet që Rama identifikoi si problemet themelore të qeverisjes, arroganca dhe mungesa e empatisë, janë tiparet e tij dalluese.  Ku ka zyrtar më arrogant dhe jo-transparent se kryeministri në qeverinë Rama? Si mundet Rama ti kërkojë ministrave të përfshijnë qytetarët në vendimarrje, kur ai vetë nuk i përfshin ministrat në vendimmarrjen e tij?

17:33 Blendi Kajsiu

Me sytë katër

PAPARAZZI