
Pasionin për mjetet e luksit, Ermal Beqiri arkitekti i kartelit të korrupsionit tek AKSHI nuk e ka ndalur edhe gjatë ditëve të arratisë. Pasi u largua nga Shqipëria, prokurorët e SPAK thanë se ai la pas një jaht afro 1 milion euro, të quajtur “Skyfall”, të cilin ia kishte kaluar formalisht një punonjëseje me pasaportë bullgare. Në Francë, Beqiri u kap duke fluturuar mbi një avion të vogël civil që e çoi përfundimisht në duart e policisë, pasi fluturoi në mënyrë të dyshimtë mbi një central bërthamor në Normandi.
Sipas të përjavshmes franceze Le Journal du Dimanche, avioni u diktua të shtunën pasdite mbi centralin bërthamor të Penly, në departamentin Seine-Maritime. Piloti po fluturonte në lartësinë 3.700 këmbë, rreth 1.200 metra, por e uli papritur avionin në 3.500 këmbë, duke hyrë nën kufirin e lejuar mbi një zonë të klasifikuar si tepër e ndjeshme.
Forcat Ajrore dhe Hapësinore Franceze reaguan menjëherë, duke dërguar një mjet ajror për ta shoqëruar avionin deri në aeroportin e Albert, në departamentin Somme. Në pistë e prisnin forcat e policisë. Piloti u arrestua dhe u vendos në ndalim policor.
Identiteti i tij ngriti menjëherë alarmin: Ermal B., shtetas shqiptar, person i njohur nga drejtësia franceze dhe shqiptare për çështje që lidhen me mashtrimin financiar, veprimtarinë e organizuar kriminale dhe piraterinë kompjuterike. Të dhënat e publikuara nga media franceze përputhen me profilin e Ermal Beqirit, biznesmenit të shpallur në kërkim në Shqipëri për dosjen e tenderave të AKSHI-t, ndaj të cilit GJKKO kishte caktuar masën “arrest me burg”.
Por ajo që e bëri ndalimin edhe më të pazakontë ishte zbulimi i tri pajisjeve AirTag, të fshehura në rrobat e tij. Këto pajisje të prodhuara nga Apple shërbejnë për lokalizimin e objekteve dhe mund të përdoren edhe për gjurmimin e personave.
Mediat franceze raportojnë dyshimet se Ermal Beqiri mund të ketë vepruar nën kontrollin apo presionin e një personi tjetër. Por nuk përjashtohet mundësia që ai të mbante një AirTag me vete për çdo të papritur, në rast rreziku për atë që mund t’i ndodhte, duke qenë se në Shqipëri ishte i përfshirë në një nga skandalet më të bujshme të viteve të fundit, ku përmenden disa nga bandat më të rrezikshme dhe lidhjet shkojnë lart në qeveri.
Beqiri ka deklaruar se kishte ngatërruar lartësinë dhe se, në momentin kur kaloi mbi centralin bërthamor, po fliste në telefon me të ëmën. Një justifikim thuajse banal për një incident që përfshiu aviacionin ushtarak francez për shkak të objektit mbi të cilin u krye fluturimi.
Për autoritetet franceze, hetimi sapo ka nisur. Për drejtësinë shqiptare, Ermal Beqiri konsiderohet një nga figurat qendrore të mekanizmit kriminal që, sipas SPAK-ut, ktheu AKSHI-n dhe tenderat e teknologjisë shtetërore në një industri për vjedhjen sistematike të parave publike.
“Arkitekti” i grabitjes së parave publike tek AKSHI

Në skemën e përshkruar nga Prokuroria e Posaçme për skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Ergys Agasi paraqitet si njeriu që bashkonte biznesin, pushtetin dhe krimin, ndërsa ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, si mburoja me lidhjet e duhura që mundësonte paracaktimin e procedurave.
Ermal Beqiri ndërkohë ishte krahu operacional i strukturës: pronari i “Soft & Solution”, njeriu që kontrollonte kompanitë përfituese, koordinonte marrëdhëniet mes tyre dhe, sipas hetimit, eliminonte pengesat që shfaqeshin gjatë ndarjes së tenderave.
Në pamjet dhe bisedat e sekuestruara në zyrat e Agasit, Beqiri shfaqet në takime me Agasin dhe Karçanajn, ku diskutohet hapur për procedura prokurimi dhe fryrjen e kostove. Në një prej bisedave të datës 16 mars 2024, të cituar në dosjen hetimore, Agasi thotë:
“Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë katër milion. Shife çdo bëj unë tashi, kë do t’ia japim projektin. Do çuditen fare.”
Kompania e Ermal Beqirit, “Soft & Solution”, ishte një nga shtyllat financiare të sistemit. Vetëm për vitin 2024, ajo raportonte më shumë se 1 miliard lekë fitim të pashpërndarë dhe afro 2 miliardë lekë asete. Me paratë e grumbulluara kryesisht nga kontratat publike, kompania bleu edhe një njësi shërbimi prej 930 metrash katrorë në rrugën “Çerçiz Topulli”, me vlerë rreth 2.5 milionë euro.
-
Dosja e SPAK/ Si e mori në qafë Rama aventurierin Ergys Agasi
23 Dhjetor, 18:43
Krahas “Soft & Solution”, në dosje dalin “Fastech”, “First”, “Albascan” dhe kompani të tjera që, sipas SPAK-ut, bashkëpunonin për të fituar kontratat, për të faturuar shërbime të dyshimta dhe për të transferuar më pas një pjesë të parave drejt “EA Solution”, kompania e kontrolluar nga Ergys Agasi.
Tendera në letër, dhjetëra miliona euro në llogari
“EA Solution” e Ergys Agasit rezultoi nga hetimet si një kompani që faturonte shërbime teknologjike me vlerë miliona euro, por pa pasur kapacitetet njerëzore dhe teknike për t’i realizuar ato. Punonjës që figuronin në listëpagesat e saj deklaruan se ishin rekrutuar dhe menaxhoheshin nga strukturat e “Soft & Solution” të Beqirit, ndërsa disa prej tyre nuk e dinin se punonin formalisht për kompaninë e Agasit.
Sipas të dhënave të dosjes, vetëm gjatë periudhës dhjetor 2024–shtator 2025, “EA Solution” arkëtoi rreth 29 milionë euro nga kompani që përfitonin tendera të AKSHI-t. Pagesat paraqiteshin si kontrata tregtare, konsulencë apo shërbime teknologjike, por prokurorët dyshojnë se ato përdoreshin për të kamufluar ryshfetet dhe për të pastruar produktet e veprës penale.
Në total, SPAK ka identifikuar të paktën 19 procedura prokurimi të dyshuara, me një vlerë rreth 5.9 miliardë lekë, ose afro 59 milionë euro pa TVSH. Tenderat preknin sisteme veçanërisht sensitive: regjistrat shtetërorë, dokumentet e identifikimit, nënshkrimin elektronik, sigurinë e burgjeve, sistemet e Policisë së Shtetit, sigurinë ushqimore dhe atë të barnave.
Pra, grupi nuk dyshohet se mori vetëm paratë. Atij iu dha akses në arteriet kryesore të shtetit digjital.
Nga tenderat te pengmarrja

Kur manipulimi i procedurave dhe ndihma nga drejtuesja e institucionit Mirlinda Karçanaj nuk mjaftonte, hynin në lojë të fortët.
Rasti më i rëndë është pengmarrja e biznesmenit Gerond Meçe, aksioner i kompanisë “Advanced Business Solutions”, e cila kishte ankimuar një numër tenderash të AKSHI-t pranë Komisionit të Prokurimit Publik.
Më 12 gusht 2025, Meçe u mor pranë banesës së tij nga persona të veshur me uniforma të rreme të BKH-së. “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne”, i thanë, përpara se ta fusnin në një “Range Rover Defender” të zi.
Pasi u larguan nga Tirana, rrëmbyesit i vendosën një kapuç në kokë dhe e çuan në një ndërtesë të braktisur pranë fshatit Graçen. Atje i treguan një tabelë me tenderat e ankimuar nga kompania e tij dhe e kërcënuan që të tërhiqej.
Mesazhi, sipas dëshmisë së tij, ishte i drejtpërdrejtë: “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti.”
Prokuroria dyshon se pengmarrja u organizua nga Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri për të larguar një konkurrent që po bllokonte tenderat. Në ambientet e Agasit u gjetën gjithashtu kontrata pronash dhe të dhëna të tjera që, sipas hetuesve, krijonin ura kontakti me eksponentë të krimit të organizuar në Elbasan.
Jeta e luksit me paratë e fituara tek AKSHI

Fitimet e dyshuara nga tenderat nuk mbetën vetëm në bilancet e kompanive. Ato u shndërruan në vila, apartamente, toka, makina, njësi biznesi dhe mjete lundruese.
Beqirit iu sekuestruan pasuri në “Green Coast”, në rrugën “Hoxha Tasim”, në “Rolling Hills”, një apartament në Golem, një njësi shërbimi në Tiranë, automjete, llogari bankare dhe jahti “Skyfall”.
Jahti ishte importuar në qershor 2025 për rreth 930 mijë euro, pa përfshirë taksat. Po atë ditë që u zhdoganua, Beqiri ia kaloi me kontratë dhurimi Xhenila Tamizit, punonjëse dhe administratore e kompanisë “Horizon”.
Në prill 2026, SPAK njoftoi sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 40 milionë euro në ngarkim të Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit, Ermal Beqirit dhe personave të tjerë të përfshirë në dosje. Lista përfshinte prona, kompani, automjete, llogari bankare dhe jahtin “Skyfall”.
Në letër, goditja dukej e rëndë. Dy nga njerëzit kryesorë të grupit ishin shpallur në kërkim dhe pasuria e tyre deklarohej e ngrirë.
Por arrestimi i Beqirit në Francë, në komandën e një avioni civil, ngre një pyetje që nuk mund të shmanget: sa nga pasuria reale e këtij grupi është identifikuar dhe bllokuar në të vërtetë?
Përdorimi i një avioni privat kërkon para, dokumentacion, rrjet logjistik dhe liri të konsiderueshme lëvizjeje. Të gjitha këto janë të vështira për t’u pajtuar me figurën e një të arratisuri të cilit i janë ngrirë burimet financiare.
Kështu, fakti që SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë mbi 40 milionë euro nuk provon domosdoshmërisht se ka gjetur 40 milionët e fundit të grupit. Përkundrazi, mënyra se si një prej personave më të kërkuar vazhdonte të lëvizte në Francë dhe të pilotonte një avion tregon se struktura financiare e krijuar rreth tij ka mbijetuar përtej sekuestros së shpallur publikisht.
Dhe kjo tregon se SPAK mund të ketë sekuestruar jahtin “Skyfall”, por paratë e kartelit të AKSHI-t nuk kanë të mbaruar./Lapsi.al




