
Në çdo rast kur në diskutim është një qëndrim për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Edi Rama mendon të kurdisë ndonjë kurth për opozitën. E ka bërë këtë edhe me miratimin e marrëveshjen ushtarake, me vlerë 302 milionë dollarëshe me Shtetet e Bashkuara.
Duke e sjellë për ratifikim me procedurë të përshpejtuar, vetëm pak orë para votimit në Kuvend, mazhoranca e vuri Partinë Demokratike përballë një situate të vështirë: ose të pranonte një procedurë që e konsideron antikushtetuese dhe të shkelte mbi veten, ose të refuzonte votimin e një marrëveshjeje strategjike me aleatin kryesor të Shqipërisë. Një dilemë që për opozitën erdhi në një moment kur administrata Trump e ka vendosur forcimin e kapaciteteve ushtarake të aleatëve europianë në qendër të politikës së saj dhe kur Shqipëria pritet të presë samitin e ardhshëm të NATO-s.
Paradoksi është se dokumenti nuk ishte aspak urgjent. Qeveria e kishte miratuar në parim që më 19 qershor, ndërsa më 11 qershor ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, kishte zhvilluar në Uashington një takim me drejtuesit e Defense Security Cooperation Agency (DSCA) për avancimin e projekteve të përbashkëta. Megjithatë, marrëveshja u soll si surprizë në Kuvend dhe me procedurë të përshpejtuar, duke u lënë deputetëve vetëm pak orë kohë për t’u njohur me përmbajtjen e saj.
Madje, për shkak të klasifikimit të dokumentit, deputetët nuk mund ta merrnin kopjen me vete. Ata duhej të firmosnin deklaratën e konfidencialitetit dhe ta lexonin marrëveshjen vetëm në një ambient të posaçëm të Kuvendit, përpara se të hynin në seancën e orës 15:00.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, sqaroi se procedura e përshpejtuar ishte kërkuar nga deputetët e Partisë Socialiste, ndërsa theksoi se përmbajtja e marrëveshjes mund të konsultohej vetëm sipas rregullave të konfidencialitetit.
Nga foltorja e Kuvendit, Taulant Balla e cilësoi marrëveshjen si “historike”, duke deklaruar se ajo është “një marrëveshje me një rëndësi të veçantë që konfirmon fuqishëm marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë me aleatin e SHBA.”
Sipas Ballës, ajo “shkon përtej termave financiare, dëshmi konkrete e besimit të SHBA që kanë ndaj Shqipërisë dhe rolit gjithnjë e më të rëndësishëm që vendi ynë luan.” Ai shtoi se financimi “do të përdoret ekskluzivisht për modernizimin e Forcave të Armatosura, pajisje dhe shërbime të mbrojtjes sipas standardeve të NATO-s.”
Marrëveshja parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh në kuadër të programit amerikan Foreign Military Financing (FMF). Fondet do të disbursohen sipas nevojave të Ministrisë së Mbrojtjes, Shqipëria do të ketë 48 muaj për t’i aktivizuar dhe 12 vjet për shlyerjen e tyre, ndërsa përdorimi i tyre do të monitorohet nga DSCA, agjencia e Pentagonit që administron programet amerikane të bashkëpunimit ushtarak me vendet partnere.
Partia Demokratike nuk e kundërshtoi marrëveshjen, por nuk pranoi mënyrën se si ajo u soll në Kuvend. Gazment Bardhi argumentoi se procedura binte ndesh me Kushtetutën dhe kërkoi që dokumenti të shqyrtohej fillimisht në komisionet parlamentare, përpara se të hidhej në votim në një seancë tjetër. Duke iu referuar nenit 83 të Kushtetutës, ai paralajmëroi se opozita do ta ankimojë procedurën në Gjykatën Kushtetuese.
Në debat, Bardhi u shpreh: “Na flisni për marrëveshje historike, por keni pasur 14 vjet kohë për t’i përmbushur detyrimet në fushën e sigurisë. Nëse fondet publike nuk do të ishin keqpërdorur përmes korrupsionit, Shqipëria nuk do të kishte nevojë të merrte hua të tillë.”
Edhe Sali Berisha ngriti të njëjtin argument procedural. Sipas tij, marrëveshja kishte mbërritur prej muajsh nga autoritetet amerikane dhe ishte miratuar nga Qeveria më 19 qershor, ndaj nuk kishte asnjë arsye objektive që të sillej në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.
Në fund, opozita zgjodhi të mos marrë pjesë në votim. Në një njoftim për mediat, Partia Demokratike sqaroi se i thotë PO marrëveshjes me SHBA, por i thotë "Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament!".
Pikërisht këtu duket edhe llogaria politike e Edi Ramës. Duke e lidhur një debat procedural me një marrëveshje të rëndësishme me Shtetet e Bashkuara, ai sapo krijoi kushtet që refuzimi i procedurës të interpretohet si refuzim i vetë marrëveshjes.
Edhe pse demokratët deklaruan se mbështesin përmbajtjen e saj dhe kundërshtojnë vetëm mënyrën e miratimit, mungesa e tyre në votim pritet t’i hapë rrugë retorikës së Partisë Socialiste, se opozita, edhe kur bëhet fjalë për partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, zgjedh bojkotin./Lapsi.al