
Hetimet për shpërthimin vdekjeprurës në lagjen Plaka të Athinës që u mori jetën 6 personave, 3 prej të cilëve me origjinë shqiptare, kanë zbuluar edhe shkakun e ngjarjes.
Pas një hetimi 34-ditor nën mbikëqyrjen e prokurorisë, u identifikuan dhe u arrestuan 2 grekë dhe 1 shqiptar, të akuzuar për sabotimin e tubave të instalimit të gazit natyror që furnizonte godinën, me qëllim vjedhjen e bakrit të tyre. Ishte pikërisht ky akt që shkaktoi shpërthimin vdekjeprurës.
Sipas gazetës greke Protothema, informacionet e mbledhura zbuluan se disa orë para shpërthimit, tre burrat iu afruan ndërtesës me qëllim vjedhjen. Dy hynë me forcë në ndërtesë dhe u përpoqën të hiqnin tubat. Gjatë përpjekjes së tyre, ata prenë një nga tubat e furnizimit me gaz natyror, gjë që shkaktoi rrjedhjen e gazit.

Gazi natyror u shpërnda në hapësirë, duke u akumuluar në katin e dytë ku jetonte çifti i moshuar dhe në një moment, kur gruaja u ngrit dhe ndoshta, hapi një çelës, ndodhi shpërthimi.
Sipas asaj që kanë fiksuar kamerat e sigurisë, flakët nga shpërthimi mund të shihen si në katet e sipërme ashtu edhe në katin përdhes, dhe kjo për shkak se e gjithë hapësira ishte mbushur me gaz natyror. Një furgon i zi që shihet në foto është një furgon shkolle që, për mrekulli, kaloi pranë pak para se ndërtesa të hidhej në erë. ©LAPSI.al
