Flash

Nga vrasja te pengmarrja, drama në Roskovec mbyllet me vetëvrasjen e autorit

Familjarët e viktimave e quajnë një “krim të paralajmëruar”, ndërsa policia po heton të gjitha rrethanat që çuan në tragjedinë e kësaj të premteje në Roskovec.

Lapsi.al 24 July 2026

Pak pas orës 05:00 të mëngjesit, qetësia e fshatit Vidhisht në Roskovec u thye nga të shtënat e një arme gjahu. Kur fqinjët dolën në ballkone për të kuptuar se çfarë po ndodhte, tragjedia kishte nisur të konsumohej. 

Brenda pak minutash, Kosta Plaku kishte mbetur i vrarë, bashkëshortja e tij Bejlere Plaku ishte plagosur rëndë, ndërsa vajza e tyre, Rozalinda, ishte marrë me forcë nga ish-partneri i saj, 35-vjeçari Nertil Buzi, i njohur edhe me emrin Refit Buzi.

“Dëgjova krisma në 5 të mëngjesit. Ishim në gjumë. Dola në ballkon dhe pashë që ishte nga shtëpia e xhaxhait. I bija telefonit të policisë dhe nuk përgjigjej”, rrëfeu nipi i viktimës për mediat që rrethuan shtëpinë disa orë më vonë.

Sipas hetimeve paraprake, Buzi shkoi i armatosur në banesën e ish-të fejuarës. Lidhja mes tyre kishte marrë fund prej kohësh, por, sipas familjarëve të vajzës, ai nuk e kishte pranuar kurrë ndarjen. Fillimisht qëlloi ndaj prindërve të saj. Babai humbi jetën në vend, ndërsa nëna u plagos rëndë. Më pas mori me forcë 24-vjeçaren dhe u largua me makinë drejt zonës së ish-fushës së aviacionit në Kurjan.

Aty nisi një dramë tjetër, që zgjati për orë të tëra. Policia ngriti postblloqe, ndërsa në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA. Për shkak të rrezikshmërisë së autorit, u krijua një perimetër sigurie dhe negociatorët nisën përpjekjet për ta bindur të dorëzohej.

Rreth orës 10:15, pas negociatave të para, policia arriti të nxirrte të gjallë Rozalindën. E reja u lirua pa dëmtime fizike dhe u dërgua më pas për të dhënë dëshminë e saj. Por autori nuk pranoi të dorëzohej. I mbyllur brenda automjetit, ai vazhdonte të përsëriste të njëjtën fjali: “Mos m’u afroni se do të vras veten.”

Negociatat vazhduan gjatë gjithë ditës. Snajperët e RENEA-s zunë pozicione, ambulanca dhe dhjetëra forca policie qëndruan në gatishmëri, ndërsa autori refuzonte çdo thirrje për t’u dorëzuar. Pas më shumë se gjashtë orësh rrethim, rreth orës 16:35, ai qëlloi veten me armën e gjahut që mbante në makinë, duke i dhënë fund jetës. Me vetëvrasjen e tij mori fund edhe operacioni policor që kishte mbajtur nën tension gjithë zonën.

Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Fierit vijonte beteja për jetën e Bejlere Plakut. Ajo iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati më shumë se pesë orë dhe ndodhet në terapi intensive, në gjendje të rëndë.

Teksa hetimet po vazhdojnë për të zbardhur të gjitha rrethanat, familjarët e viktimave këmbëngulin se kjo nuk ishte një tragjedi e papritur. Për ta, ishte fundi i një historie kërcënimesh, përndjekjesh dhe denoncimesh që, sipas tyre, nuk morën përgjigjen e duhur nga institucionet.

“Kjo është një ngjarje e paralajmëruar. Vajza e denonconte, policia e arrestonte dhe prokuroria nuk bënte asgjë dhe ai dilte prapë”, tha nipi i viktimës. Sipas tij, 35-vjeçari nuk e pranonte ndarjen dhe e përndiqte vazhdimisht ish-partneren.

Edhe të afërm të tjerë të familjes Plaku tregojnë se ai e kishte kërcënuar vajzën edhe në Tiranë. “Ai ka kërcënuar me armë vajzën në Tiranë. E ka marrë policia dhe e ka nxjerrë pas një muaji”, tha nipi, ndërsa vëllai i viktimës shtoi se autori kishte hyrë disa herë në burg dhe ishte liruar sërish. “I thoshte vajzës: ‘Ti pa mua nuk jeton’”, rrëfeu ai.

Kunata e viktimës jep një dëshmi të ngjashme. “I dhunshëm ka qenë ai. Vajza ishte e frikësuar. Gjithnjë e kërcënonte. Edhe në Tiranë i ka dalë para vajzës me pistoletë. Vajza kishte urdhër mbrojtje”, tha ajo.

Por këto pretendime u kundërshtuan nga drejtori i Policisë së Fierit, Erion Ahmeti, i cili deklaroi se në momentin e ngjarjes autori “nuk ka qenë me masë sigurie”, ndërsa hetimet do të verifikojnë të gjithë historikun e denoncimeve dhe procedimeve të mëparshme.

Një version krejt tjetër vjen nga familjarët e autorit. Ata pretendojnë se konflikti kishte lindur edhe për shkak të një shume parash që Buzi thoshte se ia kishte dërguar ish-të fejuarës gjatë kohës që punonte në Angli. “Iku çuni andej, ky i dërgonte paratë. Nuk e di pse e la, por pse i mori lekët?”, thanë ata, duke këmbëngulur se të rinjtë kishin qenë të fejuar dhe se ndarja kishte ardhur më pas.

Emri i Refit (Nertil) Buzit ishte bërë publik edhe në vitin 2022, kur media britanike raportoi se ai ishte mbajtur peng nga disa bashkëkombës në Angli për një borxh që pretendohej se arrinte në 400 mijë paund.

Me vdekjen e autorit, procedimi penal ndaj tij mbyllet, por mbeten të hapura shumë pyetje për institucionet nëse kjo ishte një tragjedi e paralajmëruar, që mund të ishte shmangur nëse policia do të kishte reaguar menjëherë./Lapsi.al

Të këshilluara

Anketa e “Monitor”, nga kapja e shtetit te korrupsioni, arsyet pse po protestohet

Rezultatet e anketës që “Monitor” ka organizuar për lexuesit e saj lidhur me argumentet pse prej javësh qytetarët po protestojnë. Nga kapja e shtetit te korrupsioni, janë të shumta arsyet që çojnë në një mbështetje masive prej 90% të protestave. Pritshmëritë e të anketuarve shkojnë deri te ndryshimi i Kodit Zgjedhor, shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura dhe krijimi i një force të re politike që mund të lindë nga vetë protesta. Edhe pse anketa nuk është në asnjë rast përfaqësuese për të gjithë popullsinë, ajo përcjell një zë të një audience të arsimuar, profesionale dhe të angazhuar me zhvillimet e vendit.

14:06 Ornela Liperi

ide

Një prerje në besë e Shqipërisë së re

Rama ose se ka kuptuar revolucionin e Flamingove, ose e po manipulon me thelbin e tij. Të përpiqesh ta vizatosh atë si një reagim që u provokua nga sukseset që rritën pritshmërinë gjatë epokës së rilindjes do të thotë ta presësh atë në besë

13:42 Andi Bushati

Reforma territoriale dhe profecia e romakut Tacitus

Sipas informacioneve të dala, ajo synon rishikimin e hartës aktuale me 61 bashki, duke shkrirë 10 deri në 14 bashki të vogla, me qëllim që numri i tyre, për zgjedhjet vendore të vitit 2027, të mos jetë më tepër se 50 bashk

11:29 Ferdinand Dervishi

MOTI TIRANA

30°c

KËMBIMI EURO

93.72

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI