
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një deklarate publike, duke kundërshtuar klasifikimin si sekret të një vendimi që, sipas tij, nuk i është vënë në dispozicion, duke ngritur pikëpyetje mbi mundësinë për ta njohur dhe kundërshtuar atë në rrugë ligjore. Bëhet fjalë për vendimin e transferimit të tij në burgun e Fierit.
“U deshën 31 orë që më në fund të na thuhet se vendimi është sekret!”, shkruan Veliaj, duke e cilësuar situatën si një përpjekje për t’i mohuar mundësinë e njohjes së aktit dhe ushtrimit efektiv të së drejtës së ankimit.
Në reagimin e tij, kryebashkiaku e zhvendos debatin te baza ligjore e klasifikimit të vendimit si sekret shtetëror, duke e konsideruar këtë zhvillim një tjetër fazë të asaj që ai e quan arbitraritet në vendimmarrje.
“Pra, jo vetëm që nuk na vihet në dispozicion akti, por synohet të na mohohet edhe mundësia për ta njohur, kundërshtuar dhe ankimuar efektivisht atë”, shprehet Veliaj.
Në vijim, ai kërkon që autoritetet të bëjnë të disponueshëm dokumentacionin që justifikon klasifikimin e vendimit, duke iu drejtuar drejtpërdrejt autoritetit përgjegjës.
“Na vini në dispozicion autorizimin e Kryeministrit të vendit që ju autorizon si autoritet klasifikues”, përfundon reagimi i kryebashkiakut të Tiranës.
