
Protesta kundër projektit të Zvërnecit u zhvendos përpara Kuvendit këtë të hënë paradite, aty ku socialistët refuzuan të përfshinin në rendin e ditës propozimet e opozitës për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Protestuesit ishin më të paktë në numër krahasuar me tubimet e mëdha përpara kryeministrisë që u panë gjatë muajit qershor, por prania e tyre dhe sulmet me vezë mjaftuan që deputetët të shmangnin hyrjen kryesore.
Si socialistët, ashtu edhe demokratët e panë të arsyeshme të futeshin nga hyrja dytësore e kuvendit, nën mbrojtjen e rreptë të gardës. Policia kishte blinduar rrugët nga të dyja hyrjet për të shmangur incidentet që u krijuan seancat e kaluara.
Në vezët që protestuesit mbanin në duar ishin shkruar emrat e deputetëve. Disa prej tyre u hodhën drejt makinave të ligjvënësve, në një simbolikë të drejtpërdrejtë kundër atyre që, brenda sallës, vazhdojnë të mbajnë në fuqi ligjet e kundërshtuara prej 51 ditësh në rrugë.
Në të njëjtën ditë, Edi Rama u shfaq në një video në rrjetet sociale duke premtuar se do të reflektonte pas protestave që kundërshtojnë projektin turistik në Zvërnec.
“Reflektimi i premtuar për atë që na vuri përpara pasqyra e bulevardit të flamingove është jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm dhe së shpejti do ta keni dhe atë”, deklaroi kryeministri.
Shfuqizimi i ligjit për zonat e mbrojtura është një kërkesë e Bashkimit Europian për Shqipërinë, por Rama nuk tha se çfarë do të ndryshojë dhe as kur do ta bëjë këtë.
Ajo që ndodhi paralelisht në Kuvend, megjithatë, tregon se mazhoranca po kërkon një rrugë që të mos e kthejë ligjin në versionin e vitit 2017. Përkundrazi, socialistët po ruajnë hapësirën që qeveria ta rishkruajë vetë ligjin, pa cenuar domosdoshmërisht projektin e Zvërnecit.
Nëse synimi do të ishte thjesht rikthimi i mbrojtjes që ekzistonte përpara vitit 2024, mazhoranca e ka zgjidhjen të gatshme. Partia Demokratike ka depozituar një projektligj që shfuqizon ligjin nr. 21/2024 dhe rikthen standardet e mëparshme për zonat e mbrojtura. Nisma gjendet prej muajsh në Kuvend, por socialistët nuk pranojnë ta shqyrtojnë.
Protesta jashtë, përplasja brenda Kuvendit
Protesta kishte mbushur një ditë më parë 50 ditë radhazi përpara Kryeministrisë. Si protesta më e madhe qytetare e zhvilluar prej dekadash, kjo është një ngjarje që i është imponuar tashmë retorikës së të gjitha partive politike.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, ua kujtoi këtë socialistëve, duke e cilësuar mobilizimin qytetar jo si një “sprint”, por si një “maratonë”.
“Protestuesit e kanë kuptuar që s’është sprint, por maratonë dhe e kanë vullnetin për t’i qëndruar, sepse falë saj do të bëjnë të mundur pengimin e planeve djallëzore të Edi Ramës”, tha Muçi.
Sipas tij, presioni i rrugës kishte bërë që mazhoranca të mos guxonte të kalonte gjatë korrikut ligje që protestuesit i konsiderojnë shkatërrimtare. Muçi paralajmëroi se mobilizimi do të vazhdonte edhe në gusht, nëse qeveria do të tentonte të rifillonte ndërhyrjet në zonën e kundërshtuar.
“Ju si deputetë mund të ikni me nder para këtij mandati duke dhënë dorëheqjen”, u tha ai socialistëve.
Edhe deputeti i Mundësia, Erald Kapri, e lidhi situatën brenda sallës me protestën që vijonte jashtë saj dhe me masat e shtuara të policisë.
“Protestat vijojnë. Policia blindon rrugën, institucionet, vetëm që t’ju mbrojë juve nga sulmet me vezë. Por edhe sa kohë do të mbroheni?! Janë edhe tre vite deri në përfundim të kësaj legjislature”, tha Kapri.
Sipas tij, Kuvendi dhe qeveria e kanë humbur legjitimitetin, ndërsa përplasja për Zvërnecin e ka vendosur mazhorancën edhe përballë Bashkimit Europian.
“Madje, iu shkel dhe syri për shkak të investimit të Zvërnecit dhe ndodhi protesta e madhe. Ndaj po e sulmoni protestën. Kjo qeveri jo vetëm që e ka humbur legjitimitetin, por është në përplasje me BE-në. Rama thotë se është ligji më i mirë i bërë ndonjëherë. Minimumi që duhet të bëjmë është të shpallim zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Kapri.
Gazment Bardhi akuzoi mazhorancën se ndryshonte rendin e ditës sipas dëshirës, duke shqyrtuar nisma të depozituara më vonë, ndërsa mbante jashtë katër projektligje të opozitës.
“I keni futur në kalendarin e Kuvendit si ligje pa datë për seancë plenare dhe nuk pranoni t’i shqyrtoni. Ky është cenim i parlamentit. I trajtoni ca të nënës, ca të njerkës”, tha Bardhi.
Ai kërkoi që katër propozimet të përfshiheshin për shqyrtim edhe “për hatër të integrimit”. Por mazhoranca nuk ndryshoi qëndrim.
Përgjigjja e kryetarit të grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, nuk ishte një afat për shqyrtimin e kërkesave të protestuesve apo të propozimeve të opozitës. Ai vijoi retorikën që i ndan protestuesit në “flamingo” dhe “sorra”, ndërsa deklaroi se PS-ja ishte e gatshme të dialogonte vetëm me ata që i quajti “flamingot e vërteta”.
Balla përsëriti se qeveria po përgatit një ligj të ri për Investimet Strategjike, por ia bëri të qartë opozitës se mazhoranca do të vendoste vetë se kur do të votohej.
“Se kur votohet nuk e vendosni dot ju, të paktën jo derisa të keni 71 mandate”, tha Balla.
Kjo fjali përmbledh edhe mënyrën se si socialistët po e trajtojnë çështjen e Zonave të Mbrojtura: jo sipas urgjencës së kërkesave europiane dhe protestës qytetare, por sipas kalendarit dhe interesit politik të shumicës.
Presioni nga Brukseli
Qeveria shqiptare ndodhet nën presionin e drejtpërdrejtë të institucioneve europiane. Parlamenti Europian ka shprehur shqetësim serioz për ndryshimet e vitit 2024, të cilat lejuan projekte të mëdha turistike dhe infrastrukturore në zona me ndjeshmëri ekologjike, dhe ka kërkuar kthimin pas të amendamenteve.
Në qershor, Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se qeveria shqiptare kishte rënë dakord që ndryshimet e vitit 2024 të shfuqizoheshin brenda këtij viti.
“Edhe përpara sesa të nisnin këto protesta, kishim rënë dakord me Shqipërinë që gjatë këtij viti do të shfuqizoheshin amendamentet e vitit 2024 të ligjit për Zonat e Mbrojtura”, tha Kos.
Por Rama shmangu menjëherë termin “shfuqizim”. Ai pranoi anulimin e ligjit për Investimet Strategjike, ndërsa për Zonat e Mbrojtura përdori një formulë tjetër.
“Për ligjin e Zonave të Mbrojtura nuk kemi asgjë për të shfuqizuar”, deklaroi Rama, duke shtuar se ligji do të rishikohej dhe se do të ndryshohej gjithçka që nuk përputhej me standardet europiane.
Dallimi nuk është vetëm gjuhësor. Shfuqizimi i ndryshimeve të vitit 2024 do të sillte rikthimin e kufizimeve të mëparshme. “Përshtatja”, përkundrazi, mund të prodhojë një ligj të ri, me dispozita të hartuara në mënyrë që qeveria të deklarojë se ka përmbushur kërkesat e Brukselit, ndërsa ruan një rrugë ligjore për projektin e Zvërnecit.
Përse ka rëndësi ligji i vitit 2024
Ndryshimet e miratuara nga socialistët në vitin 2024 prekën veçanërisht kategorinë e “peizazhit të mbrojtur”, ku përfshihet edhe zona e Zvërnecit.
Ligji i ri krijoi mundësi për zhvillime turistike dhe struktura akomoduese të kategorive të larta brenda zonave të mbrojtura. Pikërisht për këtë arsye, Parlamenti Europian vlerësoi se amendamentet u hapnin zona ekologjikisht të ndjeshme projekteve turistike dhe infrastrukturore në shkallë të gjerë.
Projekti i Zvërnecit nuk e ka marrë ende lejen përfundimtare të ndërtimit. Sipas të dhënave të bëra publike, ai ka leje zhvillimi dhe leje për rrethimin e pronës e ndërtimin e rrugëve të brendshme, ndërsa projekti i detajuar dhe Vlerësimi i Thelluar i Ndikimit në Mjedis nuk kanë përfunduar.
Kjo do të thotë se kuadri ligjor që do të jetë në fuqi gjatë shqyrtimit të lejeve të mbetura mund të jetë vendimtar për të ardhmen e investimit.
Nëse ndryshimet e vitit 2024 shfuqizohen dhe ligji kthehet në standardet e vitit 2017, projekti do të përballej me pengesa shumë më të forta. Nëse ligji vetëm “përshtatet”, qeveria mund të tentojë të ruajë dispozita kalimtare, përjashtime ose formulime që mbrojnë procedurat dhe të drejtat e fituara nga investitori.
Nuk ka ende një tekst të ri të qeverisë që ta provojë këtë skemë. Por refuzimi i zgjidhjes së gatshme në Kuvend, i kombinuar me këmbënguljen e Ramës se projekti i Zvërnecit do të realizohet, e bën këtë dyshimin kryesor politik mbi procesin që po përgatitet.
Një “reflektim” që nuk prek Zvërnecin?
Në Bruksel, Rama deklaroi se projekti turistik do të vazhdonte dhe se ambicia e tij ishte që investimi të bëhej “krenari për Shqipërinë dhe Europën”. Kjo deklaratë bie ndesh me idenë se qeveria po përgatitet të rikthejë pa kushte ligjin e vitit 2017.
Kryeministri po përpiqet të pajtojë dy objektiva që duken në kundërshtim: t’i tregojë Bashkimit Europian se do të korrigjojë ligjin dhe, njëkohësisht, t’i sigurojë investitorët se projekti i Zvërnecit nuk do të ndalet.
Për këtë i duhet një ndryshim i kontrolluar, jo një shfuqizim i plotë i ndryshimeve që bëri në vitin 2024.
Nëse qeveria do të pranonte propozimin e opozitës, nuk do të mund ta kontrollonte më këtë proces. Ndryshimet e vitit 2024 do të binin dhe ligji do të kthehej në versionin që ekzistonte përpara se socialistët t’u hapnin zonave të mbrojtura derën për resortet turistike.
Prandaj kryeministri premton “reflektim”, deputetët e tij mbajnë në fuqi ligjin që i duhet projektit të Zvërnecit.
Megjithatë, vezët me emrat e deputetëve, hyrja e ligjvënësve nga dera dytësore dhe vijimi i protestës në ditën e saj të 51-të tregonin se presioni nuk ka përfunduar./Lapsi.al

