
Tenistja ukrainase Dayana Yastremska ka deklaruar se apartamenti i familjes së saj në Odesa është shkatërruar në një sulm rus. “Një raketë ruse shkatërroi apartamentin tonë në Odesa. E vetmja gjë që shpëtoi ishte një peshqir i Roland Garros”, shkroi Yastremska në Instagram.
Fotot dhe videot që ajo publikoi tregonin një peshqir portokalli të Roland Garros të varur mes rrënojave të një godine banimi. “Një pjesë e historisë së tenisit botëror i mbijetoi një rakete ruse. Shtëpia jonë jo”, shkroi gjysmëfinalistja e Australian Open 2024.
Yastremska deklaroi se godina u godit drejtpërdrejt nga një raketë lundruese Kalibr. Guvernatori i rajonit të Odesës, Oleh Kiper, deklaroi se 35 persona, mes tyre edhe një foshnjë, mbetën të plagosur dhe dy persona rezultonin të zhdukur pas sulmit rus ndaj Odesës dhe Chornomorsk-ut të afërt, të kryer gjatë natës mes 12 dhe 19 shtatorit me raketa dhe dronë.