
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës pritet të vazhdojë sot, ndërsa në rend të ditës është zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Seanca është thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas dështimit të votimit të Vlora Çitakut në seancën e së premtes.
Deputetët e LVV-së abstenuan në votimin për kandidaten e PDK-së, duke bërë që ajo të mos marrë votat e nevojshme për t’u zgjedhur nënkryetare.
Në të njëjtën seancë, Kuvendi arriti të zgjedhë Ardian Golën nga LVV në pozitën e nënkryetarit.
Pas dështimit të votimit të Çitakut, PDK vendosi të mos marrë pjesë në seancat e mëtejshme konstituive të Kuvendit, duke paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.
Pak orë më vonë u thirr edhe një seancë tjetër brenda së njëjtës ditë, por deputetët e PDK-së nuk morën pjesë.
Në anën tjetër, LDK deklaroi se nuk mund të hidhet në votim kandidatura e Kujtim Shalës pa u votuar paraprakisht kandidatura e PDK-së, duke kërkuar që procesi të zhvillohet sipas radhës.
Megjithatë, mbrëmjen e së dielës, LVV ‘lëshoi pe’ dhe njoftoi se do t’i votojë të dy kandidatët për nënkryetarë, Vlora Çitakun e PDK-së dhe Kujtim Shalën e LDK-së.
Nga LVV kanë shprehur shpresë se zgjedhja e nënkryetarëve do të mundësojë vazhdimin e procesit institucional dhe nuk do të paraqesë pengesë për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës.
PDK reagiu pak para seancës me një deklalarë ku shprehej se nuk do të ishte pjesë e saj.
"Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike.
Për këtë arsye, PDK nuk do të vazhdojë të marrë pjesë nga një seancë në tjetrën, në një proces ku vazhdimisht ndryshojnë kushtet dhe krijohen pengesa të reja. Edhe pjesëmarrja në një seancë tjetër nuk ofron asnjë garanci se procesi do të përmbyllet dhe se nuk do të paraqiten kërkesa apo kushte të tjera.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se situata e krijuar tashmë kërkon qartësi kushtetuese. Ekspertët e PDK-së janë duke punuar në përgatitjen e rastit, i cili do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për procesin në tërësi.
Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit" - thuhet në deklaratën e PDK.. /LAPSI.al